4 vjetori i gazetës “Koha Jonë”
Më 11 Maj të vitit 1991 doli numri i parë i gazetës së pavarur “Koha jonë”.
E krijuar fillimisht si një gazetë lokale për rrethin e Lezhës, “Koha jonë” shumë shpejt i kaloi kufijtë e vendlindjes për të qenë më pas gazeta më e madhe e pavarur në Shqipëri.
Historia 4 vjeçare e kësaj gazete është e mbushur plot ngjarje e peripeci, të cilat patën ndikim në dimensionimin dhe rritjen e autoritetit në shkallë kombëtare. Qëndrimi gjithnjë kritik dhe karakteri informativ në rritje, kanë qenë baza e suksesit të kësaj gazete. E destinuar për të shërbyer së vërtetës, në një kohë të mungesës së theksuar të lirisë së informimit, “Koha jonë” kaloi momente të vështira në fillimet e regjimit të Berishës.
Sot, kur e kujton, duket tepër absurd e i pajustifikueshëm sulmi i gjithanshëm i pushtetit ndaj “Koha jonë”. Mbi 38 kontrolle të Blerim Çelës, prokurorisë, hetuesisë, bankës kombëtare e bujqësore, Ministrisë së Mbrojtjes etj, kërkuan me çdo kusht mbylljen e gazetës së parë të pavarur, e cila kishte qenë kritike edhe me pushtetin e Ramiz Alisë nga 11 maj ’91 deri më 22 mars ’92. Dështimi i mosmbylljes i acaroi më tepër segmentet që përfaqësonin hakmarrjen dhe injorancën në pushtetin demokratik. Në fund të vitit 1992, Blerim Çela kërkon burgosjen e drejtorit Nikollë Lesi, por pas një seance gjyqësore, në mënyrë të paturpshme kryekontrollori i shtetit tërheq vetë akuzën e rreme.
Në fillim të vitit 1993 Safet Zhulali kërkon arrestimin e kryeredaktorit për lajm të rremë që kish ngjallur panik. Arrestimi realizohet nga prokurori Arben Qeleshi dhe pas një muaji, në sallën e gjyqit është vetë mbrojtësi i akuzës që tërhiqet duke i dhënë pafajësinë kryeredaktorit. Por Zhulali e Dragoshi nuk pajtohen dhe i kërkojnë apelit duke i shtuar kësaj akuze edhe atë të nxjerrjes së sekretit, burgosjen përsëri të kryeredaktorit. Gjykata nuk mundi të gjejë asnjë mundësi për t’ia realizuar dëshirën përfaqësuesve të shtetit dhe përsëri e hodhi poshtë akuzën e pabazuar.
Ndërkohë “Koha jonë” mes vështirësive vazhdon të rritet. E nisur si gazetë e përjavshme, në fillim të vitit 1994 “Koha jonë” del e përditshme duke zgjeruar spektrin e informacioneve dhe duke mundësuar kërkesat e mëdha të lexuesve për këtë gazetë. E megjithëse Presidenti Berisha propozoi me anë Ligjin për të drejtat e liritë e njeriut, ku sanksionohej liria e shprehjes dhe informimit, sulmi ndaj fjalës së lirë nuk u ndal. Vetëm 20 ditë pas daljes së përditshme të “Koha jonë”, Safet Zhulali përsëri i hyn aventurës për burgosje të gazetarëve. Firma e Arben Qeleshit përsëri nuk kursehet për prangosjen e Kryeredaktorit si dhe të gazetarit Martin Leka. Kësaj radhe akuza absurde dhe e paligjshme dhe 3 muaj të hidhej poshtë. Gjykata e Tiranës dhe ajo e Apelit (Prel Martini) duke qenë servile të pushtetit i lanë padrejtësisht në prangat në duart e gazetave. Ishte Kasacioni që përsëri nxorri në shesh padrejtësinë, hakmarrjen e sulmin e paprinciptë të shtetit ndaj “Koha jonë” kur u dha pafajësinë për dy të burgosurit e kësaj gazete. Pas prangave, një luftë tjetër ju hap shtypit. Ajo e taksave e tatimeve të cilën shtypi akoma nuk e ka fituar me shtetin e sotëm.
Megjithatë, sot “Koha jonë”, në sajë të këmbënguljes dhe punës së vazhdueshme të stafit të saj, gëzon respektin e mijëra lexuesve brenda e jashtë vendit. Arritjet e derisotme e shtyjnë stafin e “Koha jonë” ke këto 4 vjetor, të premtojnë cilësi më të lartë profesionale në të ardhmen për të mbetur gjithnjë gazeta më e dashur dhe interesante për lexuesin shqiptar.
ALEKSANDËR FRANGAJ