12/10/1995
Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Koha Jonë

12 tetor 1995

PS akuzon SHIK-un dhe Policinë

20 punonjës të tyre kallëzohen për ndjekje penale Të shmangim me gjakftohtësi provokacionet e kurdisura nga pushteti i Berishës SHIK-u dhe Policia sërish në fokusin e të akuzuarit, për konfrontime në mitingjet e partive të opozitës, shkelje të ligjit kushtetues, lirie të të drejtave të njeriut dhe shpërdorim të postit zyrtar. Këtë radhë nga partia më e madhe e opozitës, e cila disponon prova zanore dhe filmike që komprometojnë SHIK-un dhe Policinë. Janë rreth 20 punonjës të SHIK-ut dhe Policisë së Kavajës, që do të kallëzohen nga PS për ndjekje penale në organet e drejtësisë. faqe 3

Ligji kundër genocidit në Gjykatën e Strasburgut

Krijohet Byroja juridike kundër antiligjit shtetëror Konkretizohet Poli i Qendrës faqe 3

Arrestohet me ambulancë Shefqet Peçi

“Anti-genocidi” filloi të veprojë. Dje i pari në pranga Bashkëshortja: “Nuk shqetësohem. Është hera e katërt që arrestohet. Një herë e Zezë Zogu, dy herë fashizmi dhe herën e katërt nga regjimi demokratik i Berishës” 90 vjeçari përfundon në spitalin e burgut të Tiranës faqe 2

60 vetë helmohen nga mishi

Shumica gra dhe fëmijë Nga dasma përfundojnë në spital faqe 2

Humb jetën një 7 vjeçare, plagoset rëndë një 5 vjeçar

Tre vdekje brenda 11 ditëve nga aksidentet automobilistike Dy aksidente të rënda trondisin Vlorën dje në mesditë VLORE - Dy aksidente të rënda dje në mesditë kanë tronditur përsëri qytetarët e Vlorës. Të ndodhura njëra pas tjetrës ato kanë shkaktuar vdekjen e një vajze 7 vjeçare dhe plagosjen rëndë të një tjetër fëmije 5 vjeçar. Vlonjati Thoma Binaj, është bërë autori i tragjedisë së parë, ndërsa kalonte me shpejtësinë me “Benz”-in e tij me targë Vl 6632 A, në rrugën Dukat - Fushë. Pasoja ka qenë fatale. 7 vjeçarja Anjeza Jazaj ka vdekur menjëherë pas përplasjes me autoveturën, ndërkohë që kthehej nga shkolla për në shtëpi. Sipas burimeve të komisariatit të Vlorës, ka qenë vetëm shpejtësia skëterrë e automobilit që ka sjellë fatkeqësinë. Por pa kaluar as një orë, një tjetër aksident ka ndodhur në rrugën Transballkanike në Vlorë. Shoferi Piro Shemaj me “Alfa Romeo”, Tr 7673 B, aksidentoi rëndë 5 vjeçarin Erald Rakipi. Menjëherë pas përplasjes, vogëlushi është dërguar urgent në spital, i dëmtuar rëndë. Siç bëhet e ditur të dy shoferët janë ndaluar në Komisariatin e Policisë dhe grupet hetimore i kanë kaluar dokumentat Prokurorisë. Pas dy vdekjeve të shkaktuara pak ditë më parë, 7 vjeçarja nga Dukati shënon rastin e tretë brenda këtyre 11 ditëve të tetorit. Ndërkohë qysh nga janari, në qytetin e Vlorës janë aksidentuar 25 veta, 14 prej të cilëve kanë gjetur vdekjen. ZENEPE LUKA