Berluskoni do financojë fushatën e Berishës
Bosi i politikës dhe i Medias italiane, Silvio Berluskoni, do të ndihmojë, propagandojë dhe financojë fushatën e PD-së për zgjedhjet lokale
Gramoz Ruçi: “Berisha ta ndihmojë Berluskonin që t’i fitojë zgjedhjet në Itali dhe jo Berluskon-Berishtë”
faqe 3
Zgjedhje ose zgjedhë!
NGA MARTIN LEKA
Kujtdo politikani që mund t’i duket se është akoma shpejt të përqëndrohemi në zgjedhjet lokale të këtij viti, duhet t’i kujtojmë se për të vetëtuar të kundërtën, nuk është aspak e vështirë, nëse do të kujtojmë se zvarritjet e punëve, sidomos të administratave, shumëfishohen gjatë verës që po vjen. Ndërkohë, të bën përshtypje fakti se për zgjedhjet e këtij viti, flasin më shumë të huajt që punojnë për ne, se sa flasim vetë ne.
Për këdo tashmë është e kuptueshme se zgjedhjet e vjeshtës kanë një rëndësi shumë më të madhe se sa një fushatë e zakonshme zgjedhjesh. (Për fat të keq, vazhdimisht në Shqipëri ka pasur vetëm “zgjedhje të jashtëzakonshme”). Për shumë e shumë arsye, zgjedhjet e këtij viti do të jenë përfundimisht testi i daljes së vendit tej kufijve të stërzgjatur të tranzicionit. Për më tepër, ato do të vënë në provë të madhe si mazhorancën, ashtu edhe opozitën.
Mazhorancën qeveritare, e cila ndoshta edhe vetë nuk i di sukseset e saj në këto tre vjet qeverisjeje, ose për më keq, nuk ka ditur t’i propagandojë ato. Në kompleks, të marrësh në dorë një shtet të bërë shkërrmoquri e të dalë si nga ndonjë luftë pushtuese, është më tepër se guxim. T’i japësh formë këtij shteti, është më tepër se meritë.
Opozitën, e cila nga ana e saj, ka mundur të mbijetojë, siç di vetë opozita shqiptare. Nga ana tjetër, është meritë e opozitës ringritja e saj pas një humbjeje të shumëfishuar nga pesha e fajit për ngjarjet e vitit ’97.
Në fakt, do të jenë votuesit shqiptarë autorët e të ardhmes së vendit. Në këto e zgjedhje e të tjera në vijimësi. Por aktorët, pra politikanët, duhet të jenë më të urtë. Janë të gjithë të identifikueshëm ata që do të mund të pengojnë normalitetin e këtyre zgjedhjeve, siç kanë bërë vazhdimisht. Fjalori politik i Berishës shpresojmë të ndryshojë, në radhë të parë në të mirë të opozitës, por edhe të vetë atij. Nga ana tjetër, një pjesë e opozitës, përfshirë këtu të Djathtën e Bashkuar, nuk ka pse të imitojë kreun e demokratëve, (imitim që ka rezultuar i suksesshëm vetëm në skenë). Vendi ka nevojë për opozitë konstruktive, për të bërë të mundur balanca politike të qëndrueshme e të dëshyrueshme. Kreu i OSBE, Gert Ahrens, ka paralajmëruar dje se nëse zgjedhjet e këtij viti dështojnë, pavarësisht fajit të njërës apo tjetrës palë, ajo që humb është Shqipëria. Parakaimi? Që duhet të na bëjë të gjithëve, absolutisht të gjithëve, të kujtojmë momentet kulmore tragjike të Shqipërisë gjatë këtyre dhjetë viteve. Thjesht të mos harrojmë se kemi qenë shpesh shumë afër zgjedhjes. Thjesht për të kujtuar se jemi një komb krenar e me histori në Europë e për të kujtuar se jemi shumë larg Sierra Leones.
SHËNIM: Fjala Zgjedhë e ka prejardhjen nga një pajisje druri e parmendës, ku futet qafa e kaut për të punuar tokën. Përdoret edhe kur një vend pushtohet nga të huajt dhe thuhet “nën zgjedhën e pushtuesit”.