Lushnja digjet... Berisha krihet
Flakë mbi Bashkinë dhe policinë. Bllokohet rruga nacionale. Kërkohet lirimi i gjeneral Xhaferrit Populli dhe Xhaferri: “Nuk jemi piramidë. Televizioni ka gënjyer”. Shkodra: “Zgjedhje të reja”
Flakë mbi Bashkinë dhe policinë. Bllokohet rruga nacionale. Kërkohet lirimi i gjeneral Xhaferrit Lushnja digjet... Berisha krihet Presidenti: SHIK-u ka shmangur me sukses grabitjen e parave Populli dhe Xhaferri: “Nuk jemi piramidë. Televizioni ka gënjyer”. Shkodra: “Zgjedhje të reja”
Kaos total
Të këqijat e gjithë botës, sipas mitologjisë greke, të mbyllura në një kuti, dolën jashtë kur një femër e hapi pa dashje atë.
Të këqijat e Shqipërisë duket se kanë dalë jashtë ditën që piramida e parë financiare po me emrin e një femre, ka deklaruar falimentin. Gjashtë qytete janë ngritur deri tani në protestë masive, janë djegur ndërtesat e pushtetit lokal, janë përmbysur automjetet e policisë, është sharë presidenti dhe është kërkuar heqja e qeverisë. Në jug dhe në veri fjalët i kanë çuar njerëzit në këmbë dhe protesta nuk po jep asnjë shenjë qetësimi. Dje në Lushnje demonstruesit kanë djegur Bashkinë, Këshillin e Rrethit dhe Kinoteatrin. Tension ka pasur edhe në Kavajë. Arrestimet e bosëve të fondacioneve dhe bllokimi i llogarive të tyre bankare nuk kanë dhënë efektin që ka pritur Berisha dhe qeveria e tij. Kësaj radhe shqiptarët kanë treguar se nuk qetësohen me qeli dhe pranga, por kërkojnë me ngulm paratë e depozituara. Mes zjarrit, tymit dhe urrejtjes Shqipëria ka marrë rrugën e kaosit të plotë. Presidenti Berisha ka mbledhur dje përfaqësuesit më të lartë shtetërorë në kërkim të gjetjes së rrugëve për kalimin e krizës së fajdeve. Me përfundimet që ka arritur, takimi duket se e ka përkeqësuar situatën e krijuar. Në prani të kryeministrit, kryetarit të parlamentit dhe prokurorit të përgjithshëm, Berisha ka kërkuar ndërhyrjen e dy komisioneve të tjera përveç atij të transparencës. Njëri prej tyre, ai qeveritar i kryesuar nga ministri Halili, do të marrë kontakt me kompanitë rentiere për të konstatuar gjendjen financiare, kurse i dyti, i përbërë nga ekonomistë dhe ekspertë, do të kërkojë rrugët më të shpejta të shpërndarjes së fondit të bllokuar të fondacioneve klientëve të tyre. Megjithëse kryeministri premtoi mbrëmë në televizion se komisionet do të fillojnë punë “qysh nesër herët në mëngjes”, mbetet shumë e vështirë të kuptohet se çfarë do të bëjnë ato. Së pari rreth problemit të verifikimit të gjendjes financiare të firmave dhe kompanive, ekziston një komision jashtëparlamentar i ngritur me Kuvendin Popullor. Prej disa javësh ky komision po merret me verifikimin e natyrës së fondacioneve dhe firmave rentiere. Futja në lojë e komisionit Halili nuk bën veçse ngatërron edhe më keq një situatë tashmë konfuze. Jo vetëm kaq. Sipas atyre që u thanë në takimin e djeshëm, procedura e marrjes së parave të bllokuara në bankat shtetërore do të jetë qëllimi i komisionit të ekspertëve të ekonomisë, ndërkohë që beni vaki disa ditë më parë institucionet financiare i bënin thirrje qytetarëve që të paraqisnin paditë në gjykata për të marrë paratë e bllokuara të Popullit dhe Xhaferrit. Siç shihet, kaosi fillon që në majë e piramidës shtetërore, për të zbritur poshtë tek njerëzit e thjeshtë të cilët tani e kanë më pak të qartë se kurrë nëse do t’i marrin ndonjëherë paratë e depozituara. Në qoftë se qeveria shqiptare nuk ka të qartë se si mund të dalë nga një gjendje që e ka injoruar me dashje gjatë katër vjetëve, ky nuk është faji i kreditorëve të tradhëtuar. Faji i fajdeve po lëviz me shpejtësi marramendëse. Brenda pak orësh rradhë të klientëve janë shndërruar në mitingje proteste ku nuk ka munguar dhuna. Askush nuk beson tani se kjo qeveri që përdori dje fajdet si vitrinë e kapitalizmit të ri shqiptar, ka vullnetin dhe sinqeritetin e mjaftueshëm për të zgjidhur një lëmsh që e ka ngatërruar vetë. Kjo humbje shprese tek shteti dhe institucionet e tij, më e rënda ndoshta për një shoqëri që në një pjesë të mirë të historisë së saj është dominuar nga vetëgjyqësia. Ashtu siç ndodhi në vitin ’91. Ashtu siç mund të ndodhë edhe tani. SKËNDER MINXHOZI Tirazhi i “Koha Jonë” për ditën e sotme: 65,000 kopje
Dje në Lushnje Foto: Reuter
Nesër miting i madh i gjithë opozitës
Komisariati nr.2 i policisë në Tiranë dha lejen përkatëse
Opozita e ka marrë lejen për të organizuar një miting proteste nesër, datë 26 janar, ora 11.00 në aneksin e stadiumit “Dinamo” në Tiranë.
Mitingu do të ketë si temë mbrojtjen e të drejtave ekonomike të shtetasve. Partitë e opozitës kanë ftuar në protestë të gjithë opinionin publik të interesuar për t’u bërë vendim nga kriza e thellë ekonomike dhe politike. Ky do të jetë mitingu i dytë i opozitës, pas atij të sheshit “Skënderbej”, ku mijëra vetë manifestuan kundër shtetit. Sipas njoftimit të shefit të komisariatit nr.2 të policisë në Tiranë, policia do të mbajë qëndrim korrekt dhe konform ligjit. Saktësojmë se nga rradhët e policisë në katër komisariatet e Tiranës është krijuar një komision për mbrojtjen dhe kthimin e depozitave të punonjësve të policisë të cilët kanë futur kursimet e tyre në firmat rentiere.
Manifestim nesër në Vlorë
Afro 30 mijë vetë në miting
Partitë e opozitës dhe Konfederata sindikale e rrethit të Vlorës kanë deklaruar se nesër në sheshin e “Flamurit” ora 11.00 do të zhvillojnë një miting paqësor lidhur me situatën e rënduar ekonomike të krijuar si rrjedhojë e rrënimit të menjëhershëm të firmave rentiere.
Numri i pjesëmarrësve llogaritet në afro 30 mijë vetë, të cilët do të kërkojnë kthimin e parave të tyre.