Deklarata e Serreqit bie ndesh me frymën kombëtare
Shqipëria nuk do të ndërhyjë në rast konflikti në Kosovë.
Gjatë një vizite zyrtare në Varshavë, Ministri i Jashtëm shqiptar z. Alfred Serreqi ka deklaruar: «Ne jemi një vend neutral dhe nuk kemi ndërmend të ndërhyjmë jashtë kufijve tanë».
Këtë deklaratë z. Serreqi e bëri gjatë fjalës së tij në lidhje me problemin e Kosovës. Ndërsa duke folur për një ndërhyrje të vendosur nga OKB në ish Jugosllavi z. Serreqi shtoi se «pasojat e sanksioneve të vena ndaj Serbisë janë bërë të dhimbshme edhe për popullatën shqiptare».
Disa kohë më pas nga këto deklarata z. Serreqi në Tiranë u njoftua për incidentin e rëndë që ndodhi në fshatin Prekoc, katër kilometra nga kufiri shqiptar. Ky ka qenë provokimi më serioz i Serbëve ndaj një luftë krejt të muzhishme tashmë në Kosovë. Pikërisht në këtë rast shumë delikat lëshohen deklarata e ministrit të jashtëm shqiptar. Po çfarë tregon kjo deklaratë? Kur dihet se vetë Presidenti i Shqipërisë, herën më të fundit në takimin me Papa Gjon Palin i Dytë deklaroi se shteti shqiptar do të jetë kurdoherë pranë vëllezërve të një gjaku në Kosovë dhe se nuk do të lejojë spastrime etnike të Serbëve në Kosovë. A mos vallë ministri Serreqi i ka quajtur deklaratat e para thjeshtë shak[a] të lehta? A mos vallë Serreqi u tremb kur lufta u afrua? A mos ka folur vetëm si ministër apo ka edhe autorizimin e kryeministrit Meksi?
Secilit që dëgjon këto deklarata i dalin shumë pyetje. Më e mira do të ishte një prononcim i vetë qeverisë Meksi rreth kësaj çështjeje.
Katër ministra të qeverisë së Meksit janë të paligjshëm
Ministrat e rinj me moshë të madhe akoma pa marrë votbesimin në Parlament dhe pa bërë betimin para Presidentit filluan vizitat e «suksesshme» nëpër Evropë.
U bë më tepër se një muaj kur Presidenti i Republikës dekretoi ndryshimet në Qeverinë Meksi duke emëruar Ministër të Rendit zotin Agron Musaraj, Ministër të Bujqësisë Petrit Kalakulen, Ministër të Arsimit Xhezair Telitin dhe atë të Turizmit Edmond Spaho. Aktualisht këta ministra janë të paligjshëm, pasi Parlamenti shqiptar ende nuk e ka shqyrtuar dekretin për ndryshimet në Qeveri, megjithëse afati i kalimit në Parlament tashmë ka përfunduar.
Megjithëse pa votbesim Ministrat e rinj tashmë i kanë marrë çelësat e zyrës, makinat e rojët në dorezim. Kanë filluar përsëri me reformën në dikasteret ku drejtojnë duke pushuar e emëruar nëpunës. Bile këta ministra kanë filluar vizitat e «suksesshme» nëpër Evropë siç ishte rasti i Ministrit të Rendit. Ç’do të bëhet me ministrat e rinj? Parlamenti i ka kaluar afati për ta shqyrtuar. Pa marrë votbesimin në Parlament ata nuk kanë të drejtë të bëjnë betimin para Presidentit. Pa bërë betimin para Presidentit ata nuk mund të quhen Ministra. Pra qeveria Meksi aktualisht ka katër ministra mangut!
A do të firmosë Presidenti dekret të ri për këta ministra dhe në rast se po, a do të ketë ndryshime të tjera në Qeverinë Meksi?
