Dështakët fyejnë popullin shqiptar
Shqiptarët nuk i thanë “PO” së kaluarës komuniste, por “JO” të ardhmes diktatoriale
Të dështuarit dhe servilët e pacipë, humbjen fatale që morën nga populli shqiptar më 6 nëntor nuk po e pranojnë akoma.
Megjithëse po mundohen të manipulojnë, altoparlanti i shovent e i denigruar TVSH dje nëpërmjet disa frazave të shpëtuara nga gazetat e huaja, fyen rëndë të gjithë ata qytetarë të vërtetë të cilët me mençurinë i thanë “JO” pushtetit të një personi, i thanë “JO” lindjes së diktatorëve të rinj, i thanë “JO” manipulimit dhe nënshtrimit të pushtetit gjyqësor, i thanë “JO” burgosjeve politike, i thanë “JO” burgosjes së gazetarëve dhe dhunimit të fjalës së lirë, i thanë “JO” politikës së shkrepave, i thanë “JO” kanunit të mesjetës, i thanë “JO” Shqipërisë në Konferencën Islamike, i thanë “JO” kontrabandistëve të naftës, drogës dhe armëve, i thanë “JO” korrupsionit, i thanë “JO” këtij regjimi, kësaj qeverisjeje mediokre, paaftësisë, servilizmit, hakmarrjes, dhunës, krimit.
Por zonjushat e TV tepër të zhdëngjyera nga fusha që bëjnë duke shkuar deri në majë të Dukaçinit pas Berishës tashmë kanë ngelur me gishtë në gojë dhe nuk duan ta pranojnë disfatën. Ato në vend që të japin rezultatet (aq sa disponojnë deri tani) mbledhin shtypin e huaj dhe me laps në dorë shkëpusin fraza që fyejnë votën e lirë. Kështu mbremë në TV u tha se “Shqipëria votoi për të kaluarën komuniste”, “Komunistët fituan”. “Shqiptarët votuan kundër Kushtetutës, kundër hyrjes në Evropë”. “Në Shqipëri mbetet në fuqi kushtetuta staliniane e ’76” etj. Shtypi i huaj nuk e di se ç’bëhet në Shqipëri, mund të shkruajë edhe pasaktësira, por zonjushat aspak simpatike duhet ta dinë se Kushtetuta e vitit ’76 është shfuqizuar në vitin 1991 nga parlamenti i parë pluralist. Duhet ta dinë se askush nuk voton më për Enver Hoxhën, për kooperativën apo për ekonominë e centralizuar. Shqiptarët votuan kundër Berishës e pushtetit të tij. Ata nuk votuan e nuk do të votojnë kurrë më për të shkuarën komuniste, por për të ardhmen e tyre, për të qenë të lirë e për të mos patur më Enverë në Shqipëri. Po të votohej për të shkuarën, të parët që do votonin “PRO” do të ishin komunistët, enveristët, servilët dhe të paaftët që kanë mbushur RTV. Shqiptarët e zgjodhën rrugën e tyre, ju duhet të shkoni pas, që nesër të mos jeni shumë të vonuar.
A. FRANGAJ