Dezerton Garda, ikin 60 të parët
Faqe 2
Mezini foli, digjen “të damkosurit” e 26 Majit, 31 kandidatë jashtë gare. Vazhdon alarmi në KQZ, vonesa gjithkund. Foresti, lamtumirë
Stuhi “Mezini” mbi opozitën
Von esa në dhënien e përgjigjeve për emrat e kandidatëve të paraqitur nga partitë shënonte fazën e parë të shërbimit që “Komisioni i Verifikimit të Figurave” i bënte presidentit Berisha. Faza e dytë ka filluar me dhënien e përgjigjeve të shumëpritura nga partitë. Stuhia e komisionit “Mezini”, ashtu si vitin e kaluar, edhe kësaj radhe duket se do të bëjë kërdinë në radhët e kundërshtarëve të Berishës, duke mos kursyer edhe “djemtë plangprishës” të tij. Përgjigjet e para që u kanë shkuar një pjese të partive nga ky komision, tregojnë se pothuaj të gjithë të penalizuarit e zgjedhjeve të mëparshme edhe tani do të jenë të privuar nga e drejta për të kandiduar. Përjashtim deri tani kanë bërë vetëm një pjesë e funksionarëve të qeverive komuniste të viteve të fundit, çka mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje mes dy të mëdhenjve.
Përfundimi i menjëhershëm që mund të nxirret prej këndej është se publiciteti i madh që iu bë të ashtuquajturës “zbutje” të ligjit absurd të gjenocidit apo verifikimit të figurave është vetëm një farsë ose më mirë një nga kurthet e zakonshme të Berishës, në të cilin ashtu si dhe herë të tjera, opozita ka rënë brenda. Nga ana tjetër, të tërheq vëmendjen se edhe ata që janë spostuar në Iligoren kundër Berishës tani së fundi, parashikohet të kenë probleme me komisionin “Mezini”, i cili nuk merr parasysh as faktin që një vit më parë u ka dhënë kështu licencën e kandidimit. Ndërkohë, në mënyrë të njëjtë, me vitin e kaluar, njerëzve që vazhdojnë t’i shërbejnë Berishës, komisioni në fjalë u ka dhënë viston për të kërkuar votat e elektoratit, pavarësisht nga të qenët e tyre bashkëpunëtorë të zellshëm të sigurimit apo në ndonjë pozicion tjetër që hyn në sferën e veprimit të ligjit në fjalë. Ndoshta, duke qenë të sigurtë për fshehjen e të kaluarës së tyre, janë pikërisht këta që kërkojnë forcimin e ligjit antigjenocid dhe çdo gjëje tjetër që ka të bëjë me kufizimin e të drejtës për të kandiduar.
Kështu, edhe një herë po del fare qartë se i ashtuquajturi “komision i verifikimit të figurave”, njëlloj si gjithë organet apo institucionet në shërbim të Berishës, po më tepër vetë ligji që ka çuar në krijimin dhe funksionimin e këtij komisioni, është një kobure në dorën e kreut të shtetit, për të hequr qafe ata që nuk i pëlqejnë. Me këtë shpjegohet shumë mirë këmbëngulja e Berishës për të mos e hequr këtë ligj antidemokratik apo e ndonjë lakeu të tij, që çirret për forcimin e këtij ligji. Lënia në këmbë e ligjit të gjenocidit dhe të verifikimit të figurave është njëra nga mangësitë e marrëveshjes së 9 marsit, gjë, për të cilën opozita po paguan tani.
G.L.