09/09/2000
Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Koha Jonë

9 shtator 2000

Nano: “Meta, kryeministër i PS-së edhe pas vitit 2001”

Përkrahja e SHBA-së dhe e të majtëve evropianë pasohet nga simpatia e të djathtëve të Austrisë për të riun Meta Pikat e forta të kreut të Ekzekutivit: Rreptësia në zbatimin e ligjit, vizioni për të ardhmen dhe marrëdhëniet me shoqërinë civile faqe 2-3

Diplomacia Nano dhe vendosmëria Meta

Nuk ka asnjë dyshim që kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, është një politikan dinak që di të manovrojë dhe t’i hedhë hapat e duhur në momentin e duhur, duke qenë koherent me zhvillimet politike jo vetëm në vend, por edhe me politikën ndërkombëtare. Këtë ai e tregoi edhe tani së fundi me mbështetjen e tij të plotë ndaj kryeministrit Ilir Meta, duke deklaruar se “Meta do të jetë kryeministër i PS-së edhe pas vitit 2001”. Në fakt, deklaratat e liderit socialist në përkrahje të kryeministrit, më shumë se për simpati apo afeksione me karakter personal, janë të diktuara nga faktorë të tjerë. E vërteta është se kohët e fundit, në adresë të Kryeministrit shqiptar po mbërrijnë vazhdimisht sinjale mbështetjeje të fuqishme nga ana e faktorit ndërkombëtar. Kështu, dy javë më më parë, ndryshe nga Nano që nuk u prit nga asnjë zyrtar i administratës amerikane, kur ishte i pranishëm në Konventën demokrate, Metës iu rezervua një takim zyrtar nga Sekretarja e Shtetit, Olbrajt. Ndërsa dje, Kancelari austriak, Volfgang Shysel, edhe pse drejtues i një force politike të djathtë shprehu simpati dhe mbështetje të plotë për Kryeministrin e majtë shqiptar, duke e inkurajuar në rrugën e zgjedhur përsa i përket drejtimit të qeverisë. Me pak fjalë, Nano, si një politikan pragmatist, e ka nuhatur se çdo përpjekje për t’i vënë shkopin nën mota e duke i ngritur kurthe kryeministrit, kur ky gëzon një mbështetje të fuqishme nga ana e faktorit ndërkombëtar, do të ishte vetëm një aventurë që do ta komprometonte dukshëm të ardhmen politike të liderit të PS-së, duke rrezikuar ndoshta dhe daljen e tij përfundimtare nga politika. Gjithashtu, duke mos i kursyer elozhet për Metën, Nano mundohet të krijojë përshtypjen para elektoratit të tij se është në unison me amerikanët dhe faktorin ndërkombëtar në përgjithësi. Por, veç impaktit me qëndrimet perëndimore kur është fjala për vlerësimin e qeverisjes së Metës, duke dalë në krah të tij, Nano synon t’i atribuojë vetes, qoftë dhe pjesërisht, meritat për sukseset e arritura nga ekipi i tanishëm qeveritar, në zgjidhjen e disa problemeve të mbetura si një gangrenë e pashërueshme prej vitesh, ku më së shumti bien në sy përmirësimi i gjendjes së rrugëve si dhe ndërtimi i arterieve të reja rrugore. Së fundi, nuk duhet harruar se ndodhemi para zgjedhjeve lokale të 1 tetorit dhe Nano vetë nuk ka asnjë argument të fuqishëm për ta përballuar ofensivën e opozitës. E vetmja armë, me të cilën socialistët në pushtet mund ta neutralizojnë efektin e furishëm të opozitës, janë vetëm sukseset e qeverisë Meta, si dhe mbështetja e gjithanshme për të nga ana e faktorit ndërkombëtar. Qeverisja e Metës e bashkuar me efektivitetin e ministrave Poçi, Angjeli, Gjoni, Muçi dhe Nakon, tregon se PS-ja po fiton përkrahje ndërkombëtare në Ballkanin e trazuar nga politikat konfliktualiste të liderëve politikë që kanë qeverisur në këto dhjetë vite. Kësisoj, lëvizja e djeshme e liderit të PS-së është në vetvete diplomaci më tepër se sa dashuri e Nanos për Kryeministrin Meta. Ky i fundit njihet si dorë e fortë qeverisëse, ndërsa Nano si një politikan që rrotullohet në mënyrë të përkryer në drejtimin e duhur të erës që fryn nga Perëndimi.

I djathti Shyssel pret të majtin Meta

Është hera e parë që një socialist shqiptar pritet nga të djathtët në pushtet në Europë Dje, gjatë vizitës në Austri, kryeministri Meta u prit nga homologu i tij austriak, i djathti Schussel. Gjatë këtyre tre viteve kur në krye të qeverive kanë qenë kryeministra socialistë, kjo është hera e parë që një Kryeministri shqiptar i rezervohet një pritje e përzemërt nga përfaqësuesit e një force të krahut të djathtë në pushtet. Fakti që ndaj Kryeministrit shqiptar në Austri, edhe pse i një partie që nuk është anëtarësuar akoma në Internacionalen Socialiste, po tregohet respekt si dhe po i shprehet përkrahje nga të djathtët që qeverisin atje, është sinjali më domethënës i vlerësimit të punës së Ekzekutivit shqiptar të drejtuar nga Ilir Meta. Kjo vjen fill pas vlerësimit amerikan e atij europian për një njeri të dorës së fortë në pjesën perëndimore të Ballkanit. Në foto: Kryeministri shqiptar bashkë me Kancelarin e Austrisë, Wolfgang Schussel dje në Vjenë