Sinjale të reja nga PD
Në këtë periudhë të tensionimit të situatës politike, është një fakt jashtëzakonisht pozitiv që nga PD, po vijnë sinjale për nevojën e një dialogu.
Kjo tregon se në këtë parti është ende gjallë fryma konstruktive, për të spostuar politikën nga rruga në tryezat e bisedimeve. Kjo, ndërkohë që nuk po mungojnë qëndrimet kritike ndaj politikës së bojkotit të parlamentit, si brenda ashtu dhe jashtë vendit.
Falë sinjaleve të tilla, figura të njohura të PD, si sekretari organizativ, z.Vili Vjesiu, kanë shprehur pëlqimin lidhur me dobësinë e një tryeze ndërmjet partive të ndryshme, nën drejtimin e presidentit Meidani. Po kështu ish-kryetari i kësaj partie, Tritan Shehu, nuk ka ngurruar të prononcohet se “tryeza dhe dialogu janë elemente që mund të çojnë në stabilitetin e vendit”. Madje ai e konsideron fillimin e dialogut si një emergjencë. Duke reaguar me realizëm, Shehu apo Vjesiu, vënë në dukje faktin se dialogu, pavarësisht nga rezultatet, është gjithmonë pozitiv. Pro tryezës është shprehur dje edhe deputeti Pjetër Arbnori, i cili ka kërkuar lirí dhe respektim të fjalës së opozitës.
Deklarime të tilla të liderëve të PD, janë shpresëdhënëse për normalizimin e situatës aktuale. Në radhë të parë, duke pranuar presidentin Meidani si një arbitër të paanshëm në tryezat e partive, liderët e PD që janë në favor të dialogut, e vlerësojnë sinqeritetin e zoti president, duke mos ushqyer asnjë dyshim për shkelpëutjen e tij nga partia, në të cilën ai militon jo më shumë se një vit. Së dyti, ekzistenca e një rryme të fuqishme në gjirin e PD në favor të dialogut me kundërshtarët politikë, tregon se kjo parti jo shumë larg do të jetë një forcë politike e emancipuar, e aftë për të përballuar sfidën e alternativës me socialistët dhe partitë e tjera që janë aktualisht në pushtet. Së treti, kthimi tek dialogu dhe tryezat do të jetë një goditje tepër e rëndë për fanatikët dhe rrymat revanshiste që militojnë akoma në gjirin e dy partive më të mëdha të vendit, të cilat përfaqësojnë politikën shqiptare tani për tani.
Pas prononcimeve të tilla të ardhura nga një pjesë e lidershipit të PD, është detyrë imediate e PS që t’u përgjigjet pozitivisht hapave të tilla, të ardhura nga krahu tjetër. Kështu, p.sh. PS të arrdhura e saj që kanë shumicën në parlament do të ishte mirë të modifikonin projektet e tyre për miratimin e kushtetutës duke e spostuar një pjesë të procesit në tryezat e përbashkëta me PD dhe partitë e tjera, qofshin këto edhe joparlamentare. Por pavarësisht nga ato që janë vendosur në të kaluarën është mirë që kushtetuta të nisë udhëtimin e saj drejt miratimit, nga tryeza ndërmjet partive.
GAVROSH LEVONJA