Rriten trogat e pensionet
“Do të mblidhen taksat e ditëve, uji dhe bizneset që nuk paguajnë”
“Pazari” i vonuar
NGA CAVROSH LEVONJA
Kryeministri ka zyrtarizuar dje raportin mbi përfundimin e negociatave mes qeverisë dhe sindikatave për përcaktimin e pagës minimale e pensionit për vitin e ardhshëm. Mësohet se duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve dje në mbarim të mbledhjes, kryeministri Majko ka konfirmuar se pagat do të rriten mesatarisht nga 3.8 për qind, ndërsa pensionet nga 5.9 për qind. Po kështu, në një deklarim të bërë para medias dhe përfaqësuesve të sindikatave, kreu i qeverisë ka thënë se buxheti i vitit të ardhshëm do të ketë ecuri në rritjen e pagave prej 7.4 për qind. PDS e ka konsideruar këtë shifër të pasaktë pasi sipas saj nuk do të premtohen rritje më do të tërheqen me anë të taksave. Nga ana e saj Partia e Legalitetit e ka quajtur mashtrim politik fjalën e kryeministrit. Sipas kryeministrit, rritja e pensioneve minimalë do të kompensojë shkallën e inflacionit. Në një prononcim për “Koha Jonë” kryeministri Pandeli Majko tha se pensioni minimal në fshat për vitin e ardhshëm pritet të jetë 5180 lekë, ndërsa pensioni maksimal do të shkojë në 6570 lekë. Ndërsa për qytetin pensioni minimal do të jetë 6140 lekë. Sipas kryeministrit, në kuadrin e rritjes së pensioneve të pleqërisë janë parashikuar edhe pensione për veteranët e LANÇ, të cilat do të jenë nga 1540 lekë deri në 2200 lekë. Ndërkohë, sipas kreut të qeverisë, paga minimale e propozuar nga qeveria për sektorin privat është 8500 lekë, për ndërmarrjet shtetërore 7800 lekë, ndërsa për punonjësit e buxhetit paga minimale është 7300 lekë. Pagat mesatare në administratën publike dhe në sektorin shtetëror do të rriten me 8 për qind. Po kështu, në media dhe telekomunikacion paga minimale do të jetë 10 mijë lekë. Përsa i takon formimit të pagave në sektorin privat, puna në rritje dhe kushtet e vështira të punësimit, do të përcaktojnë peshën e pagave të punonjësve. Gjatë mbledhjes së djeshme dhe në kontaktet me sindikatat, qeveria ka përcaktuar se për këtë vit në administratën publike dhe në sektorët shtetërorë paga do të rritet nga 3.8 për qind. Po kështu në shëndetësi, arsim e kulturë paga do të rritet në masën 4.5 për qind. Këto shifra janë kontestuar nga sindikatat. Mësohet se në mbledhjen e djeshme dhe në kontaktet me sindikatat qeveria ka sqaruar se burimi i rritjes së pagave dhe pensioneve do të gjendet nga disa zëra të tjerë të buxhetit. Ministria e Financave, sipas burimeve zyrtare, ka sqaruar dje para sindikatave se rritja e pagave dhe pensioneve mund të financohet edhe nga të ardhurat shtesë me rastin e privatizimit, por edhe të rritjes së efikasitetit nga administrata doganore. Po kështu pritet të mblidhen edhe gjoba nga bizneset që nuk paguajnë dritat e ujin.
Mbështetësit e Azem Hajdarit duke kërkuar vrasësin e liderit të PD