Vranicki: Nuk dëshëtova, rikthehem të hënën. Opozita: Me ligjin e PD, jashtë zgjedhjeve. Sot takimi i partive me Finon
Fatos Nano nuk shkon në Vlorë. Komitetet mblidhen: “Lufta vazhdon, presim opozitën”. Vranicki lë Shqipërinë dhe hijen e luftës
Faqe 5
Tragjedia është 9 marsi
- ALFRED PEZA - Kur Vranicki i deklaroi dje gazetarëve se me krizën aktuale kishte dështuar politika shqiptare dhe jo OSBE, në thelb kishte me të vërtetë të drejtë. Duke ikur me avionin e tij për të mos u kthyer ndoshta më në stëmën e misionarit diplomatik, ai ka kuptuar se shkaqet e krizës janë të tjera nga ato që ai deklaroi dhe se në politikën shqiptare, shaka më e madhe është mbajtja e fjalës së dhënë. Kancelari i la Shqipërinë të ndarë, ashtu siç e gjeti në mars, kur Berisha dhe partitë nënshkruan marrëveshjen që minoi të ardhmen e vendit. Në 9 mars, Shqipëria kishte nevojë urgjente për marrëveshje mes palëve. Shteti qe zhdukur në pak orë dhe vendin e tij e kishte zënë anarkia totale. Në këtë moment, doli në skenë njeriu që ka qëndruar mbi të, në pesë vjetët e fundit-Berisha. Ai që e njohu sadopak nga afër Presidentin, jo vetëm si politikan, do të jetë çuditur kur ka parë që atë ditë ai ishte i hapur për vërejtje, sugjerime dhe i pranonte hapur kritikat. Një ton të tillë paqësor me kundërshtarët e tij, Berisha po e përdorte për herë të dytë që kur ishte zgjedhur president. E para ishte konferenca e tij për shtyp e 6 nëntorit 1994, kur dështoi në mënyrë fatale me projektin e Kushtetutës. Ai pranoi moderacionin në 9 mars të këtij viti, ndërkohë që të tjerët lanë radikalizmin. Asnjë prej partive politike në ato çaste nuk kërkoi të shtonte pika të tjera në projekt marrëveshje. Megjithëse në momentin më të vështirë të jetës së tij, kur thuhet se kishte përgatitur ndërkohë tekstin e dorëheqjes, Berisha arriti të ruajë koherencën në njohjen dhe manipulimin me psikologjinë e opozitës. I ndodhur përballë një demi të zbutur nga frika e luftës dhe armëve, Berisha diti të përfitojë nga kjo rënie e kundërshtarit. Ai nxori kartën e zgjedhjeve të parakohshme, duke tundur në ajër flamurin e shquar të pajtimit kombëtar. Ajo për të cilën opozita ishte lodhur deri në mosbesim, kishte ndodhur. Që ajo të mos i dukej thjesht një mirazh, të gjithë vrapuan në pak minuta ta firmosnin marrëveshjen, pa u merakosur shumë të lexojnë në tekstin e saj. Diletantizmi dhe pavendosmëria e atij momenti qe fatale për ne. Që të bësh marrëveshje e vetëmëdijshme, duhet të jesh xhentëlmen. Dhe kur njerëz të tillë i mungojnë majës së politikës shqiptare, kjo mangësi plotësohet jo vetëm me hedhjen në letër të gjithçkaje. Ç’ka nuk ndodhi me paktin e 9 marsit. Në dokument, ku nuk u harrua të fiksohej edhe dita e zisë për viktimat, nuk u tha asnjë fjalë se çdo të bëhej me strukturat që sollën këtë pasojë. SHIK-u, policia dhe KTV nuk u përmendën, as statusi i Parlamentit të dalë nga vota e vjedhur e 26 majit, por as për Presidentin e zgjedhur në gjendje të jashtëzakonshme nuk u fol. Asnjë fjalë për ligjin që solli 26 majin, as për kushtet që të ishte garanti i zbatimit të formulës që u quajt magjike. Para se të fillonte puna për zbatimin e pikave të marrëveshjes, Berisha ka filluar llogaritë e veta për ta zhbërë atë, duke shfrytëzuar pikërisht vakumin në përpilimin e saj. Në këtë lojë, më shumë se kushdo tjetër, e ndihmoi vetë opozita. Nëse ajo nuk diti të bëjë në ato minuta të arta, do të duhet të vuajë jo vetëm ajo. Një qeveri e vetme është e vetmja që mund ta shpëtojë Shqipërinë nga kjo krizë, jo një mision special të OSBE-së. Ai u largua dhe ...
Berisha firmos zgjedhjet. Fino: S’ka problem
Opozita debaton largimin nga zgjedhjet
Dje takim sekret i shtatë partive për qëndrimin e përbashkët
Opozita mund të largohet nga zgjedhja. Firma e Berishës, ka bërë që shtatë partitë e opozitës shqiptare të deklarojnë mbrëmë, se nuk do të kalojnë pragun e zgjedhjeve, duke ju nënshtruar ligjit të miratuar nga parlamenti i PD.
Në një vend sekret, liderët e shtatë partive kanë formosur, njeri-pas tjetrit, paktin e mos-përfshirjes së tyre në zgjedhjet e fund-qershorit. PS, PSD, PAD, PBK, PBDNJ, PDD dhe e sapo krijuara Partia Lëvizja për Demokraci, në orën 14.00, kanë zhvilluar një takim të përbashkët, duke dashur që përfundimisht të dalin me një mendim të përbashkët dhe një bllok për fenomenin zgjedhje. “Partitë konfirmuan vullnetin e tyre për të mos marrë pjesë në zgjedhje, pasi e konsiderojnë si një veprim arbitrar miratimin nga parlamenti të ligjit të PD dhe më pas dekretimin e tij nga ana e Berishës”, tha mbrëmë për “KJ”, një nga politikanët e pranishëm në mbledhjen “top secret” të opozitarëve shqiptarë.
Përpjekjet e opozitës për të marrë në dorë frenat e lojës në minutat e fundit të betejës, kanë nisur që dje në mëngjes, kur liderë të saj, Nano, Dokle, Majko, Mejdani, Ceka, Gjinushi, Apostoli dhe Milo, kanë zhvilluar një takim mbi në selinë qendrore të socialistëve. “Diskutuam për ligjin dhe modalitetet e mundshme që mund të shfrytëzojmë ne”, tha për “KJ”, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Rexhep Mejdani. Por ende sipas Mejdanit, “nuk janë qartësuar plotësisht metodat që ne do të përdorim”. Që prej selisë së PS, liderët e opozitës, në orën 14.00 janë takuar së bashku me liderë të tjerë të opozitës, në një vend të sugjeruar prej krerëve të Ballit Kombëtar. Pasi përfundimisht kanë vulosur vullnetin e tyre për të mos hyrë në zgjedhje me ligjin e miratuar, partitë kanë caktuar Doklen, Mehdunin dhe Cekën që të shkojnë e të takojnë Finon. “Kërkuam që qeveria të mos japë dorëheqjen, por të vazhdojë deri në fund luftën e saj”, tha pas takimit Ceka, i cili zbulon edhe një kusht tashmë të vënë nga opozita për vazhdimin e dialogut. “Ligji i qeverisë të jetë baza e dialogut”, tha Ceka. Njëkohësisht mesohet se Fino dhe tre politikanët e opozitës, kanë mbyllur bashkarisht detyrën e vazhdimit të misionit të Vranickit në Shqipëri.
Foto G. Shkullaku
Vranicki dje në Rogner para largimit nga Shqipëria