06/07/1997
Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Koha Jonë

6 korrik 1997

Berisha: Zgjedhje deri 27 korrik

Të martën Klinton takimi me Finon në Madrid. Shqipëria fut kokën në NATO. Monarki apo republikë: Dilema do të zgjasë edhe shtatë ditë Zonat problematike sabotojnë zgjedhjet. Votimet mund të shtyhen deri të dielën e fundit të muajit. Presidenti vendos për procedurën

Klinton ftesë Finos, knock out Berishës

Të martën në Madrid zhvillohet samiti i vendeve të NATO-s, në të cilin veç përfaqësuesve të vendeve anëtare janë ftuar edhe kryetarë shtetesh nga vendet e Lindjes, të cilët në një të ardhme shpresojnë të hyjnë në këtë aleancë. Në këtë aktivitet është ftuar edhe kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, Bashkim Fino. Prania e tij në Madrid është interesante për dy arsye: e para se në vend të kryetarit të shtetit shqiptar, ftesa i shkon kryeministrit, pavarësisht se mandati i këtij mbaron pas pak ditësh dhe së dyti se edhe presidenti amerikan Klinton, pjesëmarrës në samit, e ka ftuar zotin Fino për një takim “kokë më kokë”. Duke pasur parasysh këta dy fakte arrihet lehtë në një përfundimet tashmë të njohura se bashkësia ndërkombëtare, në radhë të parë SHBA, njohin si bashkëbisedues kryeministrin socialist të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar dhe se për ta Berisha është një figurë e mbaruar, me të cilën nuk i a vlen të humbin kohë. Dikur Berisha e vlerësonte takimin e tij me Klintonin si arritjen më të madhe të politikës së tij të jashtme, megjithëse ftesa e ardhur në adresë të tij dy vjet më parë ka qenë më tepër pasojë e entuziazmit të shqiptarëve të Amerikës. Por në këtë aspekt Fino, ndonëse vetëm katër muaj në krye të qeverisë, ka pasur fatin të takohej dy herë presidentin amerikan, pa përmendur vizitën e bërë me ftesë të zonjës Albright. E rëndësishme është se ftesat në adresë të Finos nuk kanë pasur nevojë për shtysat e filo-shqiptarëve në SHBA. Po bëhet rreth një vit që në drejtim të Presidentit të deritanishëm shqiptar nuk ka ardhur asnjë ftesë për të marrë pjesë në aktivitete të rëndësishme me homologët e tij. Një bojkotim kaq i hapur ndaj Berishës, është bërë jo vetëm për t’i treguar atij se nuk është në rregull me angazhimet lidhur me demokracinë, po edhe për të dobësuar pozitën e tij brenda vendit. Gjithashtu bojkotimi i Berishës erdhi duke u rritur edhe për shkak të luftës së tij donkishoteske kundër administratës amerikane, e cila u vu në shënjestër nga propaganda e orkestruar prej tij apo nga deklaratat e ndonjë zyrtari të lartë të PD-së. Nga ana tjetër, ftesa e ardhur në drejtim të kryeministri Fino të bën të mendosh se perëndimi shikon tek ekipi i ardhshëm që do të drejtojë Shqipërinë, një bashkëbisedues serioz, me të cilin mund të realizohen ato të cilat nuk qe në gjendje t’i bënte Berisha. Konkretisht, në takimin Clinton-Fino do të bisedohet edhe për problemet dypalëshe, gjë që presidenti amerikan nuk mund ta bënte me njeriun që i shkatërroi këto marrëdhënie. Nuk është aspak çudi që në një përfundim të tillë perëndimorët mund të kenë arritur edhe pas deklaratave të shpeshta të Nanos dhe liderëve të tjerë socialistë, lidhur me politikën e orientuar nga institucionet dhe aleancat euroatlantike, e cila do të jetë në plan të parë për qeverinë që do të dalë pas zgjedhjeve të tanishme. Sigurisht nuk mund t’i shpëtohet që Shqipëria të anëtarësohet në NATO, në një periudhë të afërt, pasi ajo është ende shumë larg kushteve themelore për të bërë atë hap shumë të vështirë. Në këtë kohë mungesa e stabilitetit brenda vendit e bën të pamundur këtë. Por më shumë ftesa në drejtim të Finos është për t’i treguar Berishës se duhet të mbledhë sendet personale për t’u ikur nga presidenca duke i dhënë fund lojërave, me të cilat do t’i zgjasë jetën mandatit të tij, por edhe destabilizimit në vend.

Vëzhguesit OSBE: Pas ALBA, vjen NATO

Ora 01.07, 4 korrik 1997. Marsi thërret Tokën. Anija kozmike Pathfinder dërgon foton e parë, 21 vjet pas misionit të fundit Foto REUTERS

Intervistë Edi Rama: Pa ikur Berisha, s’ka shpëtim

Faqe 12-13

Solli PS në pushtet E Djathta: Me PD, por pa Berishën

Faqe 4

RADIO “KOHA” TRANSMETIM NON STOP

Stafi i Radio “Koha” dhe gazetarëve të gazetës “Koha Jonë”, përsëri me ju: “Minut pas minute me raundin e dytë të zgjedhjeve”. Rrini me Radio “Kohën”, të njiheni me gjithçka ndodh në 24 orë në të gjithë territorin e Shqipërisë, në raundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare. Lajmërohen të gjithë korrespondentët e gazetës “Koha Jonë”, të dalin në transmetim pas çdo lajmi. Ju faleminderit.