Divorci i “Gjalliçës” në gjykatë
Presidentja e firmës: I dhuroj Gërxhalliu kripën, benzinën, tullat dhe borxhet
faqe 2
SHBA diplomaci me protokoll
Lëviz pak nga vendi porta e hekurt që ndan Tiranën me Washingtonin. Një veteran i luftës në Vietnam do të jetë atasheu i ri ushtarak i Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Njoftimi i dhënë nga burimet zyrtare nuk e fsheh kënaqësinë për mbërritjen e Frank Knabes në postin e përfaqësuesit ushtarak të vendit të madh perëndimor dhe e interpreton atë si tregues të marrëdhënieve të mira mes dy vendeve. Në një deklaratë për shtypin zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes është shprehur se ardhja e Knabes në Tiranë është shenjë e sigurtë se mes dy vendeve lidhjet po forcohen.
Mbërritja e një përfaqësuesi në një ambasadë të huaj pas largimit të paraardhësit të tij, është një rutinë në jetën e përfaqësive diplomatike. Rasti Knabe nuk duket se bën përjashtim nga norma e shkëmbimeve dhe zhvendosjeve të zakonshme protokollare që ministritë e jashtme i kryejnë kohë pas kohe me njerëzit e tyre. Kjo mund të ishte një mënyrë për të lexuar ardhjen e një njeriu të ri në krye të shërbimit ushtarak amerikan në Tiranë.
Së dyti, politika e SHBA-ve në Shqipëri dhe rajon, ka ndjekur gjithmonë linjat e saj të veprimit. Kjo është normale për një shtet të madh që ka interesa shumëplanëshe në të katër anët e botës dhe që zbaton një politikë elastike me partnerët e tij. Marrëdhëniet ushtarake të SHBA për shembull, jo gjithnjë kanë përkuar dhe janë modeluar sipas politikës së momentit. Strategjia ushtarake amerikane e inkuadruar në nismat e përbashkëta me shtetet evropiane, ndjek logjikën e saj dhe në Ballkan kjo logjikë ka shtyrë gjithmonë drejt bashkëpunimit dhe përfshirjes.
E parë kështu, mbërritja e zotit Knabe nuk duket se jep rast për fantazi politike të çfarëdo lloji. Së treti, pozicioni amerikan ndaj Shqipërisë nuk ka dhënë asnjë shenjë zbutjeje në muajt e fundit. Heshtja relative që ka pasuar zgjedhjet lokale, nuk mund të konsiderohet si ndryshim kursi, për sa kohë që administrata e Klintonit vazhdon të mbetet në deklaratat e saj në lidhje me liritë politike në vendin tonë, pa dyshim më të fortat e bëra nga qeveritë perëndimore. Sipas Washingtonit, Shqipëria duhet të aprovojë kushtet në bashkëpunim me konsensusin e opozitës dhe të zhvillojë me pas zgjedhjet e përgjithshme për të vënë në vend besimin e lëkundur të shqiptarëve tek institucionet, i votës së lirë dhe vlerat e demokracisë.
Kjo formulë mbetet e pandryshuar edhe pas ardhjes së atasheut të ri amerikan në Tiranë, i cili me siguri do t’i japë një shtytje të re marrëdhënieve dypalëshe në fushën ushtarake. Nuk ka asnjë motiv për të dyshuar se kjo do të ndodhë.
S. MINXHOZI
Hajdarit i hiqet “mburoja” e PD
faqe 5
Nga protestat e dhunshme në Beograd
Foto: Reuter