Koha Jonë
5 dhjetor 1996
Meksi në breshërin e Hajdarit
Nëntë pika për qeverinë. Takim me Berishën. Greva në dhjetor
faqe 5
Lufta e Ftohtë kryqëzon politikën
Viti 1996 pa dyshim që do të shënohet në analet historike të Ballkanit si një vit tepër, tepër i rëndësishëm.
Kjo jo aq shumë për faktin se 1996 është viti i parë kur në Ballkan nuk ushtojnë armët, ç’është se bota la pas Luftën e Ftohtë dhe u angazhua për një Rend të Ri Botëror, por sepse ky vit u bë simboli i përplasjes së parë të popujve ballkanikë me demokracinë. Politika ballkanike papritur ka zbuluar se në marrëdhëniet e saj me botën demokratike vlejnë parametra të tjerë, të cilët nuk lidhen me tanke, me vende strategjike, me lidhje ngjyrash, feje, gjaku e të tjera. Këto gjëra, për habinë e teoricienëve malësorë ballkanikë, kanë dalë në një plan të dytë. Presidentit Berisha,(pavarësisht nga argumentimi i gjërë që është bërë “rreth pozitës strategjike të Shqipërisë”), ju përsërit edhe një herë prerë nga Amerika se zhvillimi i marrëdhënieve të ngushta me Shqipërinë janë një dëshirë e saj, porse “kjo do të varet nga zhvillimi i demokracisë dhe respektimi i të drejtave të njeriut në Shqipëri”. Ai nxorri Kosovën në OSBE, por demokracitë perëndimore i kërkojnë, pavarësi të gjykatave, liri të shtypit, shmangien e dhunës policore, zgjedhje të lira, kushtetutë të re, etj. E njëjta habi po ndodh edhe me Serbinë. Perëndimi nuk po e fal aspak Milosheviçin, njeriun që e bëri të suksesshëm Dejtonin, përmbajti skifterët e Pales dhe që ishte shpallur si e vetmja figurë në Serbi për të vazhduar procesin e paqes, përballë një opozite që përfshin nga demokratët deri tek nacionalistët ekstremë. Megjithatë Washingtoni deklaron se Milosheviçi “nuk do të ketë mbështetjen tonë në qoftë se ai do të vazhdojë përpjekjet e tij për të shuar flakën e demokracisë”. “Më lejoni të jem tepër i qartë rreth pozitës së Shteteve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara mbajnë anën e demokracisë”, deklaroi dje zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. Pas një hezitimi të njëjtën gjë përsëriti dhe BE, madje mbi Jugosllavinë u rikthye fantazma e presioneve ekonomike. Për fat të keq në shtypin tonë ende vazhdojnë hamendjet e sygjerimet se me kë dhe nga duhet të shkëputet Shqipëria. Dikush ankohet se nuk lidhet më shumë me Italinë, dikush me Greqinë, të tjerë përmendin faktin se Berisha la Amerikën dhe po i afrohet Gjermanisë dhe kështu me radhë. Të gjitha këto po dëmtojnë kuptimin e mesazhit që koha po na transmeton. Politikës shqiptare sot nuk i duhen mentalitetet e vjetra të ndërrimit të miqve, të urrave, bazave dhe raporteve. Asaj i duhen format e vendosjes së Shqipërisë në vendin që i takon, në Europë, midis qeverisje të vogla, demokratike, sovrane dhe paqësore. Asaj i takon ndërtimi i një shteti modern, që përjashton klanet dhe korrupsionin, i një shoqërie të lirë dhe prosperuese, të lidhur me botën dhe vlerat e saj. Të tjerat i ka historia e Lulës të ndërlidhur në të. Të tjerat i ka historia e Lulës të mëdha.