01/10/2000
Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Koha Jonë

1 tetor 2000

PD feston fitoren dhe vë në dyshim rezultatin

PR: Nuk i njohim zgjedhjet në 16 komuna Rritet frika e mospranimit të rezultatit nga Opozita. Berisha pretendon mungesën e 40 për qind të votuesve në lista faqe 2, 3

Sot fjalën e ka pala e tretë

NGA ALEKSANDËR ÇIPA Dita e sotme ka dy fillime; mëngjesin e saj të zakonshëm dhe përcjelljen e parë të lajmit për rezultatin e Ditës së re elektorale. Të gjendur përballë dhe në ankthin e këtij fillimi të dytë, qytetarët shqiptarë mbartin gjendjen e dyfishtë të iluzionit të shndërruar në besim, por edhe të besimit të fituar për ndryshim. Gara e rezultatit, jashtë procesverbaleve, është panik i vërtetë, ashtu siç është i tillë edhe vonesa e mundshme e përllog- përllogaritjes. Palët konkuruese, në rendjen apo përshpejtimin e tyre, në të dy variantet, do të rezultonin të humbura për shkak të papërgjegjësisë. Në këtë terren të paragjykuar për qytetarët, versioni më bindës mbetet korrektesa e numëruesve dhe syçeltësia e vëzhguesve. Pra, fjala është për palën e tretë, atë që e ka ndjekur garën, por ka mbetur e ftohtë ndaj kësaj ndeshjeje deri në leximin e shifrës së fundit. Në këtë palë zyrtarisht është përfshirë sot në orët e para të mëngjesit diplomati i njohur amerikan Frouik dhe krejt trupi diplomatik në Tiranë. Ndërkohë që struktura e saj është shpallur më e plotë përmes misionarëve të OSBE-së, ODIHR-it dhe vëzhguesve të tjerë ndërkombëtarë. Në pikat më nevralgjike të vendit, por me efekt lehtësueshëm për rezultatet paraprake, do të ndodhen sot vëzhgues dhe përfaqësues të monitorimit të procesit zgjedhor. Kjo prezencë të shtyn të besosh se në vendin ku “nxitojnë gjindja para rezultatit”, kësaj here do të përjashtohet zhgënjimi. Enigma e këtij procesi edipian të politikës shqiptare e gjen sqarimin më së shumti tek kjo përfaqësi njerëzore. Dhe ky është rasti i fundit që i shtohet fatkeqësisë sonë “për arbitër”. Fjala e arbitrave, që do të vijë para ngutjes makakute të selive politike, së paku të mos tjetërshet apo përkthehet keq, pasi zhgënjimi prej saj, do të na kthente përfundimisht në shembullin e “vendit politikisht të paqeverisur”. Respekti ndaj numërimit të votave dhe njëherësh respektimi i bindjes shifrore të votave, do të ishte për qytetarin tonë afirmimi i parë i këtij lloji. Në këtë pikë do të zërë fill “mandati i ri” i qeverisjes me besim. Jashtë skemave të hamendësuara dhe jashtë kulisave që pjellin rrenën, pranimi i institucioneve të votës do t’i jepte Shqipërisë ditën e re të evolucionit real politik. Në të kundërt do të mbetemi aty ku kemi qenë, banorë të largët të kontinentit ku shkelim. Dhe faji pas kësaj mbetet vetëm yni dhe i atyre që na sundojnë politikisht, tash 10 vjet.

[Ilustrim: një cung me dy duar që bëjnë shenjën e fitores dhe një filiz që rritet nga trungu.]

Sot votohet, sot fitohet, nesër më mirë..., pasnesër edhe më keq