11/04/2000
Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Gazeta Shqiptare

11 prill 2000

TRAFIKU 1100 kile mariuanë kalon në Portin e Durrësit

Në faqet 2-3

Mafia shqiptare zbarkon në SHBA dhe dominon trafikun e drogës

Bosët e Ballkanit kanë pushtuar botën e krimit: mafia shqiptare ka marrë kontrollin e trafikut të kokainës dhe heroinës duke vendosur raporte të reja me klanin kolumbian si dhe duke intensifikuar marrëdhëniet me grupet turke. Dhe kjo është nxjerrë nga një mbledhje e mbajtur në Bari disa ditë më parë. Lajmi, i cili është konfirmuar dje nga Agjensia e lajmeve italiane ANSA, njofton se në kryeqendrën pulieze në një takim të mbajtur mes hetuesve të policisë amerikane të specializuar në luftën kundër drogës dhe ushtarakëve të “Guardia di Finanza”, është diskutuar nga ekspertë të lartë lufta kundër kriminalitetit në Ballkan. Gjatë mbledhjes është bërë një bilanc i situatës dhe pikërisht mbi hapat përpara që ka bërë klani shqiptar. Për sa u bë e ditur gjatë takimit, është ngritur një kupolë, e cila është e bazuar mbi katër-pesë familje shqiptare, të cilët kanë vendosur një marrëdhënie të ngushtë me narkotikët kolumbianë për të importuar sasi të mëdha kokaine. Kjo lidhje do të sigurohej nga disa referues të tjerë të mafies shqiptare që qarkullojnë në New York. Pikërisht për këtë arsye, hetuesit amerikanë janë veçanërisht të interesuar mbi skenarët e rinj të krimit botëror. Hetuesit kanë ekzaminuar strategjitë e reja të klaneve dhe kanë rënë në gjurmë të një harte, nga ku ndjekin lëvizjet e skenave kriminale ndërkombëtare. Për atë ç’ka është bërë e ditur gjatë këtij takimi, është theksuar se një sasi e madhe kokaine është importuar nga bosët shqiptarë nga një kontinent në tjetrin dhe një nga destinacionet e tyre ka qenë edhe aeroporti i Rinasit (Tiranë), nga ku ato, do të shkonin drejt tregjeve europiane me gomone nëpërmjet kanalit të Otrantos (në Adriatik) dhe me maune në Ballkan. Paratë që qarkullojnë, numërohen në miliarda dhe përbëjnë një ndër burimet kryesore financuese të grupeve shqiptare, gjithmonë e më të fuqishëm edhe nga ana ushtarake. Këto klane kanë marrë në dorë edhe kontrollin e trafikut të heroinës duke i vënë në dispozicion klanit turk gomone dhe skafistë për transportin e klandestinëve aziatikë në shkëmbim të heroinës, e cila është bërë bashkë mal shkëmbimi si dhe valuta më e privilegjuar për trafikantët shqiptarë. Kriminaliteti i organizuar shqiptar është në gjendje që të drejtojë edhe trafikun e marihuanës, e cila prodhohet në Shqipëri në plantacione të hapura ose sera të ndriçuara nga llampa të mëdha artificiale. Ky hap cilësor në këtë trafik është bërë nga shqiptarët kohë më parë, kur bosët ishin duke eksperimentuar edhe mundësinë e “pastës së kokainës” në Shqipëri. Tashmë këta bosë do të arrijnë qëllimin e tyre duke krijuar një kanal lidhës falë aleancës së tyre me narkotikët, këta të fundit të shpërndarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fotografi bardhezi e anijeve në ujë.