Tetë ditë që pesë familje ndodhen në mes të rrugës
I zihet rruga «Benzit» të Presidentit Berisha nga hallxhinjtë që kanë mbetur përjashtë. Një qytetar hidhet para rrotave të makinës së Presidentit. Një tjetër qytetar bashkë me fëmijën 3-vjeçar del para makinës. Makina së Presidentit i thyhet targa.
Siç u shkrua edhe javën e kaluar në gazetën tonë, policia, sipas një vendimi nxorri jashtë banesave të tyre pesë familje në Tiranë, të cilat edhe sot vazhdojnë të gjenden në mes të rrugës me gjithë plaçka. Situata tepër dramatike e këtyre njerëzve u rëndua edhe nga shiu që ra gjatë ditëve që shkuan. Duke patur parasysh që të gjitha këto familje kanë edhe fëmijë të mitur që detyrohen të flenë në trotuar, gjendja bëhet akoma më tronditëse.
Ndoshta me pak fjalë këto qenë shkaqet që i detyruan këtë njerëz që ditën e mërkurë në orën 8.00 të mëngjesit t’i dilnin përpara «Mercedesit» të Presidentit, ndërsa ai po shkonte rrugës për në Presidencë. Ngjarja ndodhi në rrugën «Asim Vokshi» në afërsi të redaksisë së «RD». Rreth 15 vetë, burra, gra, fëmijë të mbetur pa strehë, i kërkuan Presidentit Berisha që të komunikonte me ta për tu zgjidhur hallin e madh që i kishte zënë. Ata i thanë Presidentit se askush nuk i priste prandaj iu drejtuan atij në atë mënyrë. Ndërkohë Presidenti qëndronte i ulur në makinë. Për të bërë një kronikë të shkurtër të asaj që ndodhi duhet thënë se në çastin kur Presidenti po kalonte në rrugën «Asim Vokshi», Hysen Zaimi bashkë me fëmijën e tij 3-vjeçar u shtri përpara makinës të shoqërimit për ta ndalur atë. Po në atë kohë edhe Fadi Zaimi hidhet përpara rrotave të «Benzit» të Presidentit me të njëjtin qëllim. Situata e krijuar në këtë rrugë të kryeqytetit u zgjidh me ndërhyrjen e shoqëruesve të Presidentit. Ata i larguan qytetarët që kishin bllokuar rrugën dhe kështu makina e Presidentit vazhdoi rrugën për në Presidencë. Dëmtimi i vetëm qe thyerja e targës së përparme të «Benzit» presidencial.
Një ditë më pas, përsëri qytetari H. Zaimi i doli përpara makinës së Presidentit tek ura kryesore e Bulevardit. Presidenti Berisha e pa dhe i bëri me shenjë që të shkonte për nga Presidenca. Aty H. Zaimi i dolën dy përfaqësues të Presidentit, të cilët i transmetuan fjalët e tij. Sipas H. Zaimit Presidenti thoshte: «Kam thirrur zv. Prokurorin si dhe dy zv. ministrat që të merren me këtë çështje. Në qoftë se nuk do të arrihet që ajo çështje të zgjidhet atëherë t’i kalojë gjyqit».
Ndërsa kjo çështje me të vërtetë kërkon zgjidhje urgjente dhe sipas ligjit, pesë familjet vazhdojnë jetën e tyre të trotuarit që prej tetë ditësh. Dhurata Hoxholli thtë se ajo me dy fëmijët e saj të vegjël, përkatësisht 10 dhe 5 vjeç, ndodhen pa strehë dhe rrezikojnë shëndetin. Të tjerët shtojnë se, në kushtet e rrugës kanë më tepër se një javë që hanë bukë thatë, me gjizë ose me qepë. Asnjë prej tyre nuk është në gjendje të përcaktojë se sa do të vazhdojë kjo gjendje e mjeruar. Në fytyrat e tyre dallohen lehtë gjurmët e pagjumësisë, të lodhjes, të ankthit, e të ushqimit të mangët. Kur i pyet se a kanë ndonjë shpresë për të ardhmen e jetës së tyre, të gjithë përgjigjen: «Shpresa jonë e vetme mbetet Presidenti Berisha, nga i cili presim vetëm drejtësi».
Në Shqipëri ka qindra familje që u mungon strehimi dhe kjo vjen për shkaqe të ndryshme. Por në rastin konkret kemi të bëjmë me një situatë të pazakontë. Të gjithë ata që kalojnë pranë Pallateve «Agimi» ndiejnë keqardhje kur shikojnë ata njerëz që bashkë me pirgun e plaçkave, kanë tetë ditë që jetojnë në trotuarin përpara ish pallatit të tyre. Në rast se do të ketë një zgjidhje për ta, duhet vepruar sa nuk është vonë. Në rast se ligji nuk i përkrah ata, le të mendohet me humanizëm, si njeriu për njeriun, si shqiptari për shqiptarin. Le të mendohet për fëmijët e pafajshëm dhe për ata njerëz që kanë punuar një jetë të tërë, por që tani ndodhen në rrugë, në mëshirë të fatit e nën mbrojtjen e Zotit.