SOCIALISTËT: ZGJIDHJE TË REJA
Ruçi: “Nëse nuk zgjidhen problemet brenda partisë dhe çahet grupi parlamentar do të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare”
F 3
Hëna nuk është një hap larg
Frok Çupi
Serbët dhe shqiptarët, me sa duket, kur u nisën për në Rambuje menduan se u kthyen në kozmanautë. Të dyja palët u dukën sikur u kishin premtuar të afërmve të tyre se “nga Rambuje do t’u sillnin Hënën në dorë”. Filozofia jashtë realitetit e bashkëbiseduesve në Rambuje dhe e fqinjëve të përgjithshëm në Ballkan, i ka çuar negociatat deri në pikën e krizës ku ndodhen sot. Serbët nuk pranojnë trupat e NATO-s në territoret e veta të kthyera në arenë lufte, ndërsa delegacioni shqiptar ngul këmbë në pikën e fundit: Pavarësi, Referendum. Vetë e deleguara e SHBA, znj. Allbright, së bashku me organizatorët francezë e anglezë, kanë bërë të qartë se nuk flitet as për pavarësi e as për referendum; ashtu sikurse trupat e NATO-s do të sulmojnë çdo Serbi në rast mosbindjeje.
Këtu kanë ngecur bisedimet deri mbrëmë vonë. Secila palë ka vënë re se ndodhet para kërkesash të parealizueshme, por megjithatë nuk tërhiqet. Njësoj si të jenë ngjitur deri pranë Hënës dhe tani frikësohen që të zbresin poshtë. Kjo nuk është vetëm një figurë, por një pamje konkrete e bisedimeve në Rambuje.
Pse nuk tërhiqet asnjëri?
1. Para se ballkanikët të nisen drejt zemrës së Europës, politika e tyre në vend nga njëra venë kishte ngritur pluhur të rëndë urrejtjeje ndëretnike dhe nacionalizëm të egër. Tani, edhe sikur Franca të ketë ndikuar në “zbutjen” e qytetarisë së tyre, këta kanë humbur lidhjet me “tokën”. Botës moderne të shekullit 21, këta i kërkojnë ndryshim kufijsh, shpallje nacionalekërkime kundër një krahine, krijim shtetesh të rinj, etj. Militantët në “tokë” nuk pranojnë kthimin e tyre pa arritur premtimet. Ultranacionalistët në Beograd mallkojnë Kolombin që zbuloi Amerikën dhe thërrasin se “jetën e japim e Kosovën jo”. Ndërsa në Tiranë, ish-Presidenti i vendit (tani në opozitë) lëshon thirrjen: “Mos nënshkruani shqiptarë, sepse ua punuan fuqitë e mëdha!” Njësoj si në Mesjetë.
2. Asnjëra palë nuk tërhiqet, sepse është e ngarkuar me maniera maksimaliste. Sa politikanë, aq edhe gazetarë, po thërrasin se “Rambuje dështoi”. Kjo lexohet kështu: “Dështoi pse nuk bëri siç dua unë”. Por në fakt Rambuje nuk ka dështuar. Rambuje, (qoftë edhe deri tani) po garanton demokratizimin e Kosovës, të drejta shtetërore dhe shtetformuese për popullin e Kosovës, të drejta parlamentare e qeveri, për arsim, shëndetësi, shtyp, etj. Ndërsa për Serbinë po siguron demokratizimin të saj, leksion për të mos shkelur më të drejtën qytetare të tjetrit sepse humbasin të dy. Si njera edhe tjetra palë mund të kënaqen me hapin e parë të arritur; jo gjithçka arrihet në një ditë, sikurse edhe vetë Hëna nuk arrihet me një hap.
Mund të vijë shpejt momenti kur “toka” të kërkojë lidhje me “kozmanautët” e Rambujesë, që u thotë: “Zbrisni, se katastrofa po vjen që andej...”
Cilat janë rreziqet?
Rreziku i parë është sulmi ushtarak i NATO-s dhe fillimi i një lufte të pashoqe që mund të zgjerohet edhe në Europë. Rusia dhe Kina sapo deklaruan se do të jenë në krah të Serbisë; më tej s’i dihet. Megjithatë ky është një rrezik që nuk do të ndodhë; qytetaria botërore është e prirë drejt paqes.
Ndërsa rreziku më i madh bie mbi shqiptarët: Shqiptarët e Kosovës ndodhen para minutut “0”, nga ku mund të shkojnë drejt një statusi normal jetese demokratike, ose mund të mbeten aty deri vonë. Lufta më gjatë do të ishte e tmerrshme.
Ndërsa shqiptarët e Shqipërisë, tani ndodhen para kësaj pamjeje:
Ose “merruni vesh me vëllezërit tuaj në Rambuje, ose do të ndodhemi në vështirësi për të menduar më për jetesën tuaj”... Çfarë duhet të bëhet?
Më i miri është realizimi dhe çmimi i së mirës hap pas hapi. Hëna do të jetë aty edhe nesër.