Policia dhe kuadri
NGA ALFRED PEZA
Pak orë pasi ka dalë nga zyra Kryeministrit, në fundjavën e kaluar, Drejtori i Kuadrit në ministrinë e Brendshme shqiptare, ka dhënë dorëheqjen. Nuk dihet ende se çfarë është biseduar prapa dyerve të rënda të Fatos Nanos, përveç faktit se kur u ul në tavolinën e tij të punës, Nikollë Rica hodhi firmën e fundit mbi shkresat zyrtare. Ky është një akt qytetar gjithëseci, por që kurrë nuk mund të kalojë kaq lehtë. Kjo, pasi ai ka hedhur qindra firma në 6 muajt e fundit, për politikën e kuadrit në diktasterin delikat. Politikë, nga e cila janë varur më shumë se çdo gjë tjetër, edhe fitoret e dështimet e kësaj pjese të programit të qeverisjes së majtë.
Rezultatet e deritanishme të punës së policisë nuk lidhen kurrsesi me emrin e një njeriu të vetëm, qoftë ky edhe shefi i kuadrit. Në fund të fundit, ai, si të gjithë homologët e tij, është marrë vetëm me anën burokratike të problemit. Nuk besohet se është faj i tij, që në ministrinë e Brendshme u ngritën në përgjegjësi njerëzit që udhëhoqën operacionet kundër opozitës dhe qytetarëve gjatë manifestimeve paqësore të tyre nga 28 maji ’96 deri më 29 qershor ’97. Shkëlësit e ligjeve, konventave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe torturuesit e gazetarëve, politikanëve dhe njerëzve të thjeshtë, janë emra konkretë që vazhdojnë të qetë punën e tyre. Në rast se “regjimi i Berishës” u bë “gangster”, më shumë se çdokush tjetër për këtë ndihmuan këta “specialistë” të policisë dhe SHIK.
Çdo qytetar i thjeshtë shqiptar, që të pajiset me pasaportë, duhet të marrë vërtetime nga prokuroria e gjykata, që nuk është në ndjekje penale. Ndërsa Neritan Ceka e Ndre Legjisi, bëjnë të ditur se ish Komisari i Tropojës ishte person në kërkim, vetëm pasi ai vrau vartësin në zyrë. Ose përse duhet të ndodhi një rebelim i tipit të Shkodrës që ministria të bëjë biografi e ish punonjësve të policisë? Shpjegimi është shumë i thjeshtë. Nuk zbatohen kriteret ligjore dhe të “meritokracisë” për emërimet e tyre. Kush do të përgjigjet për këtë? Pas kësaj, nuk ka se si qytetarët të mos besojnë se “për të zhvilluar kontrabandën dhe shpërdorur njerëzit që i ndihmuan në fushatë elektorale”, pushtetarët emërojnë në krye të policisë njerëzit e tyre.
Sekretari i Shtetit për Politikën e Mbrojtjes, Perikli Teta, është politikani i parë në pushtet, i cili nuk mund të jetë zëdhënës i vetëm për emërimet e fundit në polici. Shqiptarët nuk duan që krimin e të vazhdojë të jetë lajme të para në gazeta, TV e radio. Për këtë ka natyrisht një faj. Ministria e Brendshme duhet të merret me komandimin e qeverive të saj, vetëm mbi bazën e kritereve profesionale dhe morale.