20/02/1997
Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Koha Jonë

20 shkurt 1997

VEFA, piramida po shembet

Kompania nuk shpërndan interesat. Premtohet të shlyhen vetëm kapitalet deri në 5000 USD VEFA, piramida po shembet Sot miting i opozitës në Tiranë për rrëzimin e bustit. Policia e lejon Faqe 3, 8

20 Shkurti na gjeti në rrugë

“Një makinë e vjetër, prodhim lindor i përftuar sipas të gjitha gjasave nga kleringu me vendet e KNERTT, tërhiqte udhëve të Tiranës, monumentin e bronztë të Enver Hoxhës, kujtimin e fundit të një diktatori komunist të ish perandorisë së kuqe. Mbi të dhe përreth, mijëra vetë të entuziazmuar nga mrekullia e pabesueshme”. Këto qenë pamjet kryesore që mbrëmjen e 20 Shkurtit 1991, u fiksuan në ekranet po kaq të habitur të televizioneve perëndimore. Muzeu i izolimit botëror, vendi i tmerrve të luftës së klasave, i burgjeve dhe varfërisë masive që ngritur mbi frikën e tij, kishte ngadhënjyer mbi simbolet duke shpresuar më shumë se kurrë tek e ardhmja. Për një vend që nuk ka jetuar pothuajse kurrë në demokraci, ose ku kjo ka qenë një refleks i zbehtë dhe provizor në prag të diktaturave të zgjatura, imazhet bëheshin edhe më domethënëse. E ardhmja mund të qe pas kësaj rozë dhe gjithkush kishte të drejtë ta quante atë dita e madhe e shpresës. Sepse shqiptarët, si rrallë herë në historinë e tyre kishin ditur të përmbysnin jo vetëm një realitet të ftohtë, por edhe bazën abstrakte të tij, mitet. Gjenë që aq shumë i ka bërë të vuajnë në këtë vite të pakta të ndërgjegjes së vërtetë kombëtare. Por si për ironi, fati qen[k]a i pamëshirshëm me ne dhe historia u përsëritka me të njëjtat detaje. Gjashtë vjet më vonë, 20 shkurt[i] na gjeti përsëri në rrugë dhe demonstrata. Na gjeti në udhëkryq, thuajse rrugët e mirëqenies sonë qenkan labirint të pangadhnjyeshme. Natyrisht, gjashtë vjet janë pak për të kaluar nga një realitet i zymtë dhe mizor në një sistem të ri, modern e të përparuar. Gjashtë vjet janë njëkohësisht shumë për një popull që nuk ka kohë për të humbur. Nuk ka kohë për eksperimente dhe as energji të tepërta për të konsumuar. Në radiografinë e gjashtë viteve nga 20 shkurti i lumtur i vitit 1991, mushkëritë shqiptare janë ende plot me të njëjtat njolla të errëta. Gjashtë vjet më parë shpëtuam nga sëmundja fatale, por paralel me të sëmurën edhe atë pak civilizim shqiptar. I shndruam rrugë e qyteteve në kopje të zbehta të fshatrave mesjetarë dhe ju afruam njerëzve më të mirë që kishim të vetmen alternativë, mërgimin. E shpëtuam Tiranën nga hija makabre e Enver Hoxhës, arkitektit të së keqes, por në vend të saj ju afruam parqeve dhe trotuarëve të Tiranës alternativën e bingove dhe kioskave. I shpëtuam njerëzit nga 80 % e abuzur, për ta zëvendësuar atë me përrallën e fajdeve dhe milionave të fituar jo në punë, por në sportelet e fondacioneve. Bëmë divorcim me sistemin e varfërisë, por gjashtë vjet më pas e shohim veten me një miliard e gjysëm dollarë më të varfër. E harruam fjalën sigurim i shtetit, agjitacion e propagandë, por po kaq shpejt mësuam fjalët, miting i paligjshëm dhe forca speciale. Gjashtë vjet më parë TV-ja transmetonte pamjet historike, ndërsa dje në mbrëmje një montazh absurd ku fjalët e Cekës: “Mos bëni pre e provokatorëve”, e zbukeshin: “Mos bini pre e demonstratave”. Atëherë opozita dilte në pritje përkrahësve të saj, ndërsa opozita e sotme, kërkon shpëtimin nga një mbret i harruar që s'ka jetuar kurrë në Shqipëri, nga një politikan i viteve 40 dhe nga një

20 shkurt, piramida ra 6 vjet më parë

Gjatë rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha — Foto: A. Babani

(Vijon në faq[e] 4)