02/11/1997
Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Zëri i Popullit

2 nëntor 1997

Çfarë do të bisedojë Nano me Millosheviçin

Nesër në Kretë të Greqisë: takim i nivelit të lartë të vendeve ballkanike “Gjithçka do të nisë nga diskutimi rreth ’bllokimit të marrëveshjes së arsimit Rugova - Millosheviç, të atij në shtator 1996”. Intervistë e kryeministrit Fatos Nano, dhënë “Zërit të Popullit” — Faqe 3

Nga protestat paqësore të studentëve kosovarë që kërkojnë rikthimin në shkollat dhe auditorët e tyre (ROJTER)

Zvicër Presidenti Meidani takohet me Presidentin e Konfederatës zvicerane

Kryetari i shtetit shqiptar kërkon ndërhyrjen e Komunitetit Ndërkombëtar për të ndërmjetësuar zgjidhjen e problemeve në Kosovë GJENEVË- Siç bën të ditur Agjensia Telegrafike Shqiptare, që i referohet agjensisë franceze të lajmeve (AFP), Presidenti shqiptar, Rexhep Meidani, që ndodhet aktualisht në Gjenevë, i kërkoi të shtunën Komunitetit Ndërkombëtar, që të ndërhyjë menjëherë për të mënjanuar një konflikt që mund të shpërthejë në Kosovë. Marrëveshjet e arritura një vit më parë me presidentin Millosheviç për arsimin në Kosovë, duhet që tani të fillojnë nga zbatimi, deklaroi Meidani, gjatë takimit të tij me gazetarët. “Bllokimi i situatës i lë hapësirë rritjes së tensionit. Komuniteti Ndërkombëtar duhet të ndërhyjë për të siguruar nga autoritetet serbe zbatimin e marrëveshjeve si dhe fillimin e një dialogu për problemet e tjera të Kosovës”, - deklaroi ai. Presidenti shqiptar ishte të shtunën në Gjenevë, për të biseduar me Kornelio Somaruga, president i CICR-it (Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq), për ndihmën humanitare në favor të vendit të tij, viktimë e trazirave të rënda që përfshinë Shqipërinë në pranverën e këtij viti. Presidenti shqiptar falenderoi CICR-in dhe lëvizjen e Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe për të gjithë ndihmën e dhënë deri tani në favor të familjeve më të varfra. Ai kërkoi me këmbëngulje vazhdimin dhe rritjen e bashkëpunimit me këtë organizatë. Në Gjenevë, presidenti Meidani inauguroi statujën e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriotit, skënderbeut, një bust që do të zbukurojë një park që shtrihet në breg të Ligenit të Gjenevës, pak metra larg Organizatës Botërore të Tregtisë (OMC). Të enjten, Presidenti Meidani qëndroi në Bernë, ku u takua me presidentin e Konfederatës zvicerane, Arnold Koller. Të dy presidentët shqyrtuan, në hollësi, mundësitë e zgjerimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, në të gjitha fushat, përfundon njoftimi i ATSH-së.

Ceka rizgjidhet President i PAD

Përfundoi punimet Kongresi i Parë i PAD-së Faqe 4

Komision i posaçëm për ngjarjen e Urës Vajgurore

Kërkesë Kuvendit Popullor Faqe 5

FATOS NANO

“Ne nuk shkojmë atje për të zëvendësuar autoritetet e ligjshme të Kosovës, faktorët politikë që përfaqësojnë dhe mbështeten nga vetë populli shqiptar në Kosovë. Pra, nuk shkojmë për të zëvendësuar LDK-në, kryetarin e saj, z. Rugova dhe forca të tjera politike që duhet të kërkojnë hapur edhe nga Millosheviçi, dialogun e tyre me Beogradin. Pra, një linjë direkte dialogu Beograd - Prishtinë është ajo që do t’i zgjidhë përfundimisht problemet. Por, ne shkojmë për të shprehur edhe në emër të qeverisë, vizionin dhe kërkesën që edhe në Kosovë të institucionalizohet demokracia, të mbrohen liritë dhe të drejtat e njeriut, të realizohen në praktikë, vlerat e qytetërimit europian...”