5 Shkurt: Jo para, por libreza
Presidenti: Nuk jap garanci për kompanitë VEFA, Kamberi dhe Silva
Banka botërore: Nuk financojmë kompani gjysëm piramidë, gjysëm investuese
“Paratë do t’u jepen më nevojtarëve, ndërsa të tjerët fitojnë të marrin libreza kursimi”, tha dje Berisha në konferencën për shtyp.
Mbi dhjetë herë presidenti theksoi se paratë do të jepen gradualisht, në mënyrë që inflacioni të mbetet nën kontroll, derisa më në fund i shkrep në kokë ideja e librezave të kursimit. Kështu, librezat vërtetojnë se Berisha nuk ka ndërmend dhe nuk mund t’ia japë menjëherë paratë e ngrira të fondacioneve popullisë. Data e premtuar 5 shkurt për fillimin e shpërndarjes së parave, është vetëm pak mëngjes për të zbutur urrejtjen popullore ndaj atyre që heshtën për katër vjet me lulëzimit të fajdeve, ndaj atyre që ende vazhdojnë t’i konsiderojnë paratë e shqiptarëve më të pastrat në botë dhe ndaj atyre që me aq zell pranuan sponsorizimet e firmave rentiere. Disa specialistë bankarë që nuk pranojnë të identifikohen, e zbërthejnë kështu idenë e librezave të Berishës: Shteti do të pajisë investitorët e skemave piramidë me disa libreza kursimi. Në qoftë se një qytetar ka investuar tek Xhaferri 10 mijë dollarë dhe kanë mbetur vetëm 9000, ai nuk do t’i marrë në dorë. Në vend të parave, qytetarit do t’i jepet një librezë kursimi, pa të drejtë tërheqjeje të parave menjëherë nga depozita. Gjithnjë sipas specialistëve, qytetarët, në intervale mujore ose 3 mujore, do të mund të tërheqin me libreza vetëm fitimin e interesit bankar. Duke pasur parasysh se sot përqindja më e lartë e interesit bankar është 20% në vit, atëherë del se ai investitor që në librezë përfiton 10 mijë dollarë, në të vërtetë do të mund të tërheqë nga banka vetëm 166 dollarë në muaj, ose 2000 dollarë në vit. Ndryshe, me variantin e librezave të propozuara nga presidenti, paratë për depozita 10 mijë dollarë mund të kthehen përfundimisht vetëm pas pesë vjetësh.
Pa filluar kolapsi i fajdeve, shtypi vendas e ka paralajmëruar Berishën se ai do të ndodhet në rreth vicioz, nëse nuk ndërhyn në tregun joformal. Vetëm dy rrugë kanë mbetur për Berishën dhe kabinetin që ai udhëheq; ose t’japë paratë e ngrira dhe ato që do të ngrijnë, ose t’i bllokojë përmes banka dhe t’i japë në pika. Por Berisha nuk mund t’i japë menjëherë as paratë e ngrira dhe as ato që do të ngrijnë. Nëse Berisha do t’a bënte këtë veprim, krejt në mënyrë të sigurtë lekët do të vërshonin në treg për t’u konvertuar në valutë ose mallra. Paniku që ka kapur tregun valutor, është panik i qytetarëve të cilët këto ditë po rendin të kthejnë në valuta të forta paratë e tyre. Duke qenë se data 5 shkurt është shumë afër, rënia e parave në duart e depozituesve të thjeshtë, jashtë kasave të bankave do të terrorizonte tregun valutor, duke cuar në një zhvlerësim galopant të lekët që do pasohej me një rritje të menjëhershme të çmimeve. Por duket se Berisha nuk ka zgjedhur këtë rrugë katastrofale për vendin dhe ekonominë. Ai si padashje dje në një konferencë për shtyp hodhi idenë e librezave të kursimit në vend të parave reale.
(Vijon në faqë 8)
EMIN BARÇI