Fushatë dhe plehra
Nga ALFRED PEZA
Në ditën kur PS-ja dhe PD-ja ndezën motorët e fushatës së pasparlamentare të zgjedhjeve lokale, qindra ushtarë nisën të pastrojnë plehrat e Tiranës. Të parët që u vunë në rresht për këtë aksion ishin efektiva të Gardës së Republikës. Ata lanë për disa orë detyrën e tyre për mbrojtjen e personaliteteve politike dhe shtetërore. Ndoshta, jo se nuk kishin se ç’të ruanin. Por njerëzit që ata sigurojnë, pas 9 vjet paqë, një rrugë e rend të konsoliduar, të paktën duket se kanë vendosur që këtë radhë të na pastrojnë plehrat.
Gjithçka për këtë aksion ka nisur një javë më parë. Atëherë kur disa qeveritarë vendosën që “operacioni fshesa” të niste këtë të hënë, me pjesëmarrjen e disa qindra ushtarëve. Por shiu që ra atë pasdite e prishi planin. Ushtarët dhe kamerat u lajmëruan se gjithçka do të rifillonte të nesërmen. Dhe vërtet, disa makina u mbushën të martën me plehra që kishin vite që ishin pjesë e trotuareve dhe oborreve të dikastereve qendrore.
Plani qeveritar kundër plehrave, për ditën e djeshme, ishte edhe më ambicioz. Të paktën 1000 trupa, efektivë të Gardës, reparteve Speciale e Xhenios, do të pastronin ambientet në rrugët dhe kryqëzimet kryesore të kryeqytetit. Në një operacion të atij kalibri që duket se do t’u jepte fund maleve me plehra, që po na mbulojnë çdo ditë nga pak. Por i vetmi detaj i “Fshesës” që u realizua, ishte lyerja e disa pemëve me gëlqere. Për të na lënë me shpresën se pjesa tjetër do të realizohet me vonë. Pasi krerët e PS-së dhe qeveritarët, dje ishin të zënë me strategjinë e tyre “anti-Berishë”, për fushatën e zgjedhjeve. Veç ushtarëve, operacioni i pastrimit parashikonte pjesëmarrjen edhe të punonjësve të firmave pastruese të Tiranës. Por më të madhes prej tyre po i mbaron kontrata dhe ajo i ka harruar kazanët. Për pasojë, plehrat do të vazhdojnë t’i shtojnë togjet në anë të rrugëve. E kështu do të vazhdojë edhe për disa javë të tjera, derisa të përfundojnë procedurat e tenderave për firmën tjetër.
Në vend të zgjedhjeve institucionale, qoftë edhe të problemeve të plehrave, qeveritarët vazhdojnë të na ofrojnë vetëm projekte që realizohen me aksione. Të cilat gjithsesi na sollën ndërmend “Javën e Enverit”. Aksionet vulnetare aplikohen edhe në vendet perëndimore. Por ato kanë kuptim, kur mblidhen për shembull pemë, të cilat me një punë disa orëshe mund të na dhurojnë pas disa vitesh, një pyll apo një park. Ndërsa zgjedhja me aksione e çështjes së plehrave shqipëtare, në të njëjtën mënyrë siç po veprohet edhe për rrugët, nuk bën gjë tjetër, veçse i shton malet e tyre para shtëpive tona. Për këtë, mjafton t’u hedhim një sy rrugëve të Tiranës, për të parë edhe efektivitetin e “operacionit fshesa” të ndërmarrë këtë javë. Një aksion që koincidoi edhe me fillimin e fushatës elektorale për Zgjedhjet Lokale. Një koinçidencë që parathotë horoskopin e vazhdimit të një tranzicioni, të mbushur me fushata fjalësh, mitingjesh dhe... plehrash.