18/03/2000
Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Koha Jonë

18 mars 2000

Ministrat në Tiranë, fëmijët dhe familjet tyre jashtë Shtetit

Çfarë morali kanë politikanët dhe qeveritarët e mazhorancës për ta drejtuar Shqipërinë, kur njerëzit e tyre i kanë larguar nga Atdheu? Presidenti Meidani, Kryetari i Parlamentit Gjinushi, Kryetari i PS Fatos Nano, zv/kryeministrja Çeço, Ministri i Jashtëm Milo, Ministri i Mbrojtjes Hajdaraga, Ministri i Rendit Poçi, Ministri i Arsimit Ruka, etj, të gjithë një këmbë në Shqipëri dhe tjetrën jashtë Shtetit. A kanë moral ata për të drejtuar vendin?!

Të gjithë kundër shqiptarëve ekstremistë

Faqe 5 Stojanov, Orban, Robertson dhe Meta dje në Hungari foto REUTERS

Thesari i emigrantëve

Dy ditë më parë mediat greke njoftuan se emigrantët shqiptarë në Greqi kishin pësuar humbje të konsiderueshme si pasojë e luhatjeve të bursës në Greqi. Gjithë kjo është pasojë e asaj që shqiptarët tashmë, pothuajse të gjitha kursimet e tyre preferojnë t’i depozitojnë në bankat e vendit ku punojnë, në këtë rast në bankat e Greqisë. Natyrisht, mungesa e sigurisë në vend, mbi të gjitha në institucionet bankare shqiptare ka bërë që emigrantët, kursimet e tyre t’u a besojnë bankave të huaja. Shtoji kësaj dhe humbjet e kapitalëve të një pjese të madhe të tyre me rënien e piramidave. Por rasti në fjalë nxjerr në pah diçka tjetër, konkretisht, indiferencën e Shtetit shqiptar qoftë për emigrantët, qoftë dhe përsa i përket thithjes së kursimeve të tyre në Shqipëri. Në fakt, frika e emigrantëve për t’i sjellë kursimet në Shqipëri nuk lidhet vetëm me mungesën e sigurisë, por mbi të gjitha me paaftësinë e Shtetit shqiptar për të krijuar terrenin e nevojshëm që këto kursime të shfrytëzohen, fjala vjen, në ndërtimin e infrastrukturës së vendit. Natyrisht, duke u dhënë atyre të drejtat që u takojnë në shfrytëzimin e objekteve që do të ndërtoheshin me paratë e tyre, siç mund të ishte, fjala vjen, vjelja e taksave gjatë kalimit në një rrugë të ndërtuar në këtë mënyrë. Nëse do të bëhej një llogari e përafërt, duke marrë parasysh se nëpër botë jetojnë e punojnë rreth 800 mijë emigrantë shqiptarë si dhe duke pranuar që secili kursen minimalisht 5 dollarë në ditë nga paratë e fituara, i bie që brenda një dite të jenë kursyer afërsisht 4 milionë dollarë në ditë. Vetëm për një shumë të tillë, zyrtarëve shqiptarë u duhet të trokasin me muaj nëpër dyert e institucioneve financiare apo kancelarive të vendeve perëndimore. Por, duke vazhduar llogaritë del që në një muaj në duart e emigrantëve të mbeten 50 milionë dollarë dhe, në një vit, 600 milionë dollarë. Pra pak a shumë aq sa ju premtuan Fatos Nano tre vjet më parë në Romë, por që akoma nuk janë dhënë. Pra, paratë e emigrantëve që po qarkullojnë pa qenë nevoja për “amnistinë fiskale” që do të ishte ligjërim i paligjshëm. Por, lidhur me këtë, të çudit fakti, që në fushatën e këtyre javëve të fundit ndërmarrë nga opozita për ta vënë Qeverinë me shpatulla pas muri, nuk ka folur as edhe një fjalë të vetme për këtë problem. Ndoshta dhe demokratët e Berishës e ndjejnë veten të paaftë t’i garantojnë paratë e emigrantëve shqiptarë në investime serioze për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit.

Pushtetarët dhe morali i tyre politik

Gazeta “Koha Jonë” hap rubrikën: “Cilët pushtetarë, qendrorë dhe lokalë, i kanë fëmijët dhe familjet jashtë Shtetit”? Duke filluar nga java e e ardhshme “Koha Jonë” do të botojë emrat e politikanëve, ministrave, deputetëve, kryetarëve të bashkive, prefektëve, drejtorëve të policisë dhe titullarëve qendrorë, të cilët nga njëra anë qeverisin në Shqipëri duke u bërë moral shqiptarëve që të punojnë e jetojnë këtu, ndërsa nga ana tjetër fëmijët dhe familjet e tyre i dërgojnë jashtë shtetit për të studiuar ose banuar.