05/01/1997
Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Koha Jonë

5 janar 1997

PS: Fajdet të kthejnë depozitat

Socialistët analizojnë për herë të parë fajdet. PS: Fajdet të kthejnë depozitat Qeveria të marrë masa që pronarët të mos arratisen nga Shqipëria Fajdet hyjnë në PS. Pas debatit të hapur prej disa javësh rreth firmave huamarrëse shqiptare, një pjesë e të cilave po tregojnë shenja falimentimi, Partia Socialiste ka vendosur të mbajë qëndrimin e saj. Departamenti ekonomik i PS i mbledhur dje ka shqyrtuar ngjarjet e deritanishme në firmat e fajdeve dhe ka vendosur të dalë me një thirrje për qeverinë ku kërkohet zbatimi i ligjeve për këto firma dhe transparenca e aktivitetit të tyre. Anastas Angjeli, anëtar i departamentit, i ka deklaruar dje shtypit se shteti duhet të bëjë që klientët të marrin më së paku paratë e depozituara, pa përqindjet e fitimit. Transparenca e firmave është diskutuar tashmë nga parlamenti, i cili ka zgjedhur një komision për hetimin e tyre. Por PS, përveç kësaj, ka kërkuar zbatimin e ligjit, pa përmendur megjithatë asnjë ligj të veçantë. Ajo që ka qenë më e rëndësishme për socialistët, lidhet me garantimin e parave të shumicës së shqiptarëve që i kanë futur aty. Kjo sipas tyre duhet të bëhet nga Qeveria, e cila e ka për detyrë të shmangë katastrofën ekonomike në rast të falimentimit të firmave. Socialistët ironojnë kështu faktin që ky vit solli, sipas burimeve zyrtare, një vrimë prej 260 milion dollarësh në buxhetin e shtetit. PS nuk është shprehur dhe nuk ka pranuar të shprehet për pastërtinë e aktivitetit të firmave huamarrëse, por ka vendosur të presë për këtë hetimin nga Qeveria. Socialistët kanë vënë re se mjaft shqiptarë kanë vënë të gjithë pasurinë e tyre në këto firma dhe mosgarantimi i parave do të ishte për ta një falimentim. Sipas PS, pushteti është përgjegjësi kryesor për fatin e parave të shqiptarëve në firmat huamarrëse, pasi deri tani i ka shfrytëzuar fajdet si mjet për përfitime elektorale. Kështu, Departamenti Ekonomik i PS që drejtohet tani nga Bufi, ka vendosur të mbajë qëndrimin e vet, i cili është përmbledhur në një konstatim për situatën e fajdeve. Konstatim, por jo propozim për rrugëdalje nga një krizë që pritet t’i godasë të gjithë, pa dallim teserash. PS nuk ka parë ndonjë mënyrë tjetër të daljes nga bota e fajdesë përveç asaj që zbatimit të ligjit. Gjithashtu në mbledhjen e djeshme socialistët kanë theksuar se nuk kanë asnjë dyshim për pastërtinë e parave në firmat e fajdeve, por do të flasin më saktë për këtë pas një hetimi të plotë. PS, megjithëse është interesuar gjatë dje për situatën ekonomike të krijuar nga grumbullimi i parave në firmat huamarrëse, nuk ka mbajtur asnjë qëndrim ndaj rekomandimeve të dërguara nga Fondi Monetar dhe organizmat e tjera Ndërkombëtare. FMN e ka kushtëzuar planin tjetër të bashkëpunimit me Shqipërinë, duke e vënë Qeverinë shqiptare midis alternativës së thjeshtë: vazhdim i bashkëpunimit ose fajdet. PS është shprehur mjaft e shqetësuar për situatën e rëndë të disa prej kompanive dhe ka parë si një nga rrugëzgjidhjet ndalimin e largimit të pronarëve të tyre nga Shqipëria. Ky konfirmim jozyrtar është bërë nga një prej anëtarëve të Departamentit Ekonomik të partisë. Kështu është mbyllur mbledhja e Departamentit Ekonomik, e para për PS. Që në fillim të tetorit të vitit ’96, kur FMN kërkoi “mbylljen e kompanive piramidale”, socialistët nuk kishin dhënë asnjë opinion zyrtar për situatën e fajdeve në Shqipëri. Si duket, ata kanë menduar se kështu mund t’i ruajnë më mirë votat e pakësuara që morën në 20 tetor. K.J

Hajdari: Nesër ora e grevës së madhe

Foto: A. Babani

Sot “Kopetentët” sqarojnë Suden

faqe 9 Meta: Tensioni në PS vazhdon faqe 4 Lekët e reja sjellin skemat xhepat tringëllues faqe 7 Nigeriani Okoca në Shqipëri faqe 23 Grumbullime dhe shpresë te Gjallica faqe 9