Shirat shkaktojnë përmbytje të mëdha në disa rrethe
KOMUNIKATË QEVERISE MBI GJENDJEN DHE MASAT E MARRA NË ZONAT E PERMBYTURA
Si pasojë e reshjeve të shumta dhe të vazhdueshme në disa rrethe të vendit ka patur përmbytje. Sipas të dhënave deri në mesditë, gjendja paraqitet si vijon:
Në Shkodër: Janë përmbytur rreth 5 mijë hektarë. Dëme më të mëdha ka pasur në fshatin Kuç, ku janë përmbytur 300 shtëpi. Në Bërdicë janë përmbytur 150 shtëpi. Përmbytje ka pasur edhe në fshatin Obot. Dëme në njerëz dhe në bagëti nuk ka patur.
Në Lezhë: Është përfshirë nga përmbytja zona e Tales dhe një pjesë e zonës së Gjadrit. Përmbytje banesash nuk ka.
Në Krujë: Rreth orës 11.45 të ditës së sotme doli nga shtrati lumi Ishëm, duke përmbytur një zonë prej 200 ha, zonë e pabanuar.
Në Malësinë e Madhe: Janë përmbytur rreth 1 200 ha tokë dhe mbi 20 banesa, si dhe një pjesë e konsiderueshme e bazës ushqimore.
Është bllokuar rruga Shkodër-Lezhë tek ura e Bahçallëkut dhe lëvizja nga Shkodra per në Lezhë e Tiranë kryhet nëpërmjet Mjedës. Ndërkohë, nuk ka patur probleme në transportin hekurudhor.
Përsa i përket furnizimit me energji elektrike linja 220,110,35, 175, 53, në përgjithësi janë në gatishmëri. Prurjet orare janë 2 mijë metra kub në sekondë. Në hidrocentralin e Fierzës gjendja është normale.
Qeveria ka ndjekur me impenjim të veçantë gjendjen e krijuar dhe ka marrë të gjitha masat për të eliminuar pasojat dhe për t’iu gjendur pranë banorëve të zonave përkatëse.
Pranë shtabit të përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes është krijuar grupi për ndjekjen e gjendjes së krijuar. Janë vënë në gatishmëri komanda, shtabet, efektivat dhe teknika e DKShkodër, Shijak, DPU-ve, Regjimenti i MCR-së, Forcat Speciale dhe Brigada e Xhenjos me rreth 3 mijë forca e mjete për të ndërhyrë në çdo rast.
Në Shkodër janë dërguar dhe po veprojnë për t’i ardhur në ndihmë popullsisë 10 mjete të rënda shpëtimi, ushtarë specialistë nga Regjimenti MCR-së. Regjimenti i helikopterëve është vënë në gatishmëri të plotë për veprim megjithë kohën e keqe. Dy helikopterë vazhdojnë patrullimin në zonën e përmbytur dhe janë në gatishmëri në Shkodër për të vepruar sipas kërkesave të pushtetit lokal në atë zonë.
Janë evakuar me mjete lundruese të ushtrisë rreth 2 mijë persona nga Kuçi, Ajasmi dhe Bahçalleku,
Për eliminimin e defektit të linjës elektrike Fushë-Arrëz, Kalimash, Kukës, është dërguar një brigadë specialistësh. Ndërkohë, ndërprerjet në linjën e Rrilës në Lezhë janë riparuar.
Për prurjet e tepërta të ujit në Koman janë marrë masat e nevojshme. Poshkarkohet ujë nga tuneli i devijimit 1900 metra kub në sekondë. Të katërta turbinat punojnë me ngarkesë maksimale. Gjendja është nën kontroll.
Qeveria po ndjek nga afër dhe me seriozitet situatën e krijuar dhe po merr të gjitha masat e nevojshme për të eliminuarsa [?] jetë e mundur pasojat e krijuara.