Në Moskë fitojnë komunistët
Godo: Kujdes, u ngrit hija e Leninit!
Të dielën, u zhvilluan zgjedhjet parlamentare në Rusi dhe Austri
Një veteran lufte rus duke votuar të dielën para bustit të Leninit
foto Reuters
Pardje në Rusi u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme parlamentare për Dumën (Dhoma e Ulët e parlamentit). Në zgjedhje ishin regjistruar 43 parti e subjekte politike, për të zgjedhur deputetët e parlamentit me 450 vende. Sipas ligjit elektoral të miratuar 50% ose 225 deputetë, do të dalin nga votimi direkt, sipas sistemit proporcional, ndërsa 50% syrësh do të zgjidhen sipas sistemit mazhoritar. Numri i listave të zgjedhësve ishte 105 milion vetë. Në zgjedhje morën pjesë rreth 65% e elektoratit, që sipas specialistëve të politikës, konsiderohet një pjesëmarrje e kënaqshme. Deri në orët e vona të natës së djeshme ka qenë e mundur të bëhej numërimi i vetëm 50% të votave. Sipas të dhënave paraprake rezulton se, komunistët kanë marrë rreth 22% të votave, ultranacionalistët e Zhirinovskit rreth 11.2%, qendra e djathtë e Çernomerdinit fitoi 9.5% të dhe partia Jablok 8.4%. Ndërsa partitë e tjera nuk kanë siguruar 5% të votave për të hyrë në parlament. Pas rezultateve të zgjedhjeve politikanë të ndryshëm rusë kanë deklaruar se janë gati për bashkëpunim me të gjitha ato forca, që janë kundër luftës në territorin rus. Media evropianoperëndimore është shprehur shumë e matur ndaj rezultateve të zgjedhjeve duke thënë se kjo është një çështje e brëndshme e Rusisë dhe se është vullneti i popullit rus. Politikanët botërorë nuk kanë shprehur doza pesimizmi në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve, madje shumë prej tyre i kanë përshëndetur, duke shprehur optimistë për vazhdimin e reformave të nisura më parë. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Majk Mekurri, mësohet se është shprehur se “rezultatet paraprake të zgjedhjeve, tregojnë se demokracia në Rusi po ecën përpara”, ndërkohë që zëdhënësi i Departamentit të shtetit të SHBA-së, u shpreh se “rezultatet e deritanishme nuk flasin për frenimin e reformave”. Fitorja e komunistëve rusë është komentuar dje edhe nga politikanë shqiptarë. Republikani Godo tha se “Me fitoren e PK Ruse, u ngrit prapë hija e Leninit”, duke vazhduar se “Perëndimi duhet të rishikojë tërë strategjinë e tij me Lindjen”. Ndërsa socialisti Majko mendon se “Rusia përfundimisht u bë tabllo më e keqe e konkluzion[eve?] radicaliste poskomuniste”. Për liderin socialdemokrat Gjinushi, fitorja e PK Ruse nuk do të thotë ndryshim i madh, pasi në tërësi në vendet e lindjes partitë komuniste tregojnë se kanë një rezultat të qëndrueshëm.
Jashtë vëmendjes së politikës ndërkombëtare nuk ka qëndruar edhe fitorja e socialdemokratëve në Austri në zgjedhjet e kësaj të diele.
Më gjerësisht në faqe
3 dhe 8