15/10/1997
Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Koha Jonë

15 tetor 1997

Berisha përshëndet Nanon

Ish presidenti deklaron pjesëmarrjen e tij në delegacionin qeveritar Lideri i opozitës në Romë bashkë me kryeministrin. "Ngjarje për politikën shqiptare" Faqe 3

Opozita ndryshe

Brenda pak ditësh kryeministri Nano, së pari me telefonatën ku i kërkonte falje kryebashkiakut të Tiranës, Brojka dhe tani me ftesën bërë liderit të opozitës, Berisha, për të shkuar në Romë në përbërje të delegacionit qeveritar, dha dy sinjale shumë domethënëse lidhur me frymën e tolerancës që duhet të karakterizojë politikën shqiptare në të ardhmen. Nga ana tjetër, duke iu përgjigjur pozitivisht një ftese të tillë, dhe për më tepër duke e përshëndetur këtë hap të qeverisë si një “eveniment në politikën shqiptare”, lideri i opozitës, Sali Berisha ndoshta ka dhënë shenjën e parë në drejtim të një kthese në mënyrën e të bërit opozitë nga ana e PD tani e tutje. Kështu, pas gati gjashtë vjetësh, që nga “Triestia” e famshme, Berisha dhe Nano do të jenë së bashku jashtë Shqipërisë. Ftesa e Nanos u bë në një moment të përshtatshëm duke e vënë Berishën përballë dy alternativave, ku ai do ta kishte tepër të vështirë të zgjidhte. Një refuzim i liderit të PD, rrezikonte të ishte fatal për të ardhmen politike të tij, pasi më e pakta ai do të damkosej përfundimisht në sytë e opinionit të jashtëm si gjeneratori i krizave karakteristike për vendin e tij prej më shumë se një viti. Në këtë mënyrë edhe lëvizjet politike të kohëve të fundit, si bojkotimi i parlamentit nga partia e tij apo mitingjet e protestës do të vlerësoheshin në një sens të tillë. Por duke shkuar së bashku me Nanon në Romë, Berisha në një farë mënyre kontribuon në rritjen e besueshmërisë së kundërshtarit të tij përballë faktorit ndërkombëtar, në aspektin e respektimit të rregullave demokratike të lojës. Megjithatë, falë nuhatjes politike, ish-presidenti i vendit, zgjodhi alternativën e dytë. Berisha vërtetë e pranoi ftesën për të shkuar në Romë, por ai me shumë të drejtë ka kërkuar që aty të dëgjohet zëri i tij, zëri i opozitës shqiptare. Kjo sepse, pavarësisht nga përgatitjet e ekspertëve të qeverisë, nuk është e thënë që alternativa të cilën do të paraqesë opozita para donatorëve të jetë inferiore apo që nevojat e popullit shqiptar të përfaqësohen vetëm mendimi qeveritar. Nga ana tjetër, është paradoks që një ekip qeveritar si ky i tanishmi, ndoshta më i miri në historinë e vendit, i trembet alternativës që do të paraqesë opozita. Gjithsesi, ftesa e Nanos dhe përgjigjia pozitive e Berishës ndoshta do të shënojë kthesën aq të dëshiruar në politikën shqiptare përsa i përket raporteve pozitë-opozitë. GAVROSH LEVONJA

Ramiz Alia, tani pa pranga

Ish Presidenti Ramiz Alia, i deklaruar i pafajshëm dje nga gjykata. (Fq.2) Foto A.BABANI

Arrestohet një tjetër bandë në Vlorë

Tjetër aksion i policisë kundër grupeve kriminale Shefi i policisë: “Personat e ndaluar akuzohen për therrjen e romëve, për vrasje e grabitje të shumta” Hap pas hapi policia e Vlorës ka arritur suksese në goditjen e krimit duke vënë në pranga 50 anëtarë bandash, njerëz të inkriminuar në vrasje, përdhunime, grabitje. Shpartallimi i bandave ka qenë epiqendra e forcave speciale të këtij komisariati. Në ditën e djeshme, ky efektiv shënoi një sukses tjetër duke vënë në pranga një bandë të rrezikshme, që ka kryer shumë vrasje, përdhunime, grabitje. F 15.

Simitis, tetë orë në Tiranë

Kryeministri grek mbërrin sot në Shqipëri F 5

Kontrabanda, sherr dogana - polici

Bllokohen 30 ton cigare, plumba mbi postbllokun F 11

Vdes ish kryeministri Adil Çarçani

Bojkot i zyrtarëve, vetëm Arbnori merr pjesë në varrim F 6

Pluhur toksik mbi nxënësit

Frikë dhe tmerr në gjimnazin “Sami Frashëri” F 9