ARRESTOHET FATOS NANO SHEFI I OPOZITËS NË SHQIPËRI
Dhunë fizike ndaj dy deputetëve të Kuvendit Popullor
ISH MINISTRI I MBROJTJES PERKLI TETA NJE TJETER DEPUTET NEN AKUZEN PER «SHPERDORIM DETYRE»
«Këto fenomene ndodhin në prag të totalitarizmit
. LEXONI NË FAQE 5 INTERVISTE ME ZOTIN ARBEN IMAMI
TIRANA SI PARA DY VJETESH
- Manifestim i socialistëve me thirrjet: «Poshtë diktatura», «Poshtë fashizmi», «Lironi Fatos Nanon», «O Sali o zagar, do të varim në litar».
Dje në Tiranë ngjau ajo që ndoshta s’do t’i kishte shkuar ndërmend askujt. Një miting i socialistëve në fund të korrikut të kujtonte kohën e grumbullimeve të para dy vjetëve.
Një nga folësit e hapi diskutimin e tij me fjalët «Popull antifashist i Tiranës...». Pas mitingut të ligjshëm, ku mijra vetë me portrete të Nanos dhe parulla të ndryshme protestuan kundër pushtetit të sotëm, rrugët e Tiranës së Re, u mbushën nga po ata njerëz që u drejtuan nga Presidenca. Rojat e rendit dhe trupat speciale me skafandra e mburoja nuk i bënë ballë turmës dhe çurëve, kështu që u detyruan t’i devijonin manifestuesit për në Bulevardin e madh të Tiranës. Grumbulli i madh i njerëzve pasi manifestoi përpara Kryeministrisë, u drejtua për në sheshin «Skënderbej». Blloku i parë i policëve te Ura e Lanës u ça me lehtësi, ndërsa i dyti, mes godinave të Ministrisë disi më me vështirësi. Ndërkohë policë të shumtë, mikrobusë që transportonin trupa të ndërhyrjes së shpejtë me jelekë antiplumb e automatikë mbushën sheshin. Pas rënies së bustit të Enver Hoxhës kjo ishte hera e dytë që sheshi i Tiranës mbante mbi vete e tij një numër kaq të madh uniformash blu. Dukej sikur gjithçka po përsëritej, për më tepër kur dëgjoheshin thirrjet e grave: «Policia është me ne»! Në turmën e irrituar të njerëzve, policia filloi goditjet dhe arrestimet, duke i mbushur mikrobusët plot me demonstrues. I pyetur për këtë, një nga policët tha se mitingu është i paligjshëm. Midis atyre që u goditën nga policia ishin dhe një gazetar i «24 Orë» dhe ish-drejtori i TV-së F. Kumbaro. Po rreth orës 19.00, IFA të mëdha të mbushura me forca të ndërhyrjes së shpejtë zbarkuan në shesh. Mbasi disa përpjekësh policia krijoi një zonë të lirë duke spostuar socialistët tek shatërvanët, ndërsa në shkallët e Pallatit të Kulturës një grup prej 50 vetësh bërtiste: «Sali Berisha», «Fatos Hajdutu». Në krye të këtij grupi spikatnin gazetarët e «RD», Bucpapa, Krasniqi, dhe Karaj, të cilët nuk kishin patur asnjëherë rastin të bërtisnin më parë ndonjë miting të PD. Vetëm në orën 20.00, ata u larguan me vrap duke u kujtuar se duhej të bënin kronikën dhe redaksinë nuk e kishin te shkallët e Pallatit të Kulturës.
Si është e mundur që pas dy vjetësh në Shqipëri përsëriten ngjarje të njëjta?! Natyrisht, në rast se Shqipëria lihet në dorë të Kalakulës e Blerim Çelës, asnjëherë nuk mund të ketë stabilitet. PD-ja tregoi se nuk di të bëjë politikë. Duke mbyllur këtë kronikë kujtojmë fjalët e një mikut tonë: «Blerim Çela duhet të shpallet «Hero». Me atë që bëri ai, shpëtoi Shqipërinë duke e çuar popullin drejt zgjedhjeve të parakohëshme». Megjithëse ende nuk dihet me siguri nëse vetë Presidenti i do këto zgjedhje të parakohëshme.
Mbrëmë Fatos Nano, fjeti në burg, ndërsa Blerim në një vilë në Durrës.
DEPUTETËT NË ARRESTUAR PËR…