Pse u mbyll Populli dhe Xhaferri
Shtypi i huaj zbulon enigmën që dogji Shqipërinë: Qeveria mbylli fondacionet pasi kishte harxhuar depozitat e tyre.
FMN: Doni para prishni fajdet. Berisha : Në Shqipëri nuk do të ketë më fajde Ndre Legisi : Më masakruan pesë punonjës të SHIK-ut. Imami në prokurori
Pentagoni: Kujdes Berisha
Ushtria shqiptare ka dalë nga kazermat në rrugë. Një ligj i aprovuar të dielën nga parlamenti ndërkohë që në sheshin qendror të Tiranës demonstrohej kundër qeverisë, ka dhënë kompetenca më të mëdha presidentit të republikës mbi forcat e ushtrisë, duke kaluar disa njësi të tyre nën urdhërat e Ministrisë së Brendshme. Pas një mbledhjeje të gjatë me grupin e tij parlamentar, Berisha është reklamuar gjatë nga shtypi i tij për kundërshtimin që i ka bërë vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend.
Ky lajm, i dhënë nga mediat gjatë kohës që mbledhja vazhdonte, krijoi një pjesë të shtypit të huaj një klimë pozitive rreth presidentit shqiptar. Në disa gazeta dhe agjensi të huaja nuk munguan citimet që ju bënë presidentit rreth rrezikut që mund t'i vijë demokracisë shqiptare nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme. Siç ka ndodhur jo rrallë për shkak të njohjes sipërfaqësore të gjendjes në Shqipëri, një pjesë e mediave të huaja u përqëndruan më shumë në deklaratat publike, pa komentuar se çfarë do të thotë në fakt nxjerrja në rrugë e ushtrisë në një moment si ky.
I vetmi sinjal që ka shprehur shqetësim ka ardhur nga SHBA. Jo Departamenti i Shtetit, siç ka ndodhur së fundi, por Pentagoni, ka komentuar se gjendja e jashtëzakonshme është vendosur tashmë teknikisht dhe ka paralajmëruar se do të reagojë në rast shkeljeje të të drejtave të njeriut nga ushtria. Ky koment që Pentagoni i ka bërë zgjerimit të kompetencave të Berishës mbi ushtrinë gjatë krizës më të rëndë që po kalon vendi që nga rënia e komunizmit, tregon se Uashingtoni vazhdon t'i shohë me lupë zhvillimet në Shqipëri. Rënia e fajdeve është vetëm fundi i një procesi që SHBA e kanë ndjekur, e pse jo, edhe stimuluar duke filluar nga gjysma e dytë e vitit të shkuar. Tani që nga piramidat kanë mbetur vetëm "gurët", duket se në Amerikë shqetësohen vetëm që kjo të mos çojë luftën civile.
Prishja e marrëdhënieve pas zgjedhjeve të 26 majit kishte mbetur deri tani në kuadrin politik. Deklaratat e Departamentit të Shtetit nuk e shqetësonin qeverinë shqiptare, për sa kohë që në planin ushtarak gjithshka rridhte si më parë. Duke e kuptuar se në këtë pikë përqëndroheshin interesat kryesore amerikane në rajon, Tirana e ka llogaritur fort bashkëpunimin ushtarak me fuqinë më të madhe të NATO-s. Stërvitjet dy dhe dypalëshe, vizitat e ushtarakëve të lartë amerikanë në Shqipëri dhe klima e bashkëpunimit kishin krijuar idenë se politika e SHBA ndaj vendit tonë do të ishte shumëplanëshe edhe në muajt e ardhshëm. Një fakt i tillë e provon nga ashpërsia e deklaratave të diplomacisë amerikane ndaj zhvillimeve politike nga njëra anë dhe nga vazhdimi i bashkëpunimit mes dy ushtrive nga ana tjetër.
Por me prononcimin e fundit të Pentagonit, duket se mes dy kryeqyteteve është ndërprerë edhe kanali i fundit i komunikimit - ai i marrëdhënieve ushtarake. Tonet paralajmëruese të deklaratës së pardjeshme tregojnë se ujët po fillon të kthehet në akull. Dhe kjo për Shqipërinë, që aspiron një integrim të shpejtë në strukturat ushtarake perëndimore, do të thotë më së paku dalje në fund të listës,
S.MINXHOZI
Nis gjuetia e shtrigave, opozita në arrest
Berisha në mitingun e djeshëm, duke qeshur premton mbylljen e fajdeve Foto: Reuter
INTERNET
“HOME PAGE” NË SHQIPËRI
AMC ofron për institucionet dhe firmat private shërbimin INTERNET “HOME PAGE”a
Të interesuarit mund të publikojnë informacione në formë teksti, figure, fotografi, mesazhe zanore dhe video, mbi aktivitetin e tyre
Këto lexohen nga përdoruesit e Internetit në të gjithë BOTEN
Kontratat për kryerjen e shërbimit bëhen pranë AMC sh.a. Rruga “Gjergj Legisi” Laprakë Tiranë