Át Anton Harapi
“Pse pranova me u bâ Regjent”
Një fjalim i françeskanit të madh na zbulon gjithë idetë e tij dhe pse pranoi atë pozicion politik në kohën e Luftës, pozicion i cili në vitet e diktaturës u quajt tradhëti...
“...Nuk mujta t’a shoh Shqipnin n’anarki. Në këtë kohë dhe ndër këto rrethana, për ne Shqiptarët anarkija asht nji turp dhe nji delikt: po, turp asht të ngatërrohemi shoq me shoq dhe vetë të krijojmë Babylonnin Shqiptare, pa qenë të zotet t’i a gjejmë fijen lamshit; delikt asht në këtë moment kaq kritik për botën mbarë të vegimë për ideal vllavrasjen, përmbysjen e katundeve, humbjen e gias dhe shkatërrimin e familjevet. — Pra m’u dhim[b]t populli e m’u dhim[b]t Shqipnija...”
NGA AT VITOR DEMAJ, OFM
Njerëzit e mëdhenj mbeten gjithmonë “dritë” që “ndriçojnë” mendjen tonë, shpirtin tonë edhe pse njerëzit e “vegjël” sulen kundër tyre nga smira e xhelozia për t’i hedhur në humnerën e harresës. Ata mbeten idealistë të vërtetë që na ftojnë të shkelim njëherë kalldrëme rrugësh për të përftuar mendimin dhe historinë e çdo populli, të çdo njerit prej nesh. Një “dritë” ishte dhe është Át Anton Harapi bashkë me brezin e tij “ndriçues” e udhëheqës nëpër rrugët e pashkelura asnjëherë. Edhe pse ishin “dritë” dhe “ndriçues” ranë në mëninë e “errësirës”, ata bashkë me nxënësit e tyre, sepse jetuan dhe vepruan për një Shqipëri ndryshe nga ajo që erdhi më vonë. Jeta dhe shkrimet e tyre na ndriçojnë jo si asnjëherë tjetër ne që kemi nevojë për mendimin e tyre përballë rrëgëtimit tonë, sepse sot jetojmë simbas opinioneve e jo simbas idealeve. Ja, pse njerëzit e mëdhenj na nevojiten për të na drejtuar përgjatë ecjes tonë, në formimin e mendësisë dhe të idealeve tona, në organizimin e jetës vetjake e shoqërore. Mbas rënies së komunizmit në Shqipëri, filluan të rivlerësohen ato personalitete që kishin bërë gjithçka, përdhun mund dhe djersë, dije dhe kulturë, jetë e sakrifica për zhvillimin mendor dhe moral të popullit ...
→ Në faqen 2