Ndryshime në kabinet para zgjedhjeve. Pritet largimi i Hajdaragës, Xhuvelit dhe Pandës
Ministri i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, pret biletën për në... SHBA
faqe 2
Plaku dhe Mbreti
NGA ENTON ABILEKAJ
Nuk kanë kaluar as tre vjet nga katrahura-krisje e Leka Zogut tek Pallati i Kongreseve, ku punonte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Njerëzit me kallashnikovë, një pjesë e të cilëve i ishin marrë borxh Berishës dhe krisma që kërcënuan numërimin e votës së lirë në mes të ditës dhe në mes të kryeqytetit, e shndërruan për disa orë vendin në një tokë terroristësh që kërkonin gjak në emër të një rezultati të rremë në votime. Kjo është arsyeja që Leka Zogu është në gjyqim dhe i kërkuar për t'u arrestuar. Ishte Leka i Parë dhe Don Kishoti i fundit.
Gjygji vazhdon, ndërsa në proces tjetër, këtë herë politik, nisi në Tiranë. Bashkia propozoj që bulevardi që mbante emrin Stalin të quhej Mbreti Zog dhe prefekti e firmosi, duke rehabilituar një pjesë shumë të rëndësishme të historisë. Emancipimi politik nuk e mbylli procesin gjyqësor për Leka Zogun. Dhe nuk kishte si të ndodhte një gjë e tillë pas votimi të 29 qershorit, kur Monarkia humbi ndaj Republikës dhe Leka I u shndërrua nga një trashëgimtar mbretëror, në birin e ish-Mbretit. Si një qytetar plak dhe i thjeshtë Leka gëzon edhe të drejten të jetè i barabartë me të gjithë para Drejtësisë.
Pas gjithë këtyre ngjarjeve, i biri i Mbretit të vetëm shqiptar ka vendosur të marrë udhën dhe të kthehet në Shqipëri. Në 24 qershor, pikërisht ditën e 76-vjetorit të Revolucionit të Qershorit, ai ka vendosur të marrë pjesë në ceremoninë e vënies së emrit të ri në Bulevard.
Duken shumë kontradiktore të gjitha këto, por krejt të mundura për të ndodhur. Nuk është aspak e pamundur që Leka Zogu të paraqitet në Ambasadën më të afërt shqiptare dhe të përfitojë vizë, ashtu siç nuk është e pamundur që të hyjë pa vizë në Shqipëri dhe të lejohet nga policia, ashtu siç nuk është e pamundur që, megjithëse ka një urdhër arresti, ai të hyjë e të dalë ose të mos dalë (si të dëshirojë) nga kufiri dhe të vazhdojë të “mbretërojë” në hijen e ndonjë referendumi tjetër.
Nëse mbrojtësit e Shtetit nuk do të veprojnë në bazë të ligjit dhe Kushtetutës, do të rindodhë si tre vjet më parë. Leka Zogu ia ka hequr të drejtën vetes për të marrë pjesë në ceremonin që në 3 korrik 1997. Në bazë të ligjit, ai duhet të dorëzohet në polici.