20/11/1999
Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Koha Jonë

20 nëntor 1999

Mbrëmë Athina në flakë kundër Klintonit

Sipas agjensisë angleze të lajmeve “Reuters”, është djegur nga demonstruesit edhe një makinë e shoqërimit të Presidentit të SHBA Dhjetra mijë protestues në kryeqytetin grek djegin 10 banka, makina, dyqane dhe zyra në shenjë proteste ndaj vizitës së Presidentit Amerikan në Greqi faqe 2

Një polic grek duke shuar flakët para ambasadës Amerikane në Athinë

Një polic grek duke shuar flakët para ambasadës Amerikane në Athinë

Shkarkohet nga Angjeli, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Maçi

Pushhonen nga puna edhe Drejtorët e Doganave Kakavije dhe Qafë Thanë Fortunë minoritare në doganat e korruptuara shqiptare - faqe 15 -

Antiamerikanizmi grek dhe politika proamerikane e Metës

Antiamerikanizmi që u shfaq hapur në Greqi pas iniciativës së Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë për të ndëshkuar Millosheviçin duket se do të jetë diçka permanente që pak ka të bëjë me serbët dhe Serbinë. Që nga ajo kohë, në mënyrën më absurde shumica e opinionit grek, e inkurajuar dhe nga qarqe të caktuara politike i ka fryrë histerisë antiamerikane. Kështu, ndërsa flitet se amerikanët ishin të pasigurtë në Shqipëri, atentatet kundër qendrave të ndryshme të SHBA janë kryer në Greqi. Si pasojë e kësaj atmosfere, vizita e paralajmëruar e Presidentit të vendit që vendos për fatet e botës është bërë shkak për protesta banale, të cilat e kanë detyruar qeverinë e Athinës të marrë masa të jashtëzakonshme sigurie. Por, dje kur avioni “Air Force One” prekte pistën e aeroportit të Athinës, në vend që të fashitej fryma antiamerikane mund të thuhet se ajo arriti kulmin e saj. Presidenti amerikan Klinton, edhe pse deklaroi: “Jam mik i Greqisë”, nuk arriti të qetësonte shpirtrat e trazuar grekë, të cilët nuk dihet çfarë kërkojnë. Nëse mund të flitet sot për një farë zhvillimi të Greqisë, ai kuptohet thjesht, vetëm si pasojë e kontributit amerikan për zhvillimin e Europës. Ndosh­ta më mirë se kushdo një realitet të tillë e njohin përfaqësuesit e lobit grek në Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë bërë jo pak për vendin e tyre duke trokitur në dyert e institucioneve të shtetit amerikan. Por, duke lënë mënjanë efektet në raportet e Athinës me Uashingtonin, në marrëdhëniet e saj me Perëndimin, apo dhe me vendet e rajonit, antiamerikanizmi grek duhet të tërheqë vëmendjen edhe të politikës shqiptare. Realiteti i mësipërm çon në një rishikim të detyrueshëm të orientimeve të politikës së jashtme shqiptare. Do të ishte gabim të pretendohej që Tirana të bëjë “divorc” me Athinën, apo të zinte vendin që ka pasur për shumë kohë në politikën amerikane, por ama kjo do të thotë një ndryshim raportesh në aspektin e marrëdhënieve me fqinjët. Tashmë duke pasur parasysh faktin që Italia është anëtare e “shtatëshes” dhe rolin e faktorit turk nga Azia Qendrore deri në Ballkan, nuk ka pse të hezitohet për të dhënë përparësi intensifikimit të lidhjeve me Malin e Zi dhe Ankaranë. Kuptohet, pa neglizhuar Bullgarinë dhe Maqedoninë, si vende të përfshira në boshtin horizontal, rëndësia e të cilit rritet së tepërmi me ndërtimin e Korridorit Tetë dhe shtimin e tubacioneve të naftës së Kaspikut deri në bregdetin shqiptar. Dhe duke folur me gjuhën e perspektivës askush nuk ka pse i trembet në këtë rast akuzave për “klientelizëm”. Gjithsesi aleati strategjik i Shqipërisë do të mbetet edhe për shumë vite SHBA, ndaj, siç u shpreh edhe kryeministri Meta, duhet të ndryshojë politika e jashtme në favor të boshtit Romë-Uashington. Ndonëse në Athinë Klintoni u prit ftohtë, në Tiranë ai do të pritet me lule, nëse do të vinte.