Nano rihidhet në sulm ndaj drejtuesve të PS
Pazarlleqe me Berishën, vetëm drejtuesit jashtë burgut
Kryetari socialist, Fatos Nano, bëhet përsëri i gjallë. Është një mesazh drejtuar PS-së dhe elektoratit, që ka mbërritur pardje në PS dhe që sot del për herë të parë në shtyp, me anë të të cilit Nano ka bërë të ditur mendimet e tij politike. Sulme kundër drejtuesve të PS-së, është përmbajtja themelore e këtij mesazhi katërfaqësh. Lideri i burgosur flet për mocionin e tij, për herë të parë që nga letra për Komitetin e Përgjithshëm Drejtues të PS. “Mocioni i bën një të mirë të madhe PS-së, - shoku nr. 1. - Veç të tjerash ai zbuloi që në Partinë Socialiste ka elementë që duan ta kthejnë partinë më të madhe të opozitës në një Laco-parti.” Nano- kryetari i PS Megjithëse lideri i majtë nuk i thotë emrat e këtyre elementëve, kuptohet lehtë që e ka fjalën për ata drejtues të PS-së që iu kundërvunë, madje hapur, mocionit të tij. Dhe këta emra janë Pellumbi, Hajdaraga, Meta, ndoshta edhe Dokle, për të vazhduar me Angjelin, Zenelin etj. Ishin Pellumbi e Dokle, që drejtonin mbledhjen e fundit të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues dhe që nuk e vunë në votim mocionin e kryetarit të tyre. Dokle e justifikoi këtë më pas me faktin që ai s’ishte projektvendim, ndaj u votua dhe u miratua platforma a kryesisë. Kjo platformë kishte shumë pika të ndryshme nga mocioni i kryetarit, ndaj në shtyp u interpretua si humbje e mocionit. Por nuk mendon kështu vetë Nano. “Mocioni fitoi, - thotë ai, në mesazhin e vet, - me gjithë arrogancën e disa drejtuesve me një kulturë demokratike të ulët dhe me një nivel shqetësues debati.” Kështu shprehet kritikat e Nanos për drejtuesit e PS-së bëhen vërtet shumë të rënda. Dhe nuk mbarojnë këtu. “Lidhur me disa spekullime të shtypit apo deklarata të politikanëve, - shprehet gjithnjë në mesazh Nano, - një njeri që tre vjet i burgosur vetëm se është kryetar i Partisë Socialiste, nuk mund të bëjë pazarlleqe me Berishën. Këto mund t’i bëjnë vetëm ata që janë jashtë, për të arritur forcimin e ndonjë pozite.” Në mesazhin e tij, politikani i burgosur në Bënçë tregon edhe arsyet e dorëheqjes së tij nga kryetari i grupit për hartimin e raportit politik të fazës së dytë të kongresit të PS-së. “Hoqa dorë, - shpjegon ai, - sepse si kryetar partie i zgjedhur direkt nga kongresi, gëzoj të drejtën dhe detyrimin të hartoj një raport individual”. “Besoj se delegatët e fazës së parë të kongresit e kanë kapacitetin për të realizuar reformimin, që është i pandërprerë dhe i vazhdueshëm”. E këtu ai del kundër mendimit të Hajdarages e Metës, se delegatët e kongresit janë “komunistë”. Në mesazhin e tij Nano përsërit mendimin e tij për zgjedhjet e 26 majit, se tërheqja e kandidatëve ishte pozitive, por nuk përmend tërheqjen e anëtarëve socialistë nga komisionet e votimit, të cilën, në një mesazh të mëparshëm, Nano e ka quajtur të gabuar. Gjithashtu Nano tregon se vazhdon të jetë në izolim të plotë dhe nën mbikqyrje në burg. Notat e vetme të optimizmit Nano i paraqet kur thotë se mocioni i tij tregoi që PS ka mundësi të ecë përpara. A. Simoni
“Si kryetar do të hartoj një raport individual në kongres”