Të drejtat e shqiptarëve, pastaj stabiliteti i Maqedonisë
Në konferencën e tij të shtypit para dy ditësh Presidenti Berisha, duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me qëndrimet dhe masat antishqiptare të pushtetit maqedonas kundër shqiptarëve të Maqedonisë, si zakonisht vuri në dukje rëndësinë e stabilitetit të Maqedonisë për gjithë rajonin e trazuar të Ballkanit.
“Zgjerimi i lirive dhe të drejtave njerëzore është faktori që çon drejt stabilitetit dhe prosperitetit të çdo vendi”, vuri në dukje ai. Por, për fat të keq dhe për ironi të politikës sonë ndaj Maqedonisë, toleranca e treguar nga shteti ynë, duket se është kuptuar nga Gligorovi dhe njerëzit e tij si shenjë dobësie, sikur fati i Shqipërisë ndodhet në duart e shtetit të sapodalë nga veza të Shkupit. Nga ana tjetër, duket se e ka kuptuar se stabiliteti i saj varet në radhë të parë nga respektimi i të gjitha të drejtave të shqiptarëve. Kështu, pas brutalitetit të treguar në ngjarjet e Universitetit të Tetovës, u erdhi radha radiostacioneve dhe kanaleve private televizive të shqiptarëve për të provuar kërcitjen e dhëmbëve të pushtetit maqedon. Gjatë këtyre ditëve “Nova Makedonija” nuk e pati për gjë të sulmonte edhe Xhorxh Sorosin, i cili propozoi një “modus vivendi” për të mundësuar funksionimin e një universiteti në shqip në Maqedoni. Siç tha edhe presidenti shqiptar, moslejimi i Universitetit të Tetovës dhe mbyllja e radiove private janë hapa prapa. Duke pasur parasysh qëndrimet dashamirëse, tolerancën, ndoshta edhe të tepruar të Tiranës dhe masat me karakter marr nga Shkupi, të lind pyetja: “Mos vallë duhet ndryshuar diçka në politikën shqiptare ndaj Maqedonisë?” Ndoshta mund të jetë momenti për të shfrytëzuar edhe pranverën, që po përjetojnë marrëdhëniet shqiptaro-greke, mbi të gjitha për t’i lënë të kuptoje qeverisë maqedonase se qëndrimet ndaj saj janë të lidhura ngushtë me qëndrimin e Shkupit ndaj shqiptarëve, të cilët jetojnë në trojet e veta. Sa për përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, duhet të na kënaqin jo deklaratat, fjalët, por qëndrimet konkrete, si për Kosovën, ashtu dhe për shqiptarët e Maqedonisë. Gjithashtu, edhe në drejtim të respektimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, politika shqiptare duhet të mbështetet në veprime konkrete; morali dhe deklaratat, siç po tregon edhe koha, janë të pamjaftueshme…
Edhe presidenti në “luftën e përqindjeve”
Pas shumë bemave në fjalimet dhe deklaratat e tij, të konsumuara tashmë nga shtypi, Presidenti nxiton të kapërcejë shifrat mbi logjikën e realizimit dhe tejkalimit të objektivave duke u shpallur një garë emulative socialisteve të “trefishuar” në elektorat.
I ndërgjegjshëm për vështirësitë e rritjes, të cilat nuk e lejojnë PD-në të kapë shifrat e admirueshme të 200 përqindëshit të votave (siç do të kërkonte një trefishim i elektoratit të saj, për analogji të konkurruesit social- per analogji të konkurentit socialist), Presidenti thjesht deklaron një rritje të elektoratit të PD-së, pa bërë gabimin “fatal” të përllogaritjes së tyre. E admirueshme modestia presidenciale, por disi e pamotivuar aritmetikisht. Aktualisht PD, me gjithë hemorragjinë që e mundoi paksa këta tre vjet, në grupin e saj parlamentar disponon në letra shifrën e 67%-shit të elektoratit shqiptar. Kështu që, gjithmonë duke llogaritur një rritje thjesht numerike të saj (sepse nuk jemi të sigurtë me ato që shohim për anën cilësore), del që të paktën të kemi sot 67.1% të këtij elektorati në radhët e votuesve të PD-së. Në qoftë se nuk do të llogarisim progresionin që pritet të ndodhë si rezultat i kënaqësive që shijon vazhdimisht popullsia shqiptare në periudhat fitimtare 100-ditëshe, deri në zgjedhje, del që rezultantja e dy parashikimeve, që për konvencion po e quajmë Ruci-Berisha (të shfaqura edhe vite më parë në parashikimet për postin e Presidentit të Republikës) të tejkalojë shifrën e admirueshme të 150 përqindëshit. Duke besuar në përvojën e korrektësisë së zgjedhjeve të deritanishme, ku nuk ka pasur votime të dyfishta për një person, apo grup personash me ose pa uniformë, shpresojmë që kjo shifër të mos arrijë në kufijtë e 200 përqindëshit. Vetëm në qoftë se dy partitë (heroina të punës socialiste) nuk punojnë për vitin 2005...” G. C.
Shqipëria legalizon emigrimin(!)
Parlamenti shqiptar miratoi dje ligjin mbi emigrimin, i cili për herë të parë krijon një kuadër ligjor për shqiptarët që dëshirojnë të punojnë jashtë vendit, deklaroi të shtunën një zyrtar i lartë.
Zyrtari i Ministrisë së Punës, Rajmond Zhegu, i deklaroi ROJTER-it se ligji i ri përcakton se si mund të emigrojnë shqiptarët.
“Shqiptarët do të shkojnë tani se ka rrugë ligjore migrimi dhe se nuk ka nevojë për të vënë në rrezik jetën e tyre duke kaluar kufirin ilegalisht”, tha ai.
Sipas vlerësimeve zyrtare, rreth 260.000 shqiptarë kanë emigruar ilegalisht që prej rënies së komunizmit në dhjetor 1990, por nuk ka të dhëna të sakta.
Fillon aplikimi për bursat Fulbright
Qendra Amerikane e Kulturës njofton se së shpejti fillon aplikimi për bursat pasuniversitare Fulbright.
Personat e interesuar mund të tërheqin formularët për konkurrim për bursën pasuniversitare Fulbright 1996-97 në Bibliotekën e Qendrës Amerikane të Kulturës duke filluar nga dita e hënë, 5 Qershor (orari: E Hënë, e Merkure, e Premte 09:00 - 13:00; e Martë, e Enjte 13:00 - 17:00). Personat që kanë kërkuar nënshtetësi amerikane, apo janë bashkëshortë/e të shtetasve amerikanë/e, nuk kanë të drejtë të konkurrojnë. Askush nuk mund ta fitojë këtë bursë nëse nuk zotëron anglishten e folur. Cilido që ka fituar vitin e kaluar ka të drejtën të aplikojë. Së bashku me formularin do të dorëzohet edhe një informacion i hollësishëm mbi bursën, ku ndërmjet të tjerash caktohen edhe fushat ku aplikuesi mund të konkurrojë.
Tellali
O mile! Ju o gazetashites! Valu i Tiranës ka vendosur që gazetat le mos shiten më nëpër rrugë! Shteti, i cili gjithmonë është kujdesur e kujdeset për shtetasit e tij, edhe tani i shkon mendja tek hu. “Njeriu është kapital më i çmueshëm”, thoshte një nga ish baballarët tane. Për këtë arsye nuk mund t’ju lërë në mëshirën e fatit, në shi e në borë, t’ju rrahë era e t’ju hajë ngrica. Prandaj, tani që po vjen vera, nuk do të shisni më gazeta në rrugë.
Ka rifilluar shpërndarja e veprave të shokut Enver! Të interesuarit duhet të paraqiten në celulat e PKSH, të cilat tani janë hedhur në ilegalitet nëpër kafenetë më luksoze të çdo qyteti.
U lodhëm së kërkuari për t’u integruar në Evropë, në NATO, në BE, për t’u bërë enëtar shok apo shoqe i kësaj apo asaj. Në djall vashën të gjithë! Mirë e kishim përpara: “Me forcat tona”. Në asnjë mënyrë të mos i shtrijmë dorën imperializmit, borgjezisë, kapitalit të huaj...”
Shteti për 100 ditë ka bërë më shumë se sa bëri gjatë tre vjetëve. Tani pritet që brenda një muaji të bëjë edhe më shumë se ç’ka bërë gjatë këtyre 100 ditëve.
Në dyqane nuk do të gjeni më bojë të kuqe apo rozë pasi me të, sipas një sondazhi partiak, është lyer i gjithë elektorati shqiptar.