Komunisti Baleta dhe ballisti Toto rrihen midis tyre
Të enjten pasdite në seancën parlamentare ku diskutohej ligji për Sigurimet Shoqërore dhe pikërisht neni për shtatzaninë e grave, ndodhi një veprim tashmë i përsëritur në Parlamentin tonë: Deputeti Leka Toto godet me grushtin e tij të fuqishëm deputetin Baleta.
Toto megjithëse ka kaluar një jetë plot mundime, me fizikun e tij, arriti ta mposhtë Baletën, trajtimi i të cilit ka qenë mjaft i kënaqshëm nëpër periudhën komuniste.
Dy herë në historinë tonë janë përplasur ashpër dy forcat e vjetra politike të Shqipërisë; komunistët dhe ballistët. Hera e parë ishte në Mukje në vitin 1943 dhe hera e dytë në Parlamentin shqiptar 1993. Ndërsa herën e parë arsyeja e domin[e] forcen fizike, pas 50 vjetësh këto dy forca politike mundën të komunikojnë vetëm me grushte. Në këtë ndeshje viktimë ra deputeti Ismet Ferizaj, i cili në kuptimin figurativ të ngjarjes përfaqëson popullin e paangazhuar as me Ballin as me komunistët, por që gjithnjë ka qenë viktimë e këtyre forcave të vjetra. Deputeti Ferizaj është viktima e dytë pas deputetit Shaban Memia i cili u rrëzua në tapetin e parlamentit pak ditë më parë.
Deri tani nuk kemi informacion për viktima të tjera në Parlamentin shqiptar.
Filloi kthimi i refugjatëve shqiptarë nga Gjermania
Ditet e fundit arritën në Shqipëri disa refugjatë që kishin shkuar në Gjermani pas korrikut 1990.
Kthimi i refugjatëve shqiptarë nga ky vend sapo ka filluar dhe mendohet se numri i të kthyerve do të vijë gjithnjë në rritje. Në një letër që na ka ardhur nga një familje shqiptare e cila aktualisht ndodhet në Gjermani, mësojmë se shumë refugjatë shqiptarë janë marrë në intervistë dhe presin kthimin për në Shqipëri. Familja në fjalë, Kokalari, vetë ka kaluar në intervistë dhe pret intervistën e dytë më 11 maj dhe sipas tyre shpresat për të qëndruar në Gjermani janë shumë të pakta.
Disa burime informacioni bëjnë të ditur se Gjermania do të pranojë vetëm refugjatë të persektuar politikisht. Autoritetet gjermane garantojnë strehimin politik për emigrantët, jeta e të cilëve është fizikisht në rrezik në vendin e tyre.
Kështu informojnë disa burime lajmesh.
Koha jonë
Deklaratë e Nismës së Re Politike
Nismare e Re Politike, pasi mori dijeni për deklaratën e Ministrit të Jashtëm Alfred Serreqi në Varshavë (gazeta shqiptare 6 maj 1993) i cili e shpalli Shqipërinë si vend neutral dhe pa përgjegjësi për atë çka mund të ndodhë nga masakra e parapërgatitur prej Serbisë në Kosovë e në trevat e tjera shqiptare në Maqedoni e në Mal të Zi.
DEKLARON:
Denoncimin e deklaratës së Ministrit Serreqi në Varshavë, duke theksuar se ajo bie ndesh me frymën kombëtare e me obligimet e mëdha që duhet të ketë shteti shqiptar në mbrojtje të interesave të shqiptarëve kudo që ndodhen në trojet e tyre përtej kufirit. Në të njëjtën kohë kjo bie ndesh me politikën zyrtare të deklaruar botërisht nga Parlamenti dhe Presidenti i Republikës. Prandaj ndërkohë me të drejtë ngremë pyetjen: Deklarata e zotit Serreqi është mendim personal i tij apo një ndryshim i politikës shqiptare për çështjen e shqiptarëve në trojet e veta të ish-Jugosllavisë?
Shqiptarët janë aq të aftë e të bashkuar sa të mos lejojnë që Shqipëria të kthehet në një Bosnjë të re.