E veja e Enver Hoxhës shfaqet me rastin e 90 vjetorit të lindjes së diktatorit. Faqe 4
pas tetë vjetësh Foto A.RAMA
Alternativa komuniste
NGA GAVROSH LEVONJA Pas më shumë se tetë vitesh, dje për herë të parë, komunistët shqiptarë provuan kënaqësinë e një aktiviteti të rëndësishëm të organizuar në Tiranë. Kështu, pas riligjësimit, pas periudhës fillestare të organizimit, pas nxjerrjes së organeve të shtypit, trashëgimtarët e Enver Hoxhës duke shfrytëzuar jubileun e idhullit të tyre, provuan të tregojnë se mund të jenë një konkurrent jo i papërfillshëm në garën me forcat e tjera politike. Duke ruajtur akoma të freskët uniformën migjeniane, kufizimet deri në absurd, burgjet mjeratare, kampet e internimit apo mekanizma të tjerë të luftës së klasave, pakkush mund t’i shkonte ndërmend mbrojtja e kësaj periudhe si kartë për të ardhur në pushtet. Megjithatë, në një demokraci të vërtetë askujt nuk mund t’i ndalohen opinionet dhe bindjet politike. Gjithashtu, duke u nisur nga fakti se partitë komuniste kanë të drejtë qytetari edhe në vendet me një demokraci të zhvilluar, nxjerrja jashtë ligjit e Partisë Komuniste jashtë vijet më parë, në fakt ishte një veprim jodemokratik. Kjo u pasqyrua edhe në qëndrimet që u mbajtën në atë periudhë ndaj atyre që guxuan të mos flaknin teshat e kuqe apo figurën e Hoxhës qëndrim që morën karakter revanshist në kuadër të një luftë klasash në sensin e kundërt. E keqja ishte se komunistët u sulmuan më së shumti nga ish-komunistët, që nxituan të uzurponin krahun e djathtë. Po ajo që ka rëndësi kur flitet për Partinë Komuniste ka të bëjë me rolin që mund të luajë ajo tani dhe në të ardhmen në jetën politike të vendit, sidomos në vendosjen e ekuilibrave në momente të caktuara. Pasojat e gabimeve të qeverisjes së Sali Berishës dhe paaftësia e të majtëve për të rikthyer vendin në normalitet në një farë mënyre ashtu si të djathtët, favorizojnë edhe komunistët. Mbi të gjitha ajo pjesë e proletarizuar si pasojë e ndryshimeve ekonomike nuk ka si të mos e kujtojë me nostalgji barazinë e “kohës së komandantit” apo qetësinë, pavarësisht si realizohej ajo. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh prirjen e socialistëve për t’u zhvendosur në qendër, ekzistojnë të gjitha gjasat që një pjesë e elektoratit socialist të rrjedhë më majtas duke u bërë kontingjent i partisë së Milloshit e Hasanit. Në këtë mënyrë, alternativa komuniste është një realitet. Po, për të konkurruar me dinjitet përballë të tjerëve edhe komunistët, ashtu si dhe ata, në kuadër të përshtatjes me kohën duhet t’i nënshtrohen një reformimi të vërtetë duke u afruar modele komuniste perëndimore. Veç të tjerash kjo mund të jetë një nga aspektet e rishikimit të figurës së atij të tyre shqiptar, i cili i kishte anatemuar ato.
Nano: Bashkim i të majtës shqiptare
Kryetari i PS hedh idenë e një force socialdemokrate moderne
TIRANË - “Pas ndryshimeve në parti ka ardhur koha që të formojmë të majtën socialdemokrate”. Fatos Nano, nuk ka vonuar të japë idenë e tij të parë në krye të Partisë Socialiste dhe mësohet se ka filluar konsultimet për të realizuar qëllimin e tij.
Është e para herë që ish-kreu socialist i qeverisë, kërkon që të unifikohen qëndrimet e socialdemokratëve dhe socialistëve shqiptarë. Nano, ofron bashkëjetesë me Gjinushin, kryetarin e PSD dhe kërkon që të formohet edhe në Shqipëri një e majtë e plotë. Edhe kjo përfshihet në idetë e kahershme të ish-kryeministrit për bashkëjetesë, integrim dhe bashkëpunim.
Ndodhta kjo ka qenë një ide e hershme e kreut socialist. Por ajo u bë publike vetëm në momentin e parë që Nano merr në dorë “frenat” e partisë që drejton. Sepse tashmë është edhe momenti më i përshtatshëm që ai t’i kushtohet plotësisht jo vetëm jetës partiake, por edhe zgjerimit të bashkëpunimit me PSD, një parti pothuajse me program të majtë. Dhe përveç emrit, nuk është e paket lidhja e re që këto dy parti mund të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët. Aq më tepër, që nuk ka pasur ndonjë konflikt madhor si para zgjedhjeve të 29 qershorit, ashtu edhe pas tyre mes PS dhe PSD. Ndërkohë që Nano hedh idenë e një bashkëpunimi të tillë, akoma nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i Gjinushit para kësaj ideje. Gjithsesi, një aleancë e propozuar mes këtyre dy partive, nuk do të kalojë në heshtje për partitë e tjera të këtij koalicioni. Ndoshta më pesimist për këtë fakt do të jetë Presidenti i AD Neritan Ceka, i cili do të mbetet krejt vetëm në këtë koalicion.
Nëse një lidhje e tillë realizohet, nuk do të jetë edhe pa interes për të majtën në botë. Prej kohësh, PSD është bërë anëtare e Internacionales socialiste, ndërsa PS është në prag të futjes në këtë forum. Por gjithsesi, me punën që PS do të bëjë në vazhdim, ka gjasa që kjo mund të realizohet shumë shpejt.