Loja me shtetin
NGA ALFRED PEZA
Shteti shqiptar e ka humbur bastin me drejtësinë. Bast që kishte ditë që qarkullonte në korridoret e kancelarive të saj dhe PD. E për këtë, dje kanë mjaftuar vetëm disa minuta, kur u shfry me zhurmë, dosja më e fryrë e Prokurorisë. Gjykata e shkallës së tretë, i ka hequr prangat të gjithë të akuzuarve për ngjarjen e Milotit, duke i lënë ata të hetohen në arrest shtëpie. Konfrontimi disa orësh i 18 shkurtit ndërmjet një grupi njerëzish dhe policisë, i kishte hequr imunitetin deputetit të PD Azem Hajdari, që ndodhej në krye të tyre. “Vendim për të frenuar zbatdhjen e të vërtetës për ngjarjen më të rëndë të kohëve të fundit”, e ka quajtur vendimin e Kasacionit, Prokurori i Republikës, i pasuar nga ministri Ceka se “Kasacioni është një çerdhe kriminelësh”.
Deklarata të tilla për precedentën “Miloti”, nuk dëgjohen për herë të parë. Nga ajo natë e trazuar krismash, kur u arrestuan 14 vetë, ende tingëllojnë thëniet e Cekës se ata ishin kriminelë, njerëz që kishin ushqyer me naftë kontrabandën, apo se kishin lidhje me ngjarje ku kishin të gjitha UDB jugosllave. Veç kësaj, u aludua se të ndaluarit kishin lidhje me grabitjen e bankës së Tropojës, apo me trazirat e mëparshme në Shkodër dhe terrorin në Gjirokastër. Ministria e Brendshme shkoi më tej, në thirrjen për qytetarët, të cilët duhet të ruheshin nga ish-bodigardi i Berishës, Izet Haxhia, që është akuzuar si pjesëmarrës në ngjarje, ndëkohë që ai jepte nga shtëpia intervista për gazetartë.
Nën euforinë e arrestimeve të bujshme, shteti luftonte me deklarata-pretencë, ndërsa gjykatat kishin liruar tre prej të akuzuarve, derisa dje lanë qelët edhe 11 të fundit. Por edhe pas kësaj, u vrapua përsëri që lufta kundër kriminalitetit të vazhdohej me deklarata. Ashtu si dikur Berisha që për çdo dështim apo krim bënte fajtor Sigurimin e Shtetit, Qeveria “Nano” e ka gjetur alibinë e saj: “Fajtor për çdo dështim në drejtësi, janë njerëzit e PD”.
Askush nuk mund ta besojë se 9 muaj janë pak për të reformuar në pikëtat kryesore vertikale e drejtësisë. Shteti, një shtet i vërtetë, nuk mund të mos e arrijë me të gjitha mjetet ligjore, të bëjë atë që do. Këtë e kanë ditur edhe togat e zeza që dhanë vendimin e djeshëm. Madje ato e kanë ditur edhe proverbin e vjetër se me shtetin nuk luhet. Megjithatë, Kasacioni dje vendosi të luajë edhe me shtetin. Këtu nuk ka vend për shumë pikëpyetje. Vendimi i djeshëm tregon se ky shtet ose është lodër dhe nuk tremb askënd ose se shteti dika ka dashur të luajë me vetveten. Por kur shteti vendos të futet në këtë lojë, nuk mund të dalë dot më.