Fino akuzon Meidanin
“Presidenti po krijon institucione paralele”
President apo këshillues
“Presidenti po krijon institucione paralele” Faqe 3
President apo këshillues
NGA ARBAN HASANI
Kontrabanda ka rizgjuar polemikat e forta mes institucioneve kryesore të shtetit shqiptar. Jo më për përmasat e saj apo për luftën që i bëhet fenomenit të shumëfolur. Në mbledhjen e fundit që Presidenti Meidani ka bërë me drejtues të administratës së lartë shtetërore për këtë problem, është harruar të thirret kryetari i Komitetit Antikontrabandë, zv/kryeministri Bashkim Fino. Një pakujdesi protokollare që më shumë se rastësore, duket se ka lidhje me një praktikë të re që po përdoret në presidencën shqiptare: Zhvillimi i mbledhjeve, takimeve apo diskutimeve pa asnjë fuqi vendimmarrëse, të ngjashme me tryezat e intelektualëve jo shtetërorë, ku edhe mund të “harrohet” një prej shefave të qeverisë.
I gjendur pa fuqitë e paraardhësit, Meidani është nisur së fundi të diskutojë për thembrën e Akilit të administratës së re, kontrabandën, duke parapërgatitur takimin e tij vetëm si një show propagandistik. Fakti që kësaj shfaqjeje i kanë munguar protagonistët kryesorë të saj, institucionet ku dhe zhvillohet lufta ndaj fenomenit, (veç Komitetit të Finos edhe Divizioni XXN), tregon më së miri se çfarë raportesh janë paraqitur në tryezën e Meidanit. Si edhe çfarë llogari i është kërkuar ministrave të Brendshëm dhe të Mbrojtjes apo shefave të shërbimeve të fshehta. Pjesa e mbetur ka qenë një lojë tjetër demagogjie, që në rastin e fundit u quajt “përgjegjshmëri për detyrën dhe punën konkrete”.
Duke dashur të marrë pozicionin e një institucioni të paanshëm dhe mbi të tjerë, Presidenti në shumë raste është larguar prej thelbit të konflikteve shqiptare. Ai ka heshtur edhe kur për krizën politike, arbitrin e ka bërë përfaqësuesi i OSBE në Tiranë, apo janë dashur delegacione evropiane për paqen politike. Në 8 muaj pushtet, Meidani nuk ka thirrur asnjë prej liderëve partiakë për gjetjen e një gjuhë të përbashkët mes pozitës dhe opozitës, kur OJQ-të, grupet konsultative dhe mbledhjet këshillimore me të tretët kanë qenë preokupimi kryesor i punës së kryetarit të shtetit.
Megjithatë takimi i fundit ka bërë një “ndryshim”. Ai sërish ka qenë i ngjashëm përsa i përket pjesëmarrësve me mbledhjet e OJQ-ve dhe nuk ka shërbyer për parandalimin e kontrabandës, por ka çuar në një konflikt të kote institucionesh. Reagimi i zv/kryeministrit Fino e provon një gjë të tillë. Por edhe protokolli i presidentit Meidani, nxitimi i të cilit ka lënë shijen e një institucioni pa peshë, që konsideron si punë vetëm takimet konsultative.