06/05/1997
Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Koha Jonë

6 maj 1997

Atentat ish-ministrit Serreqi

KE: Shqiptarë, ose zgjedhje, ose kaos! Komiteti i Vlorës: Votimet jo më vonë se 29 Qershori

Lojtarët politikë janë të hutuar

Megjithëse po afrohet afati botëror për zgjedhjet në Shqipëri, ende njerëzit pyesin dhe nuk dinë se çfarë po ndodh. Në një pozitë të afërt me këtë, ndodhen vetë protagonistët e lëvizjes politike. Në përgjithësi lojtarët e fushës politike janë në gjendje hutimi. Praktikisht: Kryetari i Shtetit bashkë me aparatin e tij ndodhen mes alternativave: Të organizohen me armë për të grabitur votat, apo të përgatiten për në opozitë. Që të ngrejnë armët nuk guxojnë; por edhe që të dalin në opozitë përsëri nuk guxojnë për shkak të veprës së keqe që kanë kryer. Hutimi këtu është total. Partitë politike, ish opozitare, ndodhen në dilemën mes “Tortës” dhe “Helmit”. Këta iu besojnë më shumë opsioneve të diplomacisë botërore, se sa protestës dhe votës së popullit. Një pjesë e opozitës ka frikë se mos vallë shqiptarët do të ruajnë zakonin e revoltës edhe mbas ndryshimit të qeverisjes. Në fushën e politikës ka hyrë edhe djali 58 vjeçar i Ahmet Zogut, i quajtur Lekë. Ky, për të vetëm që që nuk ka frikë, është burg... sepse e ka provuar gjatë kohës në emigracion për një çështje armësh. Për të gjitha të tjerat ndjehet i frikësuar. Ka frikë nga vendimi i Xhafer Ypit (ishte në vend të Arbnorit të sotëm), që e shkarkoi Ahmet Zogun nga posti i Mbretit; ka frikë nga kushtetuta e të jatit; ka frikë nga 5 Maji që qëlloi në një kohë të keqe për të; ka frikë se nuk e di mirë gjuhën shqipe; ka frikë edhe nga vetja që nuk mund t’i dalë zot asgjëje në Shqipëri. Ndërsa, çuditërisht, të gjithë këta që ia kanë dhënë jetën Shqipërisë, kanë frikë nga një njeri i sapo ardhur për herë të parë. E tëra kjo ka krijuar një situatë hutimi. Ndërsa institucionet jashtë-qeveritare, edhe ato që kanë mundur të mbijetojnë, ndodhen nën një hulumt folklorik. Këto nuk e njohin pozicionin dhe rolin e tyre real, dhe, për këtë arsye organizojnë këngë e valle me lule në rrugë. Dmth, asgjë; një hulum tjetër. Gjithë ky mekanizëm ka rrethuar veten dy organizma të gjallë që kërkojnë të veprojnë. I pari është mekanizmi i protestës popullore në të gjithë Shqipërinë. Ky mekanizëm, pasi e dërgoi vlerën e shtetit e të presidentit deri në shkallën e merituar, u duk sikur nuk nevojitet më. Por në fakt ai vepron, edhe pse shpesh herë pa mbështetjen e opozitës politike dhe e luftuar egërsisht nga Presidenti. Opozita plus President kanë krijuar një koracë të hekurt që në tryezën politike të mos mund të hyjnë përfaqësuesit e protestës popullore. Ndërsa organizmi tjetër i gjallë përbëhet nga Qeveria e Pajtimit plus Forcat Multi-nacionale. Këto janë së bashku, dhe nuk mund të nënkuptohen të shkëputura. Mirëpo ndërsa qeveria e Finos po sulmohet hapur nga klani i Berishës, forcat multi-nacionale duket se do ta kenë këtë fat në prag të zgjedhjeve parlamentare. Megjithatë, ndonëse elementët e gjallë të jetës politike ekzistojnë, këta janë lënë jashtë mekanizmit të madh presidencial “Mbrojt”. Opozitë. Në qendër ndodhet pjesa e hutuar, fatkeqësisht.

Liderët e PD - PS, Nano dhe Shehu, në takimin e djeshëm në Pallatin e Kongreseve Foto A.Babani Liderët e PD - PS, Nano dhe Shehu, në takimin e djeshëm në Pallatin e Kongreseve. Foto A.Babani

Së shpejti një kanal i ri televiziv privat - "TIRANA TV"

Së shpejti do të fillojë transmetimin një kanal i ri televiziv, që do të shtrijë valët e tij deri në Shkodër, Vlorë, Elbasan e Berat. "Tirana TV", do të hyjë në shtëpitë tuaja, për të sjellë aty atë çka i ka munguar medias së shtetit: informacion, vërtetësi, paanshmëri, argëtim. "Tirana TV" pret bashkëpunimin tuaj, në këmbim të fillimit të një aventure të ndaluar për shumë kohë në Shqipëri. "Tirana TV" kërkon të jetë ndryshe dhe do të jetë ndryshe.