Koçi dorëzohet Meta Ministër i Rendit
Majko: I lirë të largohet
Arian Çani
Ministri i Rendit i Shqipërisë jep dorëheqjen; fshatarët e Lazaratit kërçënojnë Qeverinë se do ndezin jugun pas vrasjes së dy banorëve; Nano mezi po pret të rikthehet ose të rikthejë njerëzit e tij të besuar në krye të partisë; specialitet rrahin keqaz lojtarët dhe ndeshja mbyllet me krisma pistoletash; Durrësi mbetet një vetëvrasje dhe lëngon nga krimi; atentate dhe bomba të komanduara mes shqiptarësh në Veri... Dhe të gjitha këto pikërisht tani, kur Shqipëria është si asnjëherë tjetër në qendër të vëmendjes së gjithë botës.
Gjithçka mund t’i lejohet fatkeqësisht të prodhojë një vend dhe një shoqëri si kjo e jona. Por tani stop. Stop me gënje të përgjegjshme. Stop me militantë, politikanë, ministra e beteja qesharake partiash e klanesh për të përfituar ndonjë kokë më shumë. Stop. Tani është Kosova. Dhe që Kosova të zgjidhet, Shqipëria nuk duhet të ndizet. Shumë pak do të mjaftonte që gjithçka të hidhej në erë. Në pak orë - dhe këtë askush nuk e parashikonte tani - një nga njerëzit me detyrën më delikate dhe më të rëndësishme të vendit, Ministri i Rendit jep dorëheqjen. Duke anashkaluar të gjitha gjykimet dhe paragjykimet rreth kësaj “surprize”, ky akt vjen pikërisht në momentin e pahdur. Megjithë motivacionet që e shoqërojnë atë, Ministri i Rendit ikën pikërisht në kohën kur kufijtë veriorë të Shqipërisë po mbrohen me trimëri dhe nën rrezikun e përditshëm serb, nga policët e thjeshtë. Ministri i Rendit tha dje se nuk mund të qëndronte më në atë post përderisa Kryeministri nuk mbështeste prej kohësh veprimet dhe politikën e tij. Një çarje e tillë në piramidën e një shteti që pretendon të jetë një faktor kryesor në të ardhmen e rajonit, nuk mund të sjellë veçse një destabilizim të përgjithshëm në gjithë strukturat e vetë shtetit. Ardhja e NATO-s në Shqipëri nuk mund të jetë gjë tjetër veçse vetë ata të cilët kanë marrë përsipër të qeverisin, heqin dorë nga përgjegjësitë e tyre. Përballë krimeve serbe në Kosovë, tingëllon aq keq dorëheqja në Shqipëri e një ministri; përballë varreve masive të kosovarëve të pafajshëm, është e ndyrë të përballesh me klane partish e lojëra për të rifituar pushtet; përballë fëmijëve kosovarë të mbetur pa prindër, është e neveritshme të gjendesh përballë bandave të Lazaratit që kërçënojnë ende si në mesjetë.
MIOPËT