Meta thërret “xhindet” për të mbushur ujë
Nga Ilir Bushi
Thuhet se dikur në një fshat të largët të Skraparit, një karvan njerëzish kërkonin të kalonin në bregun tjetër të kanalinës, ku qarkullonte një bandë e egër grabitësish, me në krye një hajdut të quajtur Mustafa. Për këtë gjë ata u drejtuan kryeplakut të krahinës, për t’i kërkuar ndihmë, duke i thënë se ishin gati të paguanin taksë vetëm për t’i mbrojtur nga bandat e grabitësve. Kryeplaku, me një mirësjellje kalorsjake i premtoi se do t’i jepte për të shoqëruar karvanin, një kryetrim të quajtur Mustafa, pra pikërisht kryebanditin. Atëherë, karvanarët e gjorë, që ishin të bindur se do të viktimizoheshin pasi panë njëri tjetrin në sy i thanë kryeplakut, “të lutem ti vetëm atë Mustafën, përpiqu të mbash të lidhur dhe larg krahinës, sepse ne, kemi frikë vetëm prej bandës së tij, ndryshe mund të kalojmë normalisht qoftë edhe kundrejt një pagese”. Podje, Kryeministri Meta, i ka shpallur luftë të hapur korrupsionit, duke kërkuar bashkëveprim të gjithanshëm midis strukturave institucionale, në një kohë kur në Shqipëri mungojnë plotësisht institucionet. Duke luajtur rolin e shpëtimtarit, Kryeministri shqiptar ka kërkuar dje, të marrë në mbrojtje perspektivat e popullit shqiptar, duke i garantuar ata, me emër e ministrave të kabinetit të tij, të cilët “do të bëjnë gjithçka për mbrojtur pasurinë e popullit dhe të ardhmen e tij”. E vërteta lakuriqe tregon qartë se kombi shqiptar po traumatizohet çdo ditë, pasuria e tij po grabitet dhe pranvera e ardhmes po vonohet për shumë vjet. Për këtë gjë, Kryeministri përpiqet të fajësojë të gjitha elementet abstrakte të historisë së fundshekullit duke thirrur në ndihmë emrat e ministrave të kabinetit, në mbrojtje të njerëzve të traumatizuar. Në fakt, ajo që duhet të thënë është dhe hapur ka të bëjë me të vërtetën e madhe, se emrat e individëve dhe strukturave që përmend Meta, janë pikërisht një pjesë e konsiderueshme e arsenalit të atyre, që duhet të mbajnë përgjegjësi për tragjedinë e shkatërrimit të bandave. Për të nënshkuar kontrabandën, ndokta mund të mjaftojë respektimi i Kushtetutës, e cila e themeson qartë se “kontrabandistët dënohen në bazë të ligjit”. Por, kjo Kushtetutë është shkelur me dyja këmbët, në të gjitha rastet kur në akuzë kanë qenë përfaqësues të Qeverisë, ose mbështetës të saj. Si mund ta mbrojë qeveritarët e sotëm, shoqërinë shqiptare nga kontrabanda dhe korrupsioni, kur shumë nga ata, kanë dosje të hapura nëpër gjykata, për aferat e dyshimta? Balada e Gjetës tregon qartë se si një njeri që kishte frikë të mbushte ujë në pus, mori xhindet në ndihmë, por si u kthye nuk kishte se si t’i hiqte qafe ata. Pra thirrja e tanishme për të shpëtuar Shqipërinë është e shkurtër e alarmante: zoti Kryeministër, largoni xhindet nga pushteti për të minimizuar kontrabandën e për të vendosur një të ardhme të garantuar.