10/09/2000
Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Koha Jonë

10 shtator 2000

Nano karikohet me bateritë e Berishës

Fjalët e parafushatës se “do të jemi të civilizuar në fushatë” të thëna nga lideri Nano, u harruan sapo ai zbriti nga “Benzi” i tij dhe ra në baltën e qyteteve të Shqipërisë së Mesme. Ndërsa lideri i PD-së nuk solli asgjë të re në fjalorin e tij. Ai po thotë atë që ka thënë tash tre vjet: “Kusari Nano dhe kriminelët në pushtet duan rruspa”. Pra, qytetarët shqiptarë, të rotuar nga hallet e jetës së vështirë, po marrin këto ditë narkozën e rëndë të leshuar nga dy partitë e mëdha. Votuesit, në vend që të dëgjojnë plane, projekte për të ardhmen apo të kenë kohë për t’u menduar deri më datë 30 shtator, janë vënë nën presionin e militantizmit partiak, dikush me Berishën e të tjerë me Nanon. Dy të mëdhenjtë e politikës së këtyre 10, viteve e ashpërsojnë luftën për të hyrë në lojën e eliminimit të një alternative tjetër për të mbajtur, në këtë mënyrë, kontrollin e politikës vendase e atë të huaj për Shqipërinë. Shumica e njerëzve duan, të paktën, të dëgjojnë për një ditë më të mirë, edhe nëse nuk e besojnë, përsëri duan të dëgjojnë me veshët e tyre atë që quhet shpresë për një të ardhme të sigurtë për fëmijët. Ata nuk duan që të dalin në mitingje dhe të dëgjojnë për “rruspa”, “kriminelë”, “kusarë”, “bisha”, etj., pasi edhe pa i përmendur i kanë përditë para syve. Njeriu kur shkon në një takim elektoral, dëshiron të pyesë apo edhe të entuziasmohet nga fjala e atij që ai e quan lider të besimit të tij partiak. Ndërsa kur veshët i dëgjojnë fjalë fyese, mendja i verbohet, sytë i mjegullohen dhe nuk di se çfarë t’u thotë fëmijëve, nëse nuk kanë qenë, fatmirësisht, në miting. Nëse Berisha, duke qenë në opozitë me PS-në e me vetveten nuk e ndryshon oratorinë e rrugës, pse i moderuari Nano bie në lojën e liderit të PD-së? Berishën, aty e ka pasur tre vjet dhe nuk ka vënë në eficencë asnjë hallkë të pushtetit të drejtësisë për të gjykuar paaftësitë e tij, kurse këto ditë, që është fushatë elektorale e votuesit duan një premtim për rrugët, ujin, dritat, rendin, etj., lideri Nano karikohet nga bateritë e Berishës, bateri të cilat nuk e çojnë as deri tek “Rruga e Kavajës”. Pse kështu? Votuesit nuk duhet të harrojnë se pas fushatës dhe britmave të tyre gazmore, për ta do të fillojnë të qarët, ndërsa për Berishën e Nanon vjen e qeshura, paraja, dollari, shejtëtit e Nënës Botë, për t’u kthyer përsëri në fushata elektorale kur të kenë nevojë. E kështu me radhë: Nano e Berisha shajnë njëri-tjetrin, duke menduar që të qëndrojnë në politikë sa më gjatë, pasi votuesit janë verbuar nga fjalët e fushatave që nuk kanë të mbaruar e të sosur. Nga fjalët e egra përfitojnë vetëm të dy të mëdhenjtë, por humbin të vegjlit, ata që mbushin sheshet apo sallat e fushatës elektorale. Pra, edhe nesër, në të tjera mitingje ata do të shajnë, duke bombarduar njëri-tjetrin, për të thyer në Tiranë e, më pas, duke fluturuar në Rinas drejt Romës, Parisit, Washingtonit apo Athinës për të “drejtat” e popullit shqiptar. Të dy “përvelohen” për të përveluar e vërtetë që janë njerëzit e thjeshtë, të cilët, fatkeqësisht, votojnë qorrazi, pa e ditur se ku shkon e për kë shkon vota e tyre.

REUTERS Claudia Schiffer në festivalin e Venecias, Itali

Kandidati Fejzo: Më jepni votën që t’ju jap pushtetin e administrimit të Vlorës

Mbrëmë, miting i madh në Vlorë në prezantimin e kandidatit të pavarur faqe 4