Çlirohet Kosova. Serbët firmosën dje kapitullimin
Arrin marrëveshja e paqes pas 77 ditë bombardimesh të NATO-s mbi Beograd
Ushtria serbe tërhiqet duke vrarë kosovarët e mbetur gjallë
faqe 2
Kosova, kthesa filloi
Mbrëmë ushtarakët e lartë serbë nënshkruan në një tendë në Kumanovë aktin e kapitullimit të tyre para NATO-s në luftën që filloi diku nga fundi i marsit.
Luftë kjo, që për karakterin dhe motivet e saj ishte unikale në historinë e njerëzimit. Konkretisht, ndryshe nga luftërat e tjera, kësaj radhe nuk kishim të bënim me pushtime apo çlirime territoresh e aq më pak me synimin për të nënshtruar një popull. Kjo luftë që zgjati 78 ditë ishte drejtuar kundër një individi dhe rrethit të tij, i cili që me daljen e tij në skenë solli fantazmat e mesjetës që ringjallën urrejtjet e vjetra midis popujve të hapësirës së ish-Jugosllavisë, duke i hedhur këto në një luftë absurde në këtë fund shekulli. Me nënshkrimin e mbrëmshëm të marrëveshjes midis përfaqësuesve të NATO-s dhe shteteve të ushtrisë jugosllave u hodh hapi më i rëndësishëm që shënon fillimin e një epoke të re për Kosovën, në radhë të parë për shqiptarët e atjeshëm. Që nga dita e sotme fillon largimi i detyruar dhe i verifikueshëm nga territori i Kosovës i të gjitha forcave serbe, të cilat me fushatën e spastrimit etnik kundër shqiptarëve u damkosën përfundimisht si “forcat e së keqes”. Kështu, duke u mbështetur në përmbajtjen e marrëveshjes, pas 11 ditësh, për herë të parë në këtë shekull, mbi tokën e shumëvuajtur të Kosovës nuk do të shkelë më çizmja e ushtarit serb. Ajo që ka më shumë rëndësi është se vendin e forcave serbe do ta zënë ushtarët e NATO-s, shkatërrimi do të zëvendësohet me rindërtimin, pushteti i dhunshëm me institucionet demokratike dhe, në përgjithësi, vdekja me jetën. E rëndësishme është se me 50 mijë ushtarë të huaj, kryesisht të NATO-s të shoqëruara dhe me personel civil, nën drejtimin e Amerikës mike të Klintonit, Kosova i ka të gjitha gjasat të kthehet në një oaz demokracie për Ballkanin ku dhe demokracia u dashka vendosur me dhunë. Por, as nuk mund të mendohet që kjo të arrihet pa një kthim të të gjithë shqiptarëve të dëbuar. Kthimi i shqiptarëve në shtëpitë e tyre përbën dhe sfidën kryesore për Tiranën zyrtare gjatë gjithë zhvillimeve të krizës së Kosovës. Ndryshe nga deri tani, kur zyrtarët tanë e kanë konsideruar detyrën e tyre të kryer vetëm duke duartrokitur vendimet e të tjerëve, tashmë duhet të ngrejmë zërin si asnjëherë më mënyrë që asnjë shqiptar i Kosovës të mos mbetet jashtë saj.
Gjenerali britanik i NATO-s Mike Jakson pas firmosjes. Jakson do të udhëheqë trupat e Aleancës në Kosovë
Gjenerali serb, Zvetozar Marjanoviç duke folur për gazetaret pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes foto REUTERS