REPUBLIKANËT GJITHNJË MBROJTËS TË VLERAVE TË INDIVIDIT
E mbështetur fort në tri shtyllat e programit të saj: pronë, komb, ligj, Partia Republikane shënon njëzet vjet politikë aktive, sipas traditave më të mira kombëtare, si dhe duke u mbështetur në pragmatizmin e konservatorizmit euro-amerikan.
Si një forcë politike e konsoliduar, PR është përpjekur në këto vite t’u kthejë pushtetin qytetarëve, si mbrojtëse e vlerave të individit. Kjo gjë është bërë e mundur me një fushatë të vazhdueshme, të ndershme dhe bindëse për rikthimin jo vetëm të pronave dhe të rivendosjes së drejtësisë, por edhe në instalimin në rrugë institucionale të të drejtave themelore të njeriut, duke i ndërgjegjësuar qytetarët për të kërkuar nga shteti atë çfarë u takon, nëpërmjet formave demokratike dhe referendumëve barë popullore.
Republikanët shqiptarë kanë qenë të pranishëm në të gjitha tryezat për çështjen kombëtare, për institucionet demokratizimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Parimi republikan ka qenë dhe vazhdon të mbetet: Nuk mund të ketë demokraci pa shtet ligjor, pa konsolidimin e pronës, kthimin e saj tek i zoti dhe pa ndëshkimin e rëndë të krimit. Ishin republikanët ata që e kontestuan me forcë heqjen e dënimit me vdekje pas vendimit absurd të Gjykatës Kushtetuese dhe aprovimit nga Presidenca. Krimet monstruoze që po trondisin përditë jetën shqiptare janë dëshmi e qartë e vërtetësisë së pikëpamjeve republikane për këtë çështje, kundër antikushtetueshmërisë së veprimeve të pushtetarëve.
Aksioni politik i republikanëve është vënë përballë kapriçiove, paftësisë, primitivizmit, nepotizmit, amoralitetit dhe hipokrizisë së politikave që po ndiqen sot në Shqipëri. PR ka frymëzuar krijimin e një realiteti të ri opozitar, për shmangien e krizës së besimit për të dhënë mesazhe të qarta dhe alternativa qeverisëse. Ajo po luan përditë një rol konstruktiv për të dhënë mesazhe unifikimi të opozitës shqiptare për ta bërë atë më efeciente në betejën me të majtën e korruptuar. PR e ka zgjeruar veprimtarinë e saj edhe në arenën ndërkombëtare. Së shpejti ajo do ta shohë veten të anëtarësuar në formacionet ndërkombëtare të partive të djathta dhe të Qendrës së Djathtë.