24/10/1996
Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Republika

24 tetor 1996

Zhvillime premtuese për të djathtët

Rezultatet e zgjedhjeve të 20 tetorit dhe sidomos reagimet e forcave politike të vendit pas përfundimit të tyre tregojnë dy tendenca të politikës aktuale shqiptare. Edhe një herë u vërtetua kriza që po përjeton krahu i majtë dhe i atyre partive që në një mënyrë ose tjetër janë të lidhura me këtë krah. Ajo që ndodhi të dielën në zgjedhje tregoi në mënyrë fare të qartë se të majtët, në radhë të parë socialistët, kanë humbur përfundimisht faktor[in?] e militantizmit. Kjo nga një këndvështrim do të thotë se ose udhëheqja socialiste po përjeton një krizë besimi nga ana e elektoratit, ose militantizmi ka qenë karakteristikë vetëm e masës së fanatikëve marksistë, të cilëve sigurisht nuk u pëlqejnë ndryshimet e fundit në vijën politike të partisë, të cilës ata i kanë dhënë frymën e tyre për një kohë të gjatë. Zgjedhjet lokale treguan se PS nuk është një kundërshtar edhe aq serioz sa duket dhe se duhet një kohë shumë e gjatë që të jetë në gjendje ta bëjë Berishën të mendohet. Nga ana tjetër, socialistët dhe të majtët e tjerë, të cilët gjithashtu po ballafaqohen me një turmë të elektoratit, përveç kritikave ndaj gabimeve dhe mosfunksionimit të skemave të qeverisjes së PD-së, nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë alternativa bindëse që të garantojnë kapërcimin me sukses të problemeve të krijuara nga qeverisja e PD-së. Më tej në f.5

"Pol": "PS ka manipuluar bashkë me PD-në. PS: "Nuk mund t’ju mëshirojmë tërë jetën"

Godo rifillon fushatën

- Optimizëm për kandidatin republikan. Përkrahët kandidatura e tij nga kandidati i pavarur dhe forcat e tjera politike. Kryetari i PR zoti Godo dje ka patur një ditë të ngarkuar. Pas takimit me KD, ka përballuar konferencën e shtypit me gazetarët dhe menjëherë është ndodhur në degën e PR Fier. Dy takime ka zhvilluar ai ditën e djeshme. Ka shkuar në fillim në qendër të komunës Ruzhdie, ku konkuron kandidati republikan Harun Kasa përballë kandidatit demokrat. Në takim ka patur një pjesëmarrje të gjerë. Kandidati republikan pati përkrahjen nga kandidati i pavarur dhe nga forcat e tjera politike. Zoti Godo foli për programin e Partisë Republikane për pushtetin lokal, u rikujtoi pjesëmarrësve se PR është për një vetëqeverisje autonome lokale, ku të mbizotërojë ligji, është për qetësi dhe rregull, për një administratë të aftë, e cila t’i dalë për zot problemeve të komunës dhe halleve të zgjedhësve. Zoti Godo i garantoi zgjedhësit për zgjedhje korrekte dhe të qeta, të cilat ai vetë do t’i ndjekë denjësisht. Kryetari i republikanëve është vendosur pastaj në fshatin Siqecë, ku zhvilloi një takim me banorët e fshatit. Edhe këtu takimi ishte optimist dhe pjesëmarrësit përkrahën kandidatin republikan si një njeri të aftë e të ndershëm. Edhe ditën e nesërme kryetari Godo do të jetë mes banorëve të komunës Ruzhdie përkrah kandidatit për kryetar komune, Harun Kasa.

Akuza dhe çarje në krahun e majtë

Banda "Shyti": Edhe dy të tjerë nën pranga

F.2

Socialistët rifillojnë sherrin: Meta kundër Mejdanit

F.3

Futboll: Brokadë kryesuesish brenda javës

F.8

Gazeta "REPUBLIKA", Rruga "Sami Frashëri", pranë gjimnazit "Petro Nini Luarasi", Tiranë, Nr. Llog. BTK 986/110 Tel/Fax 259 88