03/03/1993
Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Koha Jonë

3 mars 1993

Ngjarjet po përsëriten si në një rreth

Kryeartikulli ynë Është një rast i rrallë, dhe pa dyshim edhe një fat shumë i keq, që në jetën e një njeriu, të një shteti e të një kombi, ngjarjet të përsëriten një për një, ashtu për ashtu, njësoj për njësoj. Fati më i keq është kur këto ngjarje përsëriten në një hark kohor të shkurtër. Pra në vendin tonë po ndodh pikërisht kështu. Pra në vendin tonë në këta dy vjet të proceseve demokratike, ngjarjet po përsëriten një për një, njëra pas tjetrës si në ditët e para. Po sjellim disa fakte, thjesht për të ndihmuar lexuesin që të zgjojë kujtesën e tij dhe ngjarjet e tij që i njeh vetë, ngjarje të përsëritura, pa dyshim. Vetëm pak ditë më parë morëm vesh se me një demonstratë e madhe njerëzish që protestojnë e demonstrojnë kundër politikës së sotme qeveritare dhe gjendjes së rëndë të jetës në vendin tonë, u zhvillua në qytetin e Fierit. Kjo ishte njësi si demonstratat e mëdha që zhvilluan po ata njerëz dy vjet më parë për të rrëzuar regjimin e vjetër komunist në Shqipëri dhe për të hyrë në një jetë më të mirë. Njësoj si dy vjet më parë kur në Shqipëri sundonte ligji kundër demonstrimit ndaj qeverisë, në demonstratën në Fierit u arrestuan shumë njerëz si dhe u dëbuan të tjerë. Njësoj si dy vjet më parë kur Komiteti Qendror i PPSH e udhëzonte RTV që të mos transmetonte kronika të vërteta për ato që ndodhnin në demonstrimet popullore, po kështu në demonstratat e tanishme televizoni hesht, ose thotë dy fraza që nuk tregojnë gjë. Vetëm pak kohë më parë mbare opinioni ynë ishte njohur me grevat e fuqishme të shumë e shumë punëtorëve, grave dhe të burgosurve politikë. Grevat kanë shkuar deri në maksimumin e tyre të Uhëmbshëm: në greva urie. Njësoj si dy vjet më parë kur punëtorët, studentët, gratë dhe të burgosurit politikë, tepër të mërzitur nga jeta e vështirë hynë në grevë o për të lënë jetën, o për të fituar jetë më të mirë. Dhe njësoj si dy vjet më parë kur shteti shqiptar diktaturës së proletariatit i kërcënoi grevistët si sabotatorë, si armiq si agjentë, po të njëjtën gjë bëri qeveria shqiptare ndaj greve të punëtorëve e të njerëzve të tjerë. Dhe njësoj si dy vjet më parë u hapën dyer burgjesh, u përdor kamxhiku e kërcënimi me armë Dhe njësoj si dy vjet më parë asnjë informacion i (vijon në faqe 3)

100 automatikë kallashnikov dalin nga porti i Durrësit për në Bosnje

LEXONI NË FAQE 2

Një tjetër çështje penale ndaj drejtorit të gazetës KJ

Dje, prej orës 10⁰⁰ deri në ora 15³⁰ drejtori i gazetës «Koha Jonë», N. Lesi u mbajt në hetuesinë e prokurorisë së Përgjithshme. Hetuesit Vaskë Simeon dhe Petrit Fusha filluan procesin hetimor ndaj N. Lesit, i paditur nga Kryetari i Kontrollit të Shtetit zoti B. Cela. Ky është procesi i dytë penal ndaj N. Lesit, pas gjyqit të Lezhës, i cili u mbyll me dështimin e turpshëm të B. Çelës.

Emërime të reja në bazë aftësie

Siç njoftohemi para disa kohësh në Hotel «Dajti» u caktua një shefe e re e kuadrit. Ajo quhet Zymbyl Zhulali, e motra e ministrit të Mbrojtjes Safet Zhulali dhe e dekanit të Fakultetit Ekonomik Kadri Zhulali. Sqarojmë lexuesit se kriteri bazë i caktimit të kuadrove në Hotel «Dajti» është kriteri i aftësisë dhe i njohurive në fusha të caktuara. Shembull për këtë është nëndrejtori i ri i Hotel «Dajti» me profesion mekanik dhe me shkollë nate; I urojmë të gjithëve suksese në punë dhe të bëhen sa më shumë!

Pasnesër del numri i parë i gazetës «Aleanca»

Bëhet e ditur se pasnesër, datë 5 mars, do të dalë numri i parë i gazetës «Aleanca», botim i partisë Aleanca Demokratike. Në një njoftim për shtypin që lëshoi me këtë rast këshilli botues i gazetës, mësohet se gazeta do të dalë fillimisht dy herë në javë, të martën dhe të premten. Drejtor i gazetës është Preç Zogaj, ndërsa kryeredaktor Blendi Fevziu. Me këtë rast ekipi i gazetës «Koha Jonë» i uron rrugë të mbarë dhe suksese gazetës «Aleanca».