Ulen armët në PS: Majko paqe me Nanon
Shuhet lufta e klaneve socialiste: Bashkë jemi më të fortë
Dje mbledhja e KPD. Harrohet votëbesimi i kryesisë socialiste
faqe 3-4
OPOZITA bashkon PS-në
Duke u nisur nga përplasjet e ashpra të javëve të fundit ndërmjet grupeve që aspirojnë të fusin nën kontroll lidershipin e PS-së, mendohej se edhe mbledhja e djeshme e KPD do të ishte një vazhdim i këtyre kontrasteve, të karakterizuara nga shkëmbime reciproke akuzash deri dhe fyerjesh, siç kishte ndodhur në ndonjë rast gjatë këtyre muajve të fundit, që me ikjen e Nanos nga kreu i qeverisë.
Madje, mendohej se mbledhja e djeshme do të ishte një rast i përshtatshëm për të matur forcat në një provë gjenerale para kongresit të dy “grupet” rivale. Por, nuk ndodhi kështu. Palët kundërshtare, dje u shquan për tolerancë dhe arritën me lehtësi në gjetjen e konsensusit të munguar prej kohësh. Kështu, edhe ato argumenta që kishin shërbyer si “mollë sherri” në gjirin e PS-së, si data e zhvillimit të kongresit të ardhshëm apo kërkesa për votëbesimin e kryesisë, mbetën në hije a thua se kishte ekzistuar gjithnjë mendimi unik lidhur me to. Ndjesia e shumëpritur midis grupeve të Nanos dhe Majkos u reduktua në një garë ligjëratash moralizuese ku nuk mungonte terminologjia me fjalë të bukura në adresë të vetë partisë si “bashkëpunim”, “bashkëndarje idesh”, “diversitet mendimesh” etj. Megjithatë, duke gjykuar nga rrjedha nëpër të cilën kaloi mbledhja e djeshme të krijohej përshtypja për një farë tërheqjeje të Nanos dhe grupit të tij. Fakt është se kërkesat kryesore që kishin qenë në qendër të polemikave të këtyre kohëve, si votëbesimi i kryesisë nuk u morën parasysh dhe zhvillimi i kongresit para vjeshtës. Por më e besueshme është hipoteza, sipas së cilës, të dy krahët e kanë kuptuar se vazhdimi i grindjeve do të çonte në një rënie të ndjeshme të prestigjit të tyre në radhët e bazës së partisë. Kjo sepse socialistët e thjeshtë vështirë se mund të qetësohen nga termat politike bashkëkohore si “fraksioni”, “diversiteti i mendimeve”, “përplasja e ideve” etj. Duke pasur parasysh epideminë e abuzimeve dhe përfitimeve personale që ka kapluar klasën politike shqiptare, socialistët në bazë janë të prirur të mendojnë se krerët e tyre më shumë se për ide dhe parime grinden për të futur diçka më shumë në xhep. Në këto kushte, për këdo që do të fitonte, kjo do të ishte si ajër “fitore e Pirros”. Partia do të dobësohej me tej, gjë që do të favorizonte opozitën. Madje, gjallërimi i opozitës tani së fundi, disa lëvizje së saj, si deklaratat për t’u rikthyer në Parlament, kërkesat për një qeveri tjetër dhe sidomos rikthimi tek ideja e zgjedhjeve të reja duket se kanë sjellë në vete Nanon, Majkon dhe të tjerët për të bashkuar forcat kundër PD-së.
Majko dhe Nano tani serish si dikur ...
Milo s’ndalon dot fshesën greke
Në gjithë Greqinë vazhdon fushata antishqiptare
Athina: Operacionet tona kundër kriminelëve dhe ilegalëve
“Unë nuk jam dakord me disa veprime të nxituara të policisë greke. Unë jam kundër shkeljes së të drejtave njerëzore, megjithëse mendoj që gjëja kryesore është gjetja, zbulimi dhe ndalimi i elementit kriminal ...” tha Kryeparlamentari grek Kaklamanis.
Në Selanik një grua shqiptare ka abortuar e vetme në shtëpi nga tmerri i kontrolleve të policisë. Kudo në terren, autobuzë e lokale policia ndjek dhe i vë prangat çdo emigranti shqiptar që gjen. Ndërsa në Kakavijë dhjetra të rinj tregojnë plagët e dhunës së policisë greke.
faqe 2, 11