Botuesit u përgjigjen me grevë prangave ekonomike të qeverisë
Deklaratë e Gazetave të Përditshme dhe Revistave Shqiptare
Sot, më datë 11 nëntor 1997, u mblodhën të gjithë botuesit dhe drejtuesit e gazetave të përditshme, si dhe revistave ku u diskutua situata e rëndë ekonomike e shtypit shqiptar, si pasojë e rritjes së TVSH-së dhe e detyrimeve të tjera fiskale mbi shtypin.
Kjo gjendje ka ardhur edhe si pasojë e rritjes marramendëse të tarifave të shtypshkronjave, e rritjes së tarifave të transportit të shtypit, i cili tashmë nuk përballohet nga asnjë organ shtypi. Gjithashtu, akoma shtypi nuk mund të shkojë te afro 60% e popullsisë shqiptare që banon në fshat, pa harruar se reklamat nëpër faqet e gazetave janë inekzistente, çka ka bërë uljen e ndjeshme të të ardhurave nga ky marketing.
Nisur nga gjendja e rëndë ekonomike, e cila do të çojë në falimentimin e të gjithë shtypit të shkruar, nisur nga kërkesat e herëpashershme të drejtuesve të shtypit për t’u takuar me ministrin e Financave apo me Kryeministrin për të diskutuar rrugëzgjidhjet, nisur nga përgjigjet mohuese të kabinetit Nano, të gjithë botuesit dhe drejtuesit e shtypit të shkruar shqiptar vendosën:
1- Me datë 15 nëntor 1997 të fillojë greva e paafat e të gjithë shtypit shqiptar, deri në zgjidhjen e problemeve konkrete të shtypit.
2- Botuesit dhe drejtuesit e gazetave kryesore ngarkojnë një komision prej katër vetësh të përbërë nga
- Shpëtim Nazarko
- Dalip Greca
- Ylli Rakipi
- Aleksandër Frangaj
që të negociojnë me qeverinë apo presidentin e Republikës për zgjidhjen e kërkesave të shtypit shqiptar.
3- I bëjmë thirrje të gjitha gazetave dhe revistave të tjera shqiptare që të solidarizohen me grevën tonë.
1- “Koha Jonë” Armand Shkullaku
2- “Republika” Dalip Greca
3- “ZP” Luan Rama
4- “Gazeta Shqiptare” Fatos Baxhaku
5- “Albania” Ylli Rakipi
6- “RD” Astrit Patozi
7- “Dita Informacion” Shpëtim Nazarko
8- “Shekulli” Koço Kokëdhima
9- “Bulevardi” Bejdo Malo
10- “Klani” Aleksandër Frangaj
11- “Hosteni” Ylli Çakalli
Tiranë, 11 Nëntor 1997