Banka Botërore: Përfundon Plani Marshall për Shqipërinë. RTV, zgjidhet Këshilli Drejtues. F.Lubonja Drejtor i Përgjithshëm. Çupi refuzon kreun e ATSH
Faqe 2
Pangallos në Tiranë. Nënshkruhet marrëveshja për punësimin sezonal të emigrantëve. Kërkohet perde e hekurt në kufi, Athina dhuron 2.5 miliardë drahmi
Nano e Pangalos dje në kryeministri
Foto GENT SHKULLAKU
Athina ruan hapin me Romën
Ende pa u mbushur mirë me frymë pas kthimit nga Roma, pas një vizite të karakterizuar nga një intensitet i lartë takimesh me qeveritarët italianë dhe përfaqësues të vendeve donatore, Nano dhe qeveria e tij, ishin dje mikpritës të një delegacioni të nivelit të lartë grek, të kryesuar nga ministri i jashtëm, Teodoros Pangallos.
Në pamje të parë, të krijohet përshtypja se revitimi i grekëve për të ardhur në Tiranë diktohet nga dëshira për të mos mbetur pas italianëve, të cilët, jo vetëm kishin rolin kryesor në operacionin “Alba”, po me Konferencën e Romës, u pa se Italia do të vazhdojë të ketë gjithnjë një status të privilegjuar në Shqipëri. Vetëm përbërja e delegacionit që përfaqësonte pothuajse gjithë dikasteret e qeverisë greke, duke filluar nga ai i mbrojtjes e deri tek ai i punës, tregon interesin e madh të Athinës për të qenë e pranishme në Shqipëri. Sigurisht, në frymën e sotme të proceseve integruese që mbizotëron në zhvillimet politike në Evropë, është një anakronizëm i vërtetë të mendosh për pretendime territoriale në kurriz të Shqipërisë. Në fund të fundit, askujt nuk mund t’i shkojë në mend ideja e një aneksimi të një vendi si Shqipëria. Le të kujtojmë problemet që iu krijuan gjigandit gjerman nga aneksimi i pjesës lindore të vendit. Karta e nacionalizmat në këtë pikë, vetëm bën efektin e kundërt për atë që e luan. Duke mos pasur potencialet e nevojshme për të konkurruar me partnerin e përtejdetit në aspektin ekonomik, delegacioni i zgjeruar grek që zbarkoi dje në Tiranë, kishte në çanta projekte të gatshme për një marrëveshje mbi legalizimin e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Pavarësisht nga karakteri sezonal që parashtrohet marrëveshja për legalizimin e emigrantëve, e firmosur dje në Tiranë, pa dyshim që shikohet jo vetëm si një bombolë oksigjeni për qeverinë e re shqiptare në planin ekonomik, po mbi të gjitha mund të interpretohet edhe si një vlerësim për vijën e re në politikën e jashtme të vendit tonë, ku i jepet si asnjëherë tjetër prioritet marrëdhënieve me fqinjët. Po, veç marrëveshjes për punësimin sezonal të emigrantëve shqiptarë, që do të konsiderohej si legalizim i tyre, qoftë ky edhe i përkohshëm, delegacioni grek shtroi edhe kërkesën për hapjen e një konsullate në qytetin e Vlorës si dhe hapjen e shkollave private greke në Shqipëri. Madje kjo e dyta ka qenë njëri nga problemet, i cili shpërtheu herë pas here për të prishur klimën e ngrohtë të marrëdhënieve shqiptaro-greke. Duke pasur parasysh këtë, të krijohet përshtypja se kjo mund të jetë kërkuar nga grekët si një shpërblim në shkëmbim të legalizimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Pranimi i dy kërkesave të fundit pa dyshim që do t’i shërbejë opozitës për të sulmuar qeverinë nga pozita nacionaliste. Po në rast se qeveritarët shqiptarë udhëhiqen nga ajo që quhet “realpolitikë”, nuk ka pse i druhen nxjerrjes së një ligji për lejimin e shkollave të huaja private në Shqipëri. Krahas shkollave greke, fare mirë mund të hapen shkolla italiane apo të ndonjë vendi tjetër, dhe kjo do t’i mjaftonte për të qetësuar ata të cilët i tremben greqizimit. E rëndësishme për politikën e jashtme shqiptare është shmangja e krizave në marrëdhëniet me të gjithë fqinjët, për të mos u mbytur peng vetëm në odën e ndonjërit prej tyre. Qenia në akord me të fqinjë njëkohësisht, është një hap drejt largimit nga tradicionalizmi në diplomacinë shqiptare. K.J.
Meksi, Shehu, Brojka - Divorci i rradhës
PS si PD, në drejtim të TV
Mbrëmë në parlament zgjidhet Këshilli i ri i RTSH
Dje u zhvillua seanca parlamentare për shtimin me 10 anëtarë të tjerë të Këshillit Drejtues të RTSH.
Nga 11 anëtarët e vjetër Luan Rama do të dorëhiqet, pasi nuk përputhet mandati i deputetit me qenien në Këshillin Drejtues të RTSH. Megjithëse, sipas ligjit dhe rregullores së parlamentit, kandidaturat për këshillin e ri drejtues duhet të propozohen nga Komisioni Parlamentar i Masmedias, nuk u veprua kështu. Dhjetë minuta para se të fillonte seanca për këtë problem të rëndësishëm një prej monës së sekretarëve të parlamentit i kërkon deputetit Nikollë Lesi, në cilësinë e sekretarit të Komisionit parlamentar të Masmedias, që të firmosë një shkresë, ku thuhej se ishte mbledhur Komisioni parlamentar i mas-medias(!) i cili kishte miratuar kandidaturat në fjalë. Por, në të vërtetë komisioni nuk ishte mbledhur dhe sekretari Lesi nuk kishte asnjë dijeni për kandidaturat. Duhet theksuar se gjatë gjithë paradites së djeshme Nikollë Lesi kishte pritur për t’u mbledhur Komisioni, por asnjë përfaqësues nga PS nuk kishte ardhur. Menjëherë, sapo filloi seanca parlamentare sekretari i këtij komisioni denoncoi ashpër formën me të cilën është vepruar nga shumica parlamentare socialiste e këtij komisioni ku kandidaturat për këshillin drejtues të RTSH ishin kaluar fshehurazi, në ilegalitet. Kryetari i parlamentit, Gjinushi, i ndërpreu fjalën deputetit Lesi, por ky i fundit, me insistim e kërkoi përsëri fjalën për të denoncuar këto veprime, për të cilat deri tani është kritikuar PD. “Është fjala për kandidaturat e një institucioni shumë të rëndësishëm, cili ka krijuar një imazh të keq në popull, ndaj nuk mund të lejojmë që mazhoranca të bëjë në gabimet e kaluara të PD-së. Unë mendoj që të pezullohet seanca dhe të diskutohen kandidaturat e paraqitura fshehurazi”. Pas kësaj kryetari Gjinushi pezulloi seancën. Në komisionin e masmedias u diskutua gjatë, duke pezulluar për 1 orë e gjysëm punimet e parlamentit. Duhet pranuar se shumica e kandidaturave, të cilat u miratuan me shumicën votash nga parlamenti janë të paaftë profesionalisht dhe shquhen vetëm për militantizëm partie.
A.cj
Nano e Pangalos dje në kryeministri. Foto GENT SHKULLAKU