Vendet e Ballkanit të gjithë në Kroaci, në tryezë me shefat e Europës
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian njofton Samitin e Zagrebit
faqe 3
Nga bipolarizimi në multipolarizëm elektoral
NGA FERDINAND XHAFERRI
DEPUTET I PD-SË
Mbasi janë konsumuar emocionet e ditëve të para të mbas zgjedhjeve mendoj se opozita e ka më së të qarë arsyen se përse rezultati i saj ka ngrirë në shifrat e ’97-tës. Pra, kjo paralizë e opozitës erdhi për pasojë dhe vetëm për pasojë, të ndërgjegjësimit të shumicës të votuesve shqiptarë, të cilët dëshmuan më 1 tetor se, jo vetëm kanë nxjerrë mësime nga e shkuara, për të mos përkrahur politikat që bazohen në filozofinë e bojkotit, por edhe se janë të vendosur për të ndëshkuar retorikat që nxisin dhunë. Më shumë tek argumentet e mësipërme dhe fare pak për sukseset të qeverisjes bazohet kryesisht edhe fitorja e socialisteve.
Por, duke e spostuar vëmendjen nga konkluzione që shërbejnë si lëndë konkrete për t’u shtjelluar më tej nga elitat e përgjegjshme të partive respektive, mendoj se një vend i rëndësishëm i duhet kushtuar leximit të 1 tetorit, duke e parë në një plan tjetër. Realisht këtë zgjedhje shënuan një hap të rëndësishëm përpara, për të çmontuar bipartitizmin që ka qenë prezent në këta 10 vjet. Është rasti i parë ku spikat se, jo vetëm që asnjë forcë politike nuk e kalon cakun e 50 për qind, por edhe që forca e tretë ngjitet deri në 8 për qind. Po kështu kanë mjaftuar vetëm 3 emisione televizive dhe vetëm kaq, që një kandidat në Tiranë të kapë kuotën e 4 për qind.
Sa më lart janë tregues që shërbejnë në mënyrë të mjaftueshme për të ndërtuar variante se si mund të lëvizë klasa politike në funksion të kësaj prirje të elektoratit. Partia Socialdemokrate arriti të ngjhej në 8 për qind për faktin e thjeshtë se në koshin e saj ranë të gjithë votuesit e majtë pragmatistë, që në këta 3 vjet kanë mbetur të pakënaqur, si nga grupi Nano dhe nga grupi Meta.
(Vijon në faqen 2)
Një sjellje prej vagabondi e Marsel Skëndos
Shoqërohet me forcë, nga rojet e tregtarit-botues, në zyrat e TV Klan, operatori i TV KOHA, duke shkaktuar një duel, të cilit nuk i dihet ku i del fundi
Mbrëmë në teatrin e Rubairave në Tiranë, tregtari-bashkëpronar i TV Klan shkakton skandal publik me operatorin e TV KOHA, Vasil Rada
Mbrëmë në teatrin e Rubairave në Tiranë, zhvillohej spektakli i Nadir Murraj, prestigjiditorit vlonjat. Por paradite, në ora 10.30 në zyrat e gazetës “Koha Jonë” dhe të TV KOHA mbërritën Leka Bungo, drejtor i teatrit të Rubairave si dhe vetë i mirënjohuri Nadir Murraj për të kërkuar që spektakli i prestigjizditorit të filmohej nga TV KOHA si dhe të shkruhej në gazetën “KJ” për këtë aktivitet të rëndësishëm artistik. Të ndodhur para kësaj kërkese të Bungos e të Murrajt, stafi drejtues i TV KOHA dërgoi një grup xhirimi për të filmuar, si dhe për ta dhënë atë në emisionin e lajmeve si dicka pozitive për teatrin e Rubairave, i cili, pas marrjes si pronë nga Marsel Skëndo (pasi ka qenë pjesë e Teatrit Kombëtar), ka zhvilluar shumë spektakle të nivelit të lartë artistik.
Operatori i televizionit KOHA, Vasil Rada, ka hyrë brenda teatrit, ka vendosur kamerën për filmim, pas lejës së drejtorit Bungo dhe rojës së teatrit dhe ka vazhduar punën dhe detyrën e tij për të informuar opinionin publik për aktivitetin e prestigjiditorit Nadir Murraj.
Por në fund të spektaklit ka ndodhur çudia e rrallë. Kameramani i TV KOHA, Vasil Rada e ka mbërthyer me forcë, duke e sharë vetë tregtari i futur dikur në burg për mashtrim, zoti Marsel Skëndo. Pas kësaj, zoti Skendo ka urdhëruar rojet e tij që ta marrin me forcë kameramanin Rada, t’i thyejnë kamerën, duke i përlarë kasetën e filmuar. Sqarimit të kameramanit Rada se “po filmoj me leje të drejtorit tuaj, Leka Bungo”, zoti Skëndo i është përgjigjur me një fjalor të ndyrë, duke sharë botuesin e gazetës “Koha Jonë” dhe bashkëpronarin e TV KOHA, deputetin Nikollë Lesi. Insistimit të operatorit që të mos përdorin forcën, Marsel Skëndo i është përgjigjur brutalist, duke e marrë po forcërisht për në zyrat e TV Klan. Në zyrat e TV Klan, operatori i TV KOHA ka dhënë shpjegime si në hetuesi, ndërkohë që tregtari Marsel Skëndo vazhdonte të përdorte fjalor fyes e ordiner, të denjë për mitingashet e sheshit “Skënderbej”.
(Vijon në faqen 2)
Policia e Sarandës bllokon 1400 kg Canabis Sattiva
Mbrëmë forca të shumta të policisë, pas një sinjalizimi nga shërbimet e rendit, me urdhër të ministrit të Rendit Publik Ilir Gjoni rrethuan në Sarandë në një shpellë në Gjiirin e Ksamilit
, afër Bunecit, disa transportues të lëndëve narkotike. Sasia e bllokuar është 1400 kg Canabis Sattiva e pastër, e cila do të përdorej nga një rrjet trafikantësh që vepronte prej kohësh në këtë zonë bregdetare dhe do të transportohej për në Greqi. Ky është operacioni i parë i ministrit të Rendit, Ilir Gjoni për të kapur rrjetin e trafikantëve në rajonin e Jugut, operacion që do të vijojë në të gjitha pikat e dyshuara për një veprimtari të tillë